Europa

Hungaria bllokon hyrjen e refugjatëve nga Serbia

Hungaria ka bllokuar pikën kryesore kufitare për të penguar futjen e refugjatëve nga Serbia, disa orë para se të hyjnë në fuqi masat e rrepta për ndjekjen penale të atyre që kalojnë kufirin ilegalisht.

Dhjetëra policë, të mbështetur nga njësi me kuaj si dhe ushtarë, qëndronin roje tek shinat e trenit ku kalojnë refugjatët në itinerarin për në Bashkimin Evropian.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, udhëheqësi evropian që ka shprehur kundërshtimet më të forta ndaj planeve për të lejuar sistemimin në Evropë të refugjatëve nga Siria dhe vende të tjera, foli në një ceremoni të diplomimit të kadetëve në Budapest. Ai tha se ligjet e reja kundër emigrantëve parashikojnë dënime me burgim dhe ndëshkime të rënda për trafikantët.

“Hungaria është një vend me një kulturë të krishterë prej 1000 vjetësh. Ne hungarezët nuk duam këtë dyndje me përmasa globale që ta ndryshojë Hungarinë. Nuk kemi punuar që të vijë puna këtu, nuk kemi luftuar në luftra botërore, nuk kemi vuajtur në komunizëm dhe për rrëzimin e atij regjimi dhe më pas në krizën ekonomike. Ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi një tjetër koncept të së ardhmes hungareze dhe evropiane. Ne duam të jetojmë në një shoqëri ku sundon rendi, paqja dhe siguria. Nuk duam kaos”.

Sonte në mesnatë Hungaria ka në plan të vendosë një kontenier të mbuluar me tela me brisqe të mprehta në pikën e hyrjes në Roszke, i cili do ta bllokonte plotësisht kalimin. Budapesti thotë se kushdo që futet ilegalisht do të përballet me akuza penale dhe se refugjatët që kërkojnë azil duhet të përdorin pikëkalimet e mbikqyrura nga policia.

Ndërkaq në Gjermani rivendosja e kontrollit kufitar me Austrinë ka shkaktuar radhë me gjatësi deri në 20 kilometra.

Gjermania, e cila ka mirëpritur mijëra refugjatë në territorin e saj ka thënë se që të dielën ka vënë në zbatim kontrollin e pasaportave në kufi për të mundësuar “një proces më të rregullt”. Austria tha se edhe ajo ka në plan të vendosë kontrolle kufitare në kufirin me Hungarinë, ndërsa Sllovakia ka rivendosur kontrollin në pikat e kalimit me Austrinë dhe Hungarinë.

Takimi i Ministrave të Brendshëm

Masat e reja vendosen ndërkohë që ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian u mblodhën sot në Bruksel për të diskutuar rrugët e përballjes me valën masive të refugjatëve në Evropë. Në takim u diskutua propozimi për ndarje proporcionale të numrit të refugjatëve mes vendeve anëtare. Por diskutimet e brendshme nxorën në pah mosmarrëveshjet mes vendeve anëtare lidhur me propozimin për të sistemuar masën e refugjatëve në vende të ndryshme. Propozimi ka mbështetjen e Gjermanisë që është goditur më rëndë nga dyndja e emigrantëve, ndërsa gjen rezistencë tek anëtarë të tjerë të grupit. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se Gjermania është e gatshme të akomodojë 800 mijë refugjatë. Sllovakia, një ndër vendet që e kundështon propozimin, thotë se sistemi i kuotave nuk është zgjidhje për problemin.

Realiteti ka treguar se shumë nga refugjatët nuk duket se synojnë thjesht të vijnë në Evropë, por mësyjnë drejt një destinacioni specifik. Shumë prej tyre ecin për ditë me radhë pasi futen në zonën Shengen, vetëm për të arritur në Gjermani. Ky fakt e ka bërë Gjermaninë që të anulojë përkohësisht lëvizjen pa pasaporta në kufirin e saj me Austrinë.

“Ky hap u bë i nevojshëm. Dëshira e madhe që ka treguar Gjermania për të ndihmuar duke vënë në dispozicion shumë punonjës, por edhe me mijëra vullnetarë, nuk duhet të shfrytëzohet përtej kapaciteteve. Masa e marrë është gjithashtu një sinjal për Evropën. Gjermania e pranon përgjegjësinë e saj humanitare, por barra nga kjo masë refugjatësh duhet të ndahet me solidaritet në Evropë,” tha ministri i brendshëm gjerman Thomas de Maiziere.

Sot në takimin e Brukselit, ministri gjerman i bëri thirrje Bashkimit Evropian për të dalë me angazhime konkrete.

“Na nevojitet një kornizë e qartë kohore dhe ndarje e qartë përgjegjësish për të ngritur pika përkujdesjeje për refugjatët. Në bisedimet paraprake pati sukses, sidomos për sa i përket planeve për Greqinë”.

Ministri bëri gjithashtu thirrje për më shumë ndihma dhe mbështetje për Turqinë.

Ndërkohë që vazhdonin bisedimet, në qendër të Brukselit aktivistë në mbështetje të refugjatëve u mblodhën në një demonstrate të organizuar nga organizata Avaz, me synimin për t’u tërhequr zyrtarëve evropianë vëmendjen tek drama humanitare që shoqëron këtë dyndje refugjatësh. Në demonstratë ishte edhe Fatima Kurdi, tetoja e djalit të vogël sirian që u gjet i mbytur në brigjet e Turqisë, Aylan Kurdi. Ajo u bëri thirrje udhëheqësve evropianë t’i gjejnë zgjidhje krizës së refugjatëve.

“Ju lutemi, shpëtoni refugjatët, bëni diçka. Të bashkojmë duart, të gjejmë një zgjidhje, të tregohemi zemër-hapur dhe t’i ndihmojmë”. 

Ndërkohë puna vazhdon në kufirin hungarez për ngritjen e një gardhi me tela prerëse për të penguar trafikun e refugjatëve që futen nga Serbia.

“Nuk është situatë e mirë, prandaj i bëjmë thirrje Hungarisë të përmirësojë objektet e mbajtjes së refugjatëve. Shohim shumë gra e fëmijë që mbërrijnë këtu pasi kanë ecur për ditë të tëra. Ata janë qenie njerëzore, individë që largohen nga zona lufte e konflikti. Kanë nevojë për përkujdesje të veçantë,” thotë një zëdhënës i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Evropa e përçarë përballë problemit

Evropa është e përçarë në përgjigjen e saj ndaj krizës. Britania ka thënë se do të pranojë deri në 20 mijë refugjatë gjatë pesë viteve të ardhshme.

Në një takim në Pragë javën e kaluar, ministrat e jashtëm të Hungarisë, Republikës Çeke, Polonisë dhe Sllovakisë hodhën poshtë përpjekjet e homologëve të tyre nga Gjermania dhe Luksenburgu për të pranuar kuota të detyrueshme emigrantësh, megjithëse kanë mbështetur planin e OKB-së për të lejuar shpërndarjen në 28 vendet anëtare të 160 mijë emigrantëve.

Ministri i brendshëm i Rumanisë tha dje se vendi i tij nuk do të përmbushë kërkesën e Bashkimit Evropian për të marrën edhe 4650 persona të tjerë, përveç 1785 azil-kërkuesve që ra fillimisht dakord të pranonte.

Ministri i brendshëm rumun Gabriel Oprea ka thënë se ka mandate të qartë nga presidenti dhe kryeministri për ta refuzuar kërkesën. Ai shtoi se Rumania do të votojë kundër kuotave të detyrueshme për vendet e Bashkimit Evropian.

Vetëm brenda këtij viti 430 mijë emigrantë, shumë prej tyre refugjatë nga Siria dhe Iraku, kanë kaluar Mesdheun në kërkim të një jete më të mirë në Evropë. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin afro 3000 vetë kanë gjetur vdekjen në këto përpjekje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button