I paprekshmi
Përpiqesh të parkosh në lagje. Aty ku ke shtëpinë dhe për të cilën paguan një serial taksash për jetesë në komunitet.
E pamundur.
Dikush ka vendosur shirit në vendin e përbashket të të gjithëve. Sepse duhet mbajtur i zënë vendi për betonieret. Ato erdhën mbasi u shkulën pemët, dhe ne as që na u bë vonë.
E ç’na duhej neve. Po sikur të kenë armë. Ose me siguri kanë lidhje atje lart. Patjetër që po, se për ne të tjerët ja behin e na kërkojnë llogari dhe për teshtimën me zë të lartë!
Kështu pra, mjedisi i përbashkët që nuk doli se ishte shumë, u zaptua. Respekt i dashur zaptues! Se ti je i paprekshëm nga të paprekshmit.
Të përshëndes duke ulur kokën e duke parë hallet e mia…
Se ç’më duhet mua, apo jo?! Ai është më i fortë dhe unë jam një.
Mbasi sorollatem e katandisem duke i bërtitur makinës, e lë kuturu. Fap sikur dalin nga dheu ata rregulluesit e parkimit, policia bashkiake.
Respekt dhe për ta dhe blloqet e tyre.
Ata nuk e shikojnë shiritin e zaptuesit, që ndonjë ditë do ja behin në kuzhinë. Por shikojnë makinën me bllokazh dhe citojnë ligjin. Turp për mua.
Respekt për zaptuesit! Respekt për Rrajet e çdo zone!
Se s’ka ç’më duhet mua se ata ma zunë ambjentin e përbashket, sicc nuk kishte pse të flisja edhe për çështje të tjera që gërryejnë direkt jetën time.
Respekt për policin e parkimit që kap banorë si ne, se edhe ai është i vetëm në mes të vapes! Po sikur ai i madhi ta heqë nga puna se ky i madhi këtu e ka mik atë atje. Respekt për të mëdhenjtë! Kështu që e lëmë që as polici të mos e shikojë betonieren që ka bllokuar trafikun dhe asnjëri nga ne mos ta ngrejë zërin. Në vetëm 300 metra shikoj se u bëmë shumë ç’na duhet neve!
Respekt zaptuesve!
Shkoj në shtëpi duke përgëzuar veten për heshtjen dhe shmangien e sherrit me ata, por betonieret që kanë punuar gjithë natën e do vazhdojnë edhe gjatë fundjavës ndjej se ma marrin frymën me një zhurmë të padurueshme. Ndjej sikur s’kam të drejtë të rri në shtepi. Por nuk dal në ballkon.
Nuk kërkoj ndihmë.
Kështu kanë vepruar edhe fqinjët e mi. Të gjithë njësoj. As ata që punojnë natën nuk ankohen.
Respekt dhe Inspektorit të Punës që monitoron Kodin e Punës. Për zhurmat? E kujt i bëhet vonë?!
Ç’na duhet neve?!
Pse u çmendëm ne t’na ndodhë si ai komshiu që parkoi aty ku kishin zaptuar ata dhe ata ja ngritën zgupthi mjetin. Mire ja bënë, ç’ju desh atij!
Kështu që bëj si fqinjët, dal prapë.
I them me shenja atij të betonieres “mos u mërzit, hape rrugën kur të mundesh”. As atij s’ka ç’i duhet të merret me zaptuesin e madh, se ai i sistemon gjërat me një telefon. Po pse t’ja prishim qetësinë atij, që t’u prishë qetësinë atyre?
Vazhdoj e lumtur përpara, se shpëtova pa bërë sherr, pa ngritur zërin.
Nuk ishte radha ime për t’u rrahur sot!
Me një fjalë model i shkëlqyer, se kushedi ku e kanë armën, shkopin e bejsbollit, kushedi kë telefonojnë.
Hedh sytë dhe krahasoj përditshmërinë e të pandëshkueshmëve ndaj të cilëve nuk protesojmë më dhe të cilët vazhdojnë përpara të zaptojnë çdo gjë tonën!!!
Tmerr apo jo???! Nuk e di, nëse jemi pak ne, apo më shumë ata, që kanë tipare të njejta.
Ata rrëmbejnë toka të trashëguara, ata rrahin herë në Krujë dhe herë në bllok, e herë në bregdet. Kërcënojnë duke nisur me formën më të kulturuar duke të këshilluar, pastaj vijnë vërdallë të afermve të tu dhe vijnë te ti. Në jetën tënde ata janë patjetër në një formë apo në një tjetër. Kuptoje këtë.
Ata janë bijë deputetësh, janë të fortë që janë hyrë në politikë dhe të fortë që pas rrëmbimit të votave, duhet të marrin mbrapsht diçka. Ata nuk hetohen. Ata nuk shpallen fajtorë. Ata nuk arrestohen. Për ta ekziston procedura.
Për ne mbijetesa.
Ndaj kur ai të vjedh tokën me falsifikim dhe ti denoncon se Kadastra është krim i organizuar, askujt s’i bëhet vonë. Pasi mbarojnë punë me pronën tënde, ata vijnë te familja jote. Prona, jeta, familja jote s’janë më të garantuara, në rast se i paprekshmi i do, do t’i marrë. E vetmja e drejtë për ty, është sa do zgjasë përpëlitja.
Herë pas here do bëhet pak zhurmë, por prapë do vazhdojë ky rregull i pashkruar.
Kur ti ngre zërin për spitalet, punën, sigurinë, garancinë, ngre zërin për policin që flaket në rrugë, atë që hetohet për një pako cigare kontrabande, për të drejtat që janë të tuat, shikon që shteti, policia, prokuroria, inspektoriati, shëndetësia, e kështu me radhë, s’janë të tuat mik.
Janë të atij.
Zaptuesit!
E jona është heshtja dhe dhimbja që ndjemë nga ai shkopi i bejsbollit që masakroi qytetarin e gurores.