Kronika

I hapet rruga zgjedhjes së drejtorit të RTSH-së

Miratimi të hënën nga komisioni i Medias i disa ndryshimeve në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, synon t’i hapë rrugën zgjedhjes së drejtorit të ri të Radiotelevizionit Shqiptar.

Nisma ligjore, e propozuar nga deputeti i PS-së, Alfred Peza dhe e mbështetur nga 28 deputetë të tjerë, të PS-së dhe LSI-së, parashikon riformulimin e nenit që përcakton zgjedhjen e drejtorit të RTSH-së, duke propozuar që ky proces të kalojë në pesë raunde.

Sipas nismës ligjore, në tri raundet e para, votimi propozohet të bëhet me 3/5 e votat të anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, ndërsa në votimin e katërt dhe të pestë është Këshilli Drejtues që vendos për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm me më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të tij.
Sipas relacionit shoqërues të pr/ligjit, edhe pse 3 vjet më parë u miratua ligji ‘për mediat audiovizive’, sërish janë hasur pengesa gjatë zbatimit të tij që kanë sjellë pasoja të rënda në drejtim të funksionimit të RTSH-së, si transmetuesi i vetëm publik në Shqipëri.
Prej mëse dy vjetësh ky Ent, drejtohet nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, në pamundësi të zgjedhjes së Drejtorit të ri të Përgjithshëm për shkak të moskonstituimit të organit rregullator.

Në fillim të qershorit 2015 u çel gara për zgjedhjen e drejtorit të ri ku nga 16 kandidatët konkurues, vetëm dy prej tyre, Thoma Gëllçi dhe Petrit Malaj, dolën në finale. Megjithëse u zhvilluan tre raunde votimi nga Këshilli Drejtues asnjë nga kandidatët nuk mundi të sigurojë shumicën e nevojshme prej 7 votash.
Në këto kushte lindi nevoja për të ndërhyrë në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, në kapitullin që flet për funksionimin e RTSH-së.

Pr/ligji, që u shqyrtua me procedurë të përshpejtuar pritet të kalojë për miratim në seancë plenare, më 3 mars.
Pas miratimit të draftit, deputeti nismëtar Afred Peza, përmes një postimi në facebook, thotë se hapi i hedhur sot në Komisionin e Medias, i hap rrugën jo vetëm zgjidhjes së krizës disa vjeçare të drejtimit të RTSH-së, por dhe fillimit të një sërë reformash të reja e të thella transformuese.

“Hap shumë i rëndësishëm ky, që synon reformimin e të vetmit transmetues publik, në lartësinë e cilësisë, profesionalizmit dhe shikueshmërisë se merituar nga pronari i saj: Opinioni publik shqiptar!”, përfundon postimin e tij Alfred Peza, njëkohësisht nënkryetar i komisionit të Medias.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button