“Ilaçet” e veçanta natyrale kundër stresit
Njohja e ushqimeve, e barërave dhe e ambientit që ju rrethon, ju ndihmon në adaptimin e zakoneve të reja për një jetë më pak të lodhshme dhe më shumë të lumtur
Aktualisht, stresi paraqet një problematikë gjithnjë e më të përhapur, sidomos për shkak të ritmeve të një jete frenetike. Organizmi reagon natyrshëm ndaj momenteve të rrezikut, megjithatë situatat stresante për një kohë të gjatë mund të ndikojnë negativisht te gjumi, te shëndeti vaskular dhe në mirëqenien e zemrës, përveçse te metabolizmi, lëkura etj. Bëni mirë të njiheni me kurat e “ëmbla”, mjaft të veçanta për të luftuar stresin.
1) Ushqimet antistres
Një dietë e duhur ushqyerje mund t’ju ndihmojë që të menaxhoni më mirë stresin dhe lodhjen, të cilat shpesh gjenerojnë probleme me pasoja si në nivelin fizik, ashtu edhe atë psikologjik. Për të ndihmuar kujtesën dhe përqendrimin, zgjidhni karbohidratet integrale, perimet me gjethet jeshile, kosin, peshkun, mishin e bardhë, frutat e freskëta, por edhe ato të thatat dhe farat. Sheqeri i bardhë i njohur gjerësisht, gjendet në shumë ushqime: mësohuni ta zëvendësoni atë me mjaltin ose me shurupin e arrave dhe në disa raste filloni ta eliminoni, për shembull duke e shmangur në rastin kur pini kafe. Më mirë akoma nëse do të shmangni ushqimet e gatshme ose alkoolin, i cili pas një momenti të harbuar, mund t’ju lërë të “shkatërruar” dhe konfuz.
2) Barërat në formë pilule
Barërat e konsumuara në formën e shtojcave (pilulave) përbëjnë një dozë të mirë që favorizojnë aftësinë e qëndrueshmërisë së organizmit. Por mos harroni: përpara se të pini disa prej tyre, është mirë të këshilloheni nga një naturopat apo herbalist i besuar (persona ekspertë në njohjen e bimëve dhe të mjekësisë popullore). I mrekullueshëm është veprimi i grifonisë (bar bishtajor), që përveçse rregullon procesin e gjumit, ndihmon në largimin e urisë. Ndërsa lulesahati ka veti qetësuese, rodiola lufton lodhjen duke përmirësuar gjendjen e takikardisë.
3) Parfumet që qetësojnë
Studime të shumta shkencore, prej kohësh, ka gjetur një lidhje të thellë mes ndikimit të parfumeve dhe psikikës njerëzore. Aromoterapia rekomandon përdorimin e vajrave esencialë të përftuar nga bimët me fokus terapeutik, ndërsa ajo mund të ndihmojë në tejkalimin e momenteve të stresit akut. Nëse ndiheni të stresuar, mund të provoni vajin esencial të livandës, për ta masazhuar në shpinë dhe në qendër të ballit, i dobishëm edhe për të larguar dhimbjet e kokës dhe ato të qafës. Ose si alternativë, përdorni aroma të forta e dominuese.
4) Cilësia e jetës
Është e pamundur që të hiqni stresin pa modifikuar pikat kritike të ekzistencës tuaj. Cilët janë aspektet më stresante të jetës suaj? Shkruani gjithçka që ju vjen tani në mendje, pa gënjyer vetveten. Bëjini pyetje vetes nëse ekzistojnë modalitete të ndryshme për të përballuar këtë nevojë në mënyrë relaksuese.
Rregulli i parë për të luftuar stresin është pushimi i duhur, i cili nuk nënkupton vetëm gjumin, por edhe disponibilitetin e ndonjë ore leximi, relaksimin nëpërmjet një dushi me ujë të ngrohtë, ose shikimin e ndonjë filmi.
Nëse do të luftoni për të gjetur pak kohë të lirë për të bërë atë që doni, filloni me pauzat e vogla për t’u shkëputur nga rutina, sidomos nga puna: mjaftojnë 10 minuta për një shëtitje të vogël, ose për t’u ndalur në dritare vetëm me mendimet tuaja, për të pirë një lëng frutash, për të marrë frymë thellë, për të mbyllur sytë e për të imagjinuar diçka të bukur që ju mbush plot me energji.
5) Imagjinoni…paqen
Teknika e të imagjinuarit e ndihmon mendjen që të fokusohet në një imazh pozitiv, që mund ta kujtoni në një moment të vështirë. Sipas të dhënave, gjatë një studimi shkencor, mbyllja e syve dhe përfytyrimi i një pasazhi të dashur, jep po të njëjtat efekte sikur të ishit atje realisht, në atë ambient. Provoni të meditoni, të bëni joga. Zbulimi i një disipline që bën për ju, është shija e një paqeje ndryshe. Sepse në thelb, paqja në vetvete është një kusht i brendshëm që jeton në thellësinë e emocioneve tona.