Ekonomia

Ide: Përse lëvizja e lirë do të dyfishonte ekonominë?

Ekonomistët argumentojnë përse heqja e kufijve shtetërorë dhe hapja e tregut të punës për imigrantët do të shtonte mirëqenien globale dhe do të sillte vetëm pasoja pozitive

Mendimtarë të mëdhenj që besojnë në vullnetin e lirë si Milton Friedman dhe Ludwig von Mises besonin se lëvizja e lirë e njerëzve përtej kufijve është po aq e dëshirueshme sa lëvizja e lirë e mallrave dhe kapitalit.

Si puna dhe kapitali nuk duhet të pengohen të lëvizin në zona ku mund të përdoren me më shumë produktivitet. Siç thoshte dhe Mises në librin e tij, “Nuk mund të ketë as dyshimin më të vogël se barrierat e migracionit shkatërrojnë produktivitetin e punës njerëzore”.

Për ta ilustruar këtë argumentim, merrni parasysh diferencat në produktivitet të SHBA-së dhe Meksikës.

Shtetet e Bashkuara janë më produktive se Meksika, për pasojë kanë pesë herë më shumë të ardhura për person. Kjo nuk vjen vetëm sepse Shtetet e Bashkuara kanë punëtorë më të arsimuar dhe më të aftë, ndonëse është e vërtetë. Në fakt, kapitali, institucionet dhe infrastruktura i bën të njëjtët punëtorë më produktivë thjesht duke ndryshuar vend.

Po të njëjtët punëtorë do të fitonin 3.8 herë më shumë në SHBA sesa në Meksikë. Punëtorët nigerianë dhe ata nga Jemeni do të fitonin 14 herë më shumë në SHBA. Mund të rrisë të ardhurat me 380 për qind një lëvizje disa kilometra?

Për këtë arsye, shumë njerëz migrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të fituar akses në kapitalin njerëzor dhe fizik që i bën ata punëtorë më produktivë dhe më të pasur sesa mund të ishin në shtëpitë e tyre.

Në një botë në të cilën puna do të ishte e lirë përtej të gjitha kufijve, njerëzit do të zhvendoseshin për të punuar në shtete më produktive dhe kështu do të rriteshin të ardhurat dhe puna.

Shumë akademikë janë përpjekur të modelojnë si të ardhurat globale do t’i përgjigjeshin një bote të lëvizjes së lirë të punës.

Sipas ekonomistit Michael Clemens, fundi i kufizimeve qeveritare të lëvizjes së krahut të punës do të rriste me 100 për qind të ardhurat globale. Kështu, në total, sasia e të mirave dhe shërbimeve të prodhuara në planet çdo vit do të dyfishohej.

Në shifra reale, kjo do të thoshte se të ardhurat për person do të rriteshin nga 16,000 dollarë në 26,000-40,000 dollarë.

Është gjerësisht e njohur se rritja ekonomike pakëson varfërinë. Sipas ekonomistëve heqja e barrierave ndërkombëtare për lëvizjen e lirë është një nga masat më efektive kundër varfërisë nga sa mund të imagjinohet.

Duke menduar kështu, del ideja se qeveritë kudo në botë po nxisin varfërinë duke kufizuar lirinë e njerëzve. Për fat të keq, liberalizimi i politikave të imigracionit nuk është i njohur. Sondazhet tregojnë se publiku kudo nëpër botë do kufizime më të mëdha të imigracionit në vendet ku jeton.

Ndërsa ka disa arsye joekonomike përse njerëzit mund të mbështesin kufizimet e imigracionit: besimi se imigrantët dëmtojnë mirëqenien ekonomike të vendasve luan me siguri një rol në promovimin e politikave kufizuese.

Kundërshtarët e politikave të imigracionit të hapur kërkojnë të mbrojnë punëtorët vendas nga konkurrenca e huaj duke argumentuar se do të ulë pagat e tyre dhe do rrisë papunësinë.

Megjithatë, kjo teori shpërfill faktin se numri i punëve në ekonomi nuk është fiks dhe nuk kupton se imigrantët zgjerojnë punësimin vendas dhe kontribuojnë në begatinë ekonomike.

Një mënyrë si e zgjerojnë imigrantët punësimin vendas është përmes rritjes së konsumit të tyre: ata blejnë shtëpi, makina, produkte. Imigrantët mund të krijojnë mundësi të reja punësimi duke hapur biznese të reja. Në SHBA imigrantët kanë 30 për qind më shumë gjasa të fillojnë një biznes krahasuar me vendasit.

Nga ana empirike ka pak prova se si imigrantët mund ta bëjnë jetën më të vështirë për vendasit.

Sipas ekonomistit Giovanni Peri, të dhënat tregojnë se imigrantët priren të rrisin specializimin në ekonomi, duke kontribuar në nivele më të larta produktiviteti. Aftësitë e imigrantëve priren të plotësojnë ato të punonjësve vendas. Si rezultat, pagat e vendasve priren të rriten prej imigracionit.

Ekonomistët argumentojnë se imigracioni është i lidhur me paga më të larta për shumicën e punëtorëve vendas dhe me produktivitet më të lartë, veçanërisht kur analizohet imigracioni në zona gjeografike.

Ekonomistët e Harvardit, Uilliam dhe Sari Kerr zbuluan se shumica e studimeve arrijnë të gjejnë vetëm efekte të vogla të zhvendosjes edhe kur ka valë të mëdha imigrantësh.

Në SHBA çdo imigrant krijon 1.2 vende pune për punëtorët e shtetit ku shkon. Pavarësisht besimit të gjithëpërhapur se imigrantët përdorin përfitimet e qeverisë dhe se marrin nga buxheti i shtetit, mesatarisht imigrantët duket se kanë një efekt fiskal pozitiv për shtetet që i mirëpresin.

I.D

*Burimi: Corey Iacono/Fondacioni për Edukim Ekonomi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button