I akuzuari për kanosjen e ish-presidentes Osmani deklarohet i pafajshëm në seancën fillestare
Bekim Sylejmani nuk e pranoi fajësinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për postimin kërcënues në Facebook ndaj Vjosa Osmani-Sadriut, ndërsa Gjykata i dha 30 ditë afat për kundërshtimin e provave.
Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Bekim Sylejmani u deklarua i pafajshëm për akuzën se përmes rrjetit social Facebook ka kanosur ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, raporton Betimi për Drejtësi.
“Nuk e pranoj fajësinë”, deklaroi Sylejmani pasi prokurori Besart Mustafa lexoi aktakuzën që e ngarkon me veprën penale të kanosjes. I njoftuar nga gjyqtari i rastit, Bujar Ahmeti, se prania e mbrojtësit nuk është e detyrueshme për këtë rast, i akuzuari zgjodhi ta vazhdojë procesin pa avokat, siç njofton Betimi për Drejtësi.
Përfaqësuesi i të dëmtuarës Osmani-Sadriu, avokati Artan Qerkini, deklaroi se i bashkëngjiten ndjekjes penale kundër të akuzuarit, por njoftoi se nuk parashtrojnë kërkesë për dëmshpërblim, duke pasur parasysh gjendjen e dobët materiale të të akuzuarit.
Pasi i akuzuari u deklarua i pafajshëm, Gjykata e njoftoi se brenda 30 ditësh mund të paraqesë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës, ndërsa prokurori Mustafa tha se do ta pajisë atë me të gjitha shkresat e lëndës brenda ditës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 3 shtator 2026 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sylejmani akuzohet se më 10 qershor 2026, me qëllim frikësimi, e ka kanosur seriozisht me fjalë ish-presidenten përmes një postimi në Facebook, duke u ngarkuar me veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal. Personi i përmendur konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.