Hetimi për lobimin, Balla: Refuzimi i Bashës, frikë nga Reforma në Drejtësi
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, duke folur në Kuvend për situatën e dhunës opozitare në ambientet e jashtme, për të cilat akuzoi Lulzim Bashën si përgjegjës, nxitës dhe orkestrues, foli edhe për një çështje të rëndësishme të ditëve të fundit, atë të hetimit të lobimit demokrat në Shtetet e Bashkuara me parà të dyshuara me origjinë ruse.
“Sot u njohëm me refuzimin e kryetarit të PD-së për t’u paraqitur në institucionin e Prokurorisë. E kemi thënë para pak javësh, që po i lënë mandatet sepse e kanë hallin te Reforma në Drejtësi, por një pjesë e atyre që paguhen për të dhënë opinione thanë: ç’lidhje ka kjo reformë me lënien e mandateve. Sot shqiptarët kanë marrë përgjigjen”, tha Balla.
Lulzim Basha refuzoi të paraqitet këtë të enjte përpara prokurorëve për një hetim. “Ky është rasti i parë sesi kryetari i opozitës, pasi ka lënë mandatin për hir të interesave të vendit dhe jo për të bllokuar Reformën në Drejtësi, nuk respekton detyrimin që ka çdo shtetas, nga Presidenti i Republikës deri te më i thjeshti”, tha Balla.
Arsyetimin e bërë sot publik për këtë refuzim, Balla e quan mosarsyetim.
“Hetimi nuk po kryhet vetëm nga Prokuroria shqiptare, por po kryhet njëkohësisht edhe nga Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga autoriteti i drejtësisë së Skocisë. Si mund të guxojë dhe të pretendojë besimin e shqiptarëve, kur Prokuroria e njofton për ta marrë në pyetje për një çështje që i ka lënë gojëhapur miqtë tanë perëndimorë, sesi kryeministri në hije paskësh qenë dy vite më parë i sponsorizuar me parà, që nga hetimi i medieve amerikane shkojnë në 950 mijë dollarë, nga të cilat Basha justifikon as 10 për qind të tyre. 90 përqindëshi nuk ka dalë nga Shqipëria, nuk ka dalë nga financat e PD-së”, tha Balla.
Kryetari i grupit socialist përmendi edhe ekskluziven e Top Channel, një ditë më parë, ku u bë e ditur se nga investigimi rezulton se janë edhe dy shtetase të tjera ruse “të përfshira në pronësinë e kompanive guackë, që nga dashuria e madhe për Lulzimin kanë përzgjedhur të mbështesin atë për të financuar fushatat e nxirjes së faqes së Shqipërisë në mediet e ndryshme ndërkombëtare, apo fushatën e promovimit të liderit në zbritje të Partisë Demokratike”, tha Balla.
Një ditë më parë Top Channel publikoi ekskluzivisht të dhëna nga hetimi që po zhvillohet në Skoci, i cili ka zbuluar edhe dy shtetase të tjera ruse si pjesë e kompanisë “Biniatta Trade”, e cila ishte ajo që kishte paguar shumën në emër të PD-së te lobuesi amerikan Nick Muzin.