IA parashikon Alzheimerin me një saktësi prej 93%
A e dini nëse keni sëmundjen e Alzheimerit? Sipas studiuesve në Institutin Politeknik të Worcester në Massachusetts, tani mund ta bëni këtë falë inteligjencës artificial, shkruan il messaggero.it.
Shkencëtarët pretendojnë se janë në gjendje ta parashikojnë sëmundjen me saktësi gati 93%.
Sipas një raporti në fillim të marsit, më shumë se 800 skanime të trurit ndihmuan inteligjencën artificiale të identifikojë ndryshimet anatomike në tru që sinjalizojnë fillimin e formës më të zakonshme të demencës.
Qëllimi është të zbulohen ndryshimet që janë ende delikate, por tashmë klinikisht të rëndësishme.
“Diagnostikimi i hershëm i sëmundjes së Alzheimerit mund të jetë sfidues sepse simptomat mund të ngatërrohen me procesin normal të plakjes”, shpjegoi Benjamin Nephew, profesor i asociuar i kërkimit në institut.
“Ne kemi zbuluar se teknologjitë e të mësuarit automatik mund të analizojnë sasi të mëdha të të dhënave të skanimit për të identifikuar ndryshime delikate dhe për të parashikuar me saktësi sëmundjen e Alzheimerit dhe gjendjet konjitive të lidhura me të”, theksoi ai.
Skanimet MRI të analizuara i përkisnin 344 personave midis moshës 69 dhe 84 vjeç: 281 me funksion normal konjitiv, 332 me dëmtim të lehtë konjitiv dhe 202 me sëmundjen ekzistuese të Alzheimerit.
Studiuesit shqyrtuan 95 nga gati 200 zonat e dallueshme të trurit, pastaj i ngarkuan algoritmin me vlerësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve.
Ndër treguesit më të rëndësishëm ishte një zvogëlim i vëllimit të trurit, një fenomen që ndikon veçanërisht në hipokampus, i lidhur me kujtesën; amigdalën, e përfshirë në përpunimin e frikës; dhe korteksin entorhinal, i rëndësishëm për perceptimin e kohës.
Ky zbulim ndodhi pavarësisht moshës dhe gjinisë: burrat dhe gratë midis moshës 69 dhe 76 vjeç treguan një humbje të vëllimit në hipokampusin e djathtë, një zbulim që mund të jetë thelbësor për një diagnozë më të hershme.
Studimi gjithashtu nxori në pah dallimet gjinore.
Tek gratë, zvogëlimi i vëllimit të trurit ishte më i theksuar në korteksin temporal të mesëm të majtë, një zonë e lidhur me gjuhën dhe perceptimin vizual.
Tek burrat, megjithatë, rënia u vu re kryesisht në korteksin entorhinal të djathtë. Sipas studiuesve, kjo mospërputhje mund të lidhet me ndryshimet në hormonet seksuale, siç është rënia e estrogjenit tek gratë dhe testosteronit tek burrat. /os/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.