Opinion

Hiqni Thaçin nga negociatat!

Veton Surroi

Qoftë nëse arrihet “marrëveshja për korrigjim”, qoftë nëse nuk arrihet, Serbia do ta ketë komoditetin që të kërkojë shtete garantuese, qoftë për marrëveshjen e arritur, qoftë për ato që nuk janë arritur. Sepse, marrëveshja e arritur do të kërkojë më shumë se kufijtë për të vendosur marrëdhënie të reja mes Serbisë e Kosovës, e marrëveshja e paarritur do të kërkojë që të fillojnë sërish negociatat.

1.

Presidenti i Serbisë mund të jetë i kënaqur me pozicionin të cilin po e mbërrin në botë. Brenda një jave këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, John Bolton, tha se SHBA-ja nuk do të përzihet nëse “dy qeveritë” (Kosova dhe Serbia) arrijnë në heshtje marrëveshje për korrigjimin e kufijve, komisari evropian Hahn inkurajoi më tutje këto marrëveshje sekrete, duke nënvizuar se ato nuk do të vlejnë për pjesët e tjera (Bosnjë, Maqedoni), ndërsa kancelarja Merkel, pas bisedës me presidentin amerikan Trump, u deklarua se “ne natyrisht i mbështesim të gjitha bisedat që mund të çojnë drejt qëllimit, por, në të njëjtën kohë, themi se integriteti territorial ashtu siç është tani është një vlerë e rëndësishme”.

Ka të përbashkëta në këto tri deklarata dhe gjëja e parë është se bëhet fjalë për një ndryshim në politikën e jashtme, dhe një ndryshim i cili është i pakoordinuar. Deklarata e Boltonit dhe reagimi i kancelares Merkel rreth kufijve tregojnë hapësirë fërkimi mes një politike të jashtme amerikane që ende po i përshtatet presidentit Trump dhe traditës evropiane të ndërtuar nga zhbërja e Jugosllavisë. Por, për këtë, ndonjëherë tjetër, në një shkrim më meritor. Kësaj here do vlerësuar të përbashkëtat nga aspekti i tri pikëve të mëdha të fituara për politikën e jashtme serbe.

2.

Pika e parë është se po legjitimohet një proces, i cili në formë sekrete po zhvillohet tashmë një vit. Për Serbinë kjo është shumë me rëndësi, sepse ekziston obligimi i saj për të mbërritur një marrëveshje “ligjshmërisht të obligueshme” me Kosovën, në mënyrë që të kalojë fazën përfundimtare të anëtarësimit në BE.

BE-ja ka deklaruar disa herë se u përket palëve që të formësojnë agjendën e negociatave për “marrëveshjen ligjshmërisht obliguese”. Tash, pra, për këdo që pyet në BE, përgjigjja e Serbisë është: jemi duke negociuar, do t’ju informojmë kur të merremi vesh.

Brenda një jave u kontrabandua si legjitim një proces krejtësisht i fshehtë, për të cilin dihet vetëm se trajton kufijtë e Kosovës/Serbisë. Dhe se rrjedhimisht “marrëveshja ligjshmërisht e obligueshme” do të jetë produkt i marrëveshjes për kufijtë.

Kjo do të thotë se Serbia po arrin që tërë “marrëveshjen obliguese”ta reduktojë në “korrigjim kufijsh”, duke tejkaluar tërë kompleksin e problemeve të krijuara që nga suprimimi i autonomisë së Kosovës deri më sot.

Dhe, kështu, Kosova shndërrohet në palë negative, nëse do të përpiqet të inkuadrojë gjë tjetër në negociata.

3.

Pika e dytë, avantazhi për Serbinë është asimetria.

Në legjitimimin ndërkombëtar të kësaj jave është marrë si e mirëqenë se negociatat zhvillohen mes Vuçiqit dhe Thaçit. Kështu është kontrabanduar asimetria në të cilën Serbia është dukshëm më e fortë. Presidenti i Serbisë gëzon legalitet dhe legjitimitet të plotë, ai i Kosovës nuk ka legjitimitet dhe duke negociuar për kufij bën shkelje të Kushtetutës. Për dallim prej presidentit të Serbisë, ai i Kosovës ende nuk e ka krejtësisht të qartë nëse do të arrestohet nga Gjykata Speciale e themeluar pas akuzave të Dick Martyt.

Për më tepër, nuk ekziston vetëm asimetria mes negociatorëve, por edhe subjekteve që përfaqësojnë.

Në bisedimet sekrete,Vuçiqi është president i Serbisë, anëtare e OKB-së, e Thaçi është president i Kosovës, së kontestuar si shtet nga Serbia dhe OKB-ja.

Në gjendje asimetrie, “marrëveshja për korrigjimin e kufijve” do të quhet nga BE-ja si obligim i kryer i Serbisë, pra të gatshme për integrim në BE, ndërsa Kosovën në proces të mëtejmë të legalitetit dhe legjitimitetit ndërkombëtar. Dhe, nëse në Kosovë Kuvendi ankohet për këtë, asimetria ia lejon presidentit të Serbisë të thotë se për këtë është marrë vesh me presidentin e Kosovës, marrës i obligimeve juridike.

4.

Dhe pika e tretë, të cilën e ka fituar Serbia falas këtë javë, është se u kontrabandua dalja jashtë kontekstit të proceseve të tanishme negociatore. Procesi i Vjenës kishte kornizën politike në Grupin e Kontaktit dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndërsa Procesi Ashton/Mogherini ishte i ndërtuar ashtu që çështja e marrëdhënieve Kosovë-Serbi të zhvendosej nga OKB-ja në BE, aty nuk do të kishte ndërhyrje të aktorëve joevropianë (Rusinë e Kinën), por do të lejohej përkrahja amerikane.

Procesi i tanishëm është “tabula rasa”; nuk ka kontekst institucional, nuk ka parime udhëheqëse, nuk ka simetri dhe nuk ka ndërmjetës. Zhvillohet mes një shteti që e ka shpallur pavarësinë dhe një tjetri që nuk e pranon, ndonëse presidenti i Kosovës ka pranuar se shpallja e pavarësisë së vendit është e barasvlershme me mohimin që i bëhet, pra pranon kontestimin juridik të Kosovës.

Qoftë nëse arrihet “marrëveshja për korrigjim”, qoftë nëse nuk arrihet, Serbia do ta ketë komoditetin që të kërkojë shtete garantuese, qoftë për marrëveshjen e arritur, qoftë për ato që nuk janë arritur. Sepse, marrëveshja e arritur do të kërkojë më shumë se kufijtë për të vendosur marrëdhënie të reja mes Serbisë e Kosovës, e marrëveshja e paarritur do të kërkojë që të fillojnë sërish negociatat.

Atëherë në ndihmë mund të ftohen BE-ja, SHBA-ja dhe Rusia, një kompozicion jo i keq momentalisht për presidentin e Serbisë.

5.

Natyrisht që kjo rrjedhë mund të ndalet. Por, këtë nuk do ta bëjnë SHBA-ja, BE-ja e as Gjermania apo ndonjë shtet i veçantë. Mund ta bëjë Kosova me një konstatim të thjeshtë: Thaçi nuk është palë negociatore./Koha.net

Titulli origjinal: Tri pikë avantazhi për Serbinë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button