Humbja e valixheve në udhëtim, si të veproni për marrjen e dëmshpërblimit
Janë të konsiderueshme rastet në të cilat udhëtimet me avion kthehen edhe në makthe, për shkak të humbjes së bagazheve të udhëtimit. Megjithatë, pavarësisht këtij fati të keq, shumë pak persona e dinë se si duhet të veprohet për rikuperimin e valixhes së humbur, apo marrjen e dëmshpërblimit në rastet kur bagazhet nuk gjenden.
Sipas ekspertëve në aeroporte, kur nuk gjendet valixhja duhet shkuar menjëherë në zyrën “Lost and Found” (Zyra e Bagazheve të humbura) të aeroportit për të denoncuar humbjen, ose dëmtimin e bagazhit.
Duhet të keni me vete detyrimisht, biletën e fluturimit, kuponin e bagazhit dhe përpilimin e modulit PIR (Passenger Irregularity Report), ku shënohen karakteristikat fizike të bagazhit (përmasat, ngjyra, modeli, marka). Paditja në Zyrën e Bagazheve të humbura, u hap rrugën kërkimeve për gjetjen e tyre. Bagazhi konsiderohet zyrtarisht i humbur, nëse nuk dorëzohet brenda tri javëve (21 ditëve) nga data e mbërritjes së avionit.
Ndërkohë që bëhet me dije se ka shoqëri ajrore të cilat mund të njohin edhe në një kohë më të shkurtër humbjen e tyre, se sa afati i përcaktuar prej 21 ditësh. Në këtë pikë pasagjeri mund të bëjë reklamimin me shkrim (këshillohet gjithnjë me postë të porositur, me lajmërim marrjeje).
Në reklamim duhet specifikuar dëmi i pësuar, duke dhënë provat (listën e detajuar të sendeve/rrobave që përmbante çdo bagazh që nuk është dorëzuar, kopjen e biletës, kuponin e bagazhit të humbur, kopjen e formularit PIR të përpiluar në aeroport.
Kompania ajrore është përgjegjëse edhe kur nuk ka faj, me përjashtim të rastit kur arrin të tregojë që përgjegjësia e dëmit është e pasagjerit ose që ky ka kontribuuar me neglizhencë, fshehje apo akte të paligjshme.
Në rast dëmtimi të bagazhit, brenda 7 ditëve nga mbërritja juaj mund t’i paraqisni reklamim me shkrim kompanisë ajrore, duke bashkangjitur kopjen e PIR-it të përpiluar në aeroport.
Edhe në këtë rast kompania ajrore është përgjegjëse. Sa i takon dëmshpërblimit, bëhet me dije se: “Për shoqëritë ajrore evropiane dhe të tjera që kanë nënshkruar Konventën e Montrealit, përgjegjësia e shoqërisë për dëmin e shkaktuar nga humbja, vjedhja, dëmtimi, dorëzimi me vonesë i bagazhit është e kufizuar, maksimumi në rreth 1.167 euro për çdo bagazh të transportuar dhe dëmshpërblimi që ato japin është sipas dëmit efektiv të pësuar (gjithnjë pa kapërcyer 1.167 eurot).
Për kompanitë ajrore që nuk kanë nënshkruar konventën e Montrealit përgjegjësia e kompanisë është 20 dollarë (rreth 15 euro) për kg të bagazhit të transportuar.
Është gjithnjë e mundshme që të rritet vlera e dëmshpërblimit përmes të ashtuquajturit “deklarim i vlerës”, që bëhet në momentin e check-in-it, që mundëson rritjen e përgjegjësisë së kompanisë, por kundrejt pagesës së një tarife shtesë nga pasagjeri. Deklarimi i vlerës së bagazhit bëhet me përpilimin e formularëve të posaçëm që kërkohen në check-in”.