Hormuzi, namuzi

Lutem të hapet Hormuzi se ne pa verë, birrë, qumësht, vaj, kos, dhallë, uthull, jetojmë, s’ka problem, hamë bar, por pa karburant e kemi të pamundur. Ca se privimi nga makina për pesëqind vjet na e ka kthyer në fiksim, ca se jemi identifikuar me makinën, ajo është shënja e jashtme që tregon statusin social të gjithkujt, ca se makina është shtëpi, kamion transporti për furnizim dyqani, ca se na mungojnë trenat, ca se autobuzat e lodhur nuk vlejnë veçse për të zhvendosur veten sikur t’i kesh hipur një breshke…, ca se kemi shkëmbyer gomerët dhe pelat me makina shkatarraqe në periferi dhe super lluksoze në unazën e vogël dhe bllok, mor si nuk blejmë dot një veturë që të mos jetë e dorës së dytë dhe të tretë, pra që ta kenë vënë prapanicën qindra të tjerë!
Po mirë atje ka pasur bombardime, por të shohësh rrugën paralele me atë gjoja rrugën e shpejtësisë Tiranë – Durrës, gropat dhe shkatërrimet janë llahtar, rruga e Ndroqit të thyhen guzhineta, palestra dhe ç’ke brenda, ana e majtë në rrugën e shpejtësisë Tiranë – Durrës, vajtje dhe kthim i ngjan një udhëtimi nëpër brigje malesh, rrugët dytësore dhe tretësore sapo del nga Unaza kanë marrë fund, pa le të shohësh rrugët në Paskuqan, drejt Kamzës, ato që dalin nga bulevardi i Ri për të dalë andej nga autostrada, të paimagjinueshme. Dje shihja se që të kalonte një autobuz duhej që ai të priste të kalonte autobuzi përballë, dhe pastaj pas pesë minutash të futej i pari, as shënja qarkullimi, as viza të bardha, as semafore, as trotuare, një urbanizëm minimal, që mbi të gjitha një poshtrim për ata banorë.
Imagjino se çfarë bëhet në qytete të tjera, është tmerr!
Uauuu, ç’patën rrugët tona? Ndërkohë që ne flasim për turistë, për Maldive, për Evropë, për standarde…
Ore i sheh njeri këto që tregojnë se ne investojmë minimalisht, pra jemi në fund të cilësisë së jetës?
Tani dëgjoj në tv se analistët flasin për Iranin!!! E tmerrshme, çfarë gomarlliqesh dëgjon!
Cojini mo në Hormuzin e Paskuqanit, Kamzës, Bathores, a Ndroqit!



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.