Europa

Holanda, parajsa “e panjohur” fiskale

holandaPrezencën e madhe të koncerneve botërore, Gaby de Groot mund ta vëzhgojë që nga dritarja. “Aty brenda kanë selinë e tyre me mijëra sipërmarrje”, thotë eksperti fiskal dhe tregon me gisht kompleksin e zyrave që ndodhet në anën tjetër të rrugës. “Por maksimumi, 300 veta punojnë atje”. Dhe ato në fshehtësi të madhe.

Këtu në stacionin hekurudhor Amstel në jug të Amsterdamit kanë shtëpinë e tyre “Danone”, “Saab”, “Gazprom”, dhe më shumë se 2000 ndërmarrje e koncerne të tjera multinacionale. Ato ndajnë të njëjtën adresë thuajse këtu në “Prins Bernhardplein”, 200 deri në 218, ngjitur me gazetën e madhe financiare “Het Financieel Dagblad”, punëdhënësi i Gaby de Groots.

Por asnjë logo e këtyre firmave me emër të madh, nuk gjendet mbi fasada. Edhe në kutitë postare të “Amstelgebouw”, qiramarrësit VIP-a nuk e kanë shkruar emrin e tyre.

Shumica e të paktëve njerëz që hyjnë e dalin këtu, punojnë për trustin ndërkombëtar: firmën ndërmjetësuese, që i ofron shërbimet e saj në këtë mënyrë: “Nëse ju kërkoni një infrastrukturë biznesi të cilësisë së lartë, kushte të favorshme në lidhje me taksat dhe shërbim të dorës së parë, atëherë “Intertrust Holland” është zyra ku duhet të shkoni”.

Ndërmjetësit si Intertrust-i, janë shumë të vlerësuar në ndërmarrjet multinacionale. Të paktën janë 12.000 “objekte me infrastrukturë financiare pa punonjës”, siç quhen zyrtarisht, apo firma “të kutive postare”, siç njihen atje në gjuhën popullore, sipas një studimi të institutit të studimeve “SEO Economisch Onderzoek” që gjendet në Gjermaninë fqinje.

Pasi Holanda është ndoshta oazi fiskal më i dëshiruar sot në botë. Më i kërkuar madje edhe se vetë Luksemburgu, që gëzon një nam shumë më të madh.

Si oaz taksash, më tërheqës se Luksemburgu

Edhe “Price Waterhouse Coopers” një herë e një kohë e kishte vendosur selinë në “Prins Bernhardplein 200”: stafi këshillimor i të cilit ndodhet në fokus të një skandali të ashtuquajtur “Luxemburg-Leaks”. Ai që ka bekuar e ndërmjetësuar punën e qindra koncerneve të mëdha, me të cilët ai nxirrte fitime, duke i zhvendosur paratë në vendin me taksat më të ulëta, Luksemburg, dhe kështu kishte arritur të kursente, apo t’u rrëshqiste miliarda eurove taksa e detyrime fiskale.

Duhet të ketë “të paktën katër apo pesë vende, të cilët ofrojnë po aq strategji efektive taksimi”, mbrohet duke thënë shefi i PWC-Luksemburg, Didier Mouget. Dhe përmend si një shembull, edhe Holandën.

Mouget ka të drejtë. Gjithçka dëshmon se Holanda për koncernet multinacionale është edhe më atraktive sesa Luksemburgu i vogël, për t’i dislokuar këtu përfitimet e kësisoj t’u rrëshqasin plotësisht në mënyrë legale taksave në vendet respektive. Këtu futen përqindje dhe dividentë, si dhe të ardhura nga pasuria intelektuale, pra; licencat, markat, apo të drejtat e patentave.

Dhe kështu, sipërmarrjet ndërkombëtare si “Ikea”, apo kompania shtetërore italiane e karburanteve “Eni” (“Agip”), firma “Walmart”, apo sipas “Financieel Dagblad”, 17 prej 20 koncerneve më të mëdha nga Portugalia e vogël, i sjellin fitimet e tyre në parajsën fiskale në brigjet e Detit të Veriut. Principi është ndonjëherë fare i thjeshtë – si për shembull tek “Ikea”.

Këtu “Ikea Inter Systems BV” ngre taksat e kostove të franchise-it në Delftin holandez në filialet e veta në mbarë botën – dhe e shton kështu barrën e tyre fiskale. Rrjeti i kafeterive “Starbucks” ka pak a shumë të njëjtën histori. Lejohet pra gjithçka.

“Ne jemi pllaka financiare e botës”, thotë eksperti De Groot, që studion prej vitesh me kolegun e vet, Siem Eikelenboom praktika të tilla. Dhe shifrat i japin të drejtë atij: rreth 4.000 miliardë euro u gëlltitën nga firmat me seli të rreme në vitin 2011, sipas studimit të sektorit financiar të institutit në fjalë, në Holandë – rreth pesëfishi i prodhimit të përgjithshëm bruto.

Ato e kanë bërë vendin me as më shumë se 17 milionë banorë, sipas statistikave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, njërin ndër dy pranuesit dhe donatorët më të mëdhenj botërorë për investimet direkte.

Holdingët financiarë fshihen pas firmave fantazmë 

Sipas një studimi të organizatës joqeveritare amerikane, “Citizens for Tax and Justice” (CTJ), 48 për qind e 500 firmave me xhiron më të madhe të holdingut financiar, gjenden në Holandë – më shumë se në Singapor, Hong-Kong apo Luksemburg (34 për qind për shembull). Sipas CTJ, filialet holandeze të koncerneve amerikane në 2010, kanë kryer fitime në masën e 127 miliardë dollarëve, më shumë se në Bermuda (91 miliardë), në Luksemburg (55 miliardë), apo në ishujt Kajman (51 miliardë dollarë). Ata fshiheshin deri më tani nën emra të rremë, ose që nuk binin shumë në sy. “Blueleave Cooperatie” për shembull, quhet holdingu lokal i rrjetit gjigant amerikan “Walmart” – që në Holandë nuk ka asnjë supermarket.

Vetëm BASF në vitin 2012, kishte 21 holdingje (prona të regjistruara) në Holandë. Madje edhe Rolling Stones, mbajnë një seli për biznese në lagjen aristokrate të Amsterdamit, Herengracht.

Shumë të preferuara sipas de Groot, janë të ashtuquajturat “Tax Rulings”, në të cilat multinacionalet zhvillojnë bisedime të fshehta individuale mbi barrën e tyre fiskale. Siç bëhet në Luksemburg. “Shpesh janë të dyja vendet të lidhura e mbuluara nga njëri-tjetri”, thotë de Groot, “pastaj holdingu holandez mbulohet nga ai luksemburgas” ose e anasjella.

Realiteti dëshmohet ndryshe

Andre Nagelmaker, zëvendëspresident i Shoqatës së Ndërmjetësuesve e mohon se klientët e bëjnë këtë vetëm për t’u shpëtuar taksave. “Shumica prej tyre vendosin të ngrenë selinë e tyre këtu, për të shmangur një taksim të dyfishtë, pasi Holanda ka nënshkruar marrëveshje bilaterale”, thotë ai. Por mund të ishin edhe “struktura të tjera të mundshme, në të cilat askush nuk u ka rrëshqitur taksave”.

Qeveria ka deklaruar se firmat me seli të rreme, do të kontrollohen më me rigorozitet. Nocionin “oaz fiskal”, sigurisht se shumica e politikanëve holandezë nuk e dëgjojnë me kënaqësi. Në janar 2013, Parlamenti me kërkesë të partisë së djathtë populiste Wilders, arriti në një rezolutë “për ta refuzuar këtë emërtim dhe atje ku ishte e mundur të ndërhynte me urgjencë, që ky kualifikim ligjor të mos konsiderohej”. Këtë të enjte, sekretari holandez i Shtetit për Financat, Eric Wiebes tha: “Holanda nuk është një oaz fiskal”. Shifrat e studimit mbi “objektet e veçanta financiare”, që sapo janë paraqitur në Parlament, gjithsesi dëshmojnë një tjetër realitet. Sipas tyre, vetëm shuma e dividentëve që rrjedhin në firmat me seli të rreme, në vitet 2004 – 2012, janë pesëfishuar: nga 13,1 miliardë në 72,7 miliardë euro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button