Ilir Rusmali: Basha solli peshqesh gomarllëkun politik
Ish-deputeti demokrat Ilir Rusmali ka analizuar situatën aktuale në PD dhe mes të tjerash i ka bërë thirrje të fortë demokratëve, t’i dalin zot partisë dhe jo kryetarit.
Në një opinion publikuar sot në gazetën “Panorama”, ai shkruan “Duke pritur ‘Bill Klintonin”…
ILIR RUSMALI
Ishte fushata elektorale e vitit 1992 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte periudhë recesioni dhe amerikanëve nuk u ecnin punët mirë. Kandidati i demokratëve, Bill Klintoni, ndiente nevojën për të shkundur popullin e vet nga apatia e recesionit, ndaj lëshoi një thirrje të papranueshme për stilin e fushatave: “it’s the economy, stupid!”. Thirrja që më mirë shqipërohet nga fjalia: “dili zot ekonomisë, o i mjerë!”, ka hyrë në historinë e zgjedhjeve të botës për forcën e jashtëzakonshme të mesazhit që mbartte. Në vend që t’i fyente amerikanët, thirrja e Klintonit u hapi sytë, në vend që t’i rëndonte, ajo i lehtësoi, në vend që t’i armiqësonte, i bëri për vete.
Thirrja i preku atje ku u dhimbte më shumë, ishte e sinqertë, dashamirëse, ndaj iu bë ilaç. Thirrja e Klintonit ishte një mesazh i fortë, në përgjigje të një situate dëshpëruese. Një situatë tjetër dëshpëruese, boll të ndërrojë kundrinori, e mban thirrjen gjithaq të vlefshme, e bën gjithaq të fortë, e ruan klintoniane.
Në tërë këto vite angazhimi politik e profesional më ka ardhur në vëmendje me dhjetëra herë historia e kësaj anekdote elektorale, herë si kuriozitet, herë si burim humori, herë si qortim. Por asnjëherë nuk më ka ardhur në vëmendje, siç më ka ardhur këto ditë, si thirrje.
Këto ditë, kaluar gëzimi/trishtimi i fitores spektakolare të Ramës dhe PS-së, vëmendja e të gjithëve u përqendrua te procesi kryesor opozitar, trajtimi i përgjegjshëm/burracak i humbjes historike, menaxhimi dinjitoz/ i padenjë i errupsionit të pritshëm politik dhe i fateve të lidhura me të. Kronikat e mediave janë plot me “zënkën” e demokratëve dhe “zënkën” e tifozëve mediatikë të tyre. Shtuar zënkën, situata dëshpëruese e PD duket sikur thellohet përditë. Debati duket sikur vjen rrotull temës “pro Bashës, kundër Bashës” dhe nuk del dot në krye:
– Ka faj Basha për humbjen, apo s’ka? Sa faj ka? E ka fajin vetëm, apo me shokë?
– Duhet të jemi me Bashën dhe kundër statutit, me statutin kundër Bashës, apo Basha është statuti?
– Duhet të jemi me Bashën dhe kundër partisë, me partinë kundër Bashës, apo Basha është partia?
– Duhet t’i ndalohet/lejohet Bashës kandidimi? Duhet të kandidojë vetëm, apo me Maqon?
– Duhet të dalë Doktori pro Bashës, duhet të fshihet Doktori pas Bashës, apo duhet të dalë vetë pro dhe të nxjerrë familjen kundër?
– Duhet të fitojë Basha pa votim, apo me votim? Votat duhet të numërohen apo të numërtohen?
– Kandidati kundërshtar i Bashës duhet të votojë për vete apo për Bashën? Po qe se voton për vete, t’i lejohet të votojë apo t’i quhet konflikt interesi?
– Duke rizgjedhur Bashën kryetar, shpëtojmë partinë apo ndëshkojmë partinë?
– Duhet ta rizgjedhim Bashën kryetar për meritë, apo për ndëshkim?
– Pasi ta rizgjedhim me votë plebishitare kryetar, duhet të thërrasim “fitore!”, apo “humbje!”?
Këto janë më së shumti pyetjet e debatit të fortë brenda partiak. Pyetje të rëndësishme, ekzistenciale, që japin zgjidhje, por jo kthjelltësi, mbjellin rezultat, por jo siguri, kanë peshë, por nuk sjellin qetësi, i japin fund debatit, por nuk ngjallin pritshmëri. Më duket se debati demokratikas nuk del dot në krye, sepse, pas çdo pyetjeje, ulërin thirrja klintoniane, dua apo nuk dua unë: dili zot partisë, jo liderit, o i mjerë!
A është e vështirë t’i dalësh zot partisë? Partia është aseti më i çmuar politik i anëtarë- sisë, është investimi i çdo anëtari në politikë, është kapitali i secilit prej tyre. Ky kapital ka vlerë aq sa është vlera elektorale e partisë. Pas 25 qershorit vlera elektorale e PD-së është 28 për qind, më e ulëta që nga themelimi i saj. T’i dalësh zot partisë do të thotë se, kur të vijë radha jote për të vendosur midis opsionit që thellon rënien e kapitalit politik të partisë dhe opsionit që frenon rënien/ sjell ringritjen, të zgjedhësh këtë të dytin. Nëse opsioni mungon, duhet të rezistosh, të refuzosh, të ngresh zërin e të imponohesh derisa të vijë opsioni që ngjall besim. T’i dalësh zot partisë do të thotë të mos pranosh “supën e burgut” që të vënë përpara, sa herë vjen radha që vendimet t’i marrësh ti.
A është e lehtë t’i dalësh zot Partisë? Partia pasqyron fytyrën e anëtarësisë. Kur anëtarësia është kërkuese, parimore, e drejtë, idealiste, e sakrificës dhe altruiste e tillë është dhe partia. Por partia mund të pasqyrojë dhe fytyrën e liderit, kushdo qoftë lideri, sidoqoftë imazhi i tij. Në të gjitha rastet kur partia pasqyron fytyrën e liderit, imazhi i saj është i rrejshëm, partia nuk ka të ardhme. T’i dalësh zot partisë do të thotë të ndalosh liderin që t’i imponohet anëtarësisë, të mbrosh fytyrën e partisë nga tjetërsimi prej liderit, edhe kur për këtë shkak, të duhet të refuzosh liderin.
A është e drejtë t’i dalësh zot partisë? Kryetari i partisë, në marrëveshje me kundërshtarin politik, u doli garant zyrtarisht zgjedhjeve që vetë kishte denoncuar apriori si të shitura. Mori përsipër barrën që asnjë opozitë në botë nuk ia heq nga shpina qeverisë. Kthyer në realitetin e hidhur të procesit, përballë pafuqisë ekstreme të opozitës për të përballuar këtë sipërmarrje dhe pohimit të vetë kryetarit se zgjedhjet iu “blenë”, anëtarësia ka detyrë të mbrohet qoftë nga “gjëma” (tradhtia politike), qoftë nga “proçka” (gomarllëku politik) që i solli peshqesh kryetari me marrëveshjen e padobishme.
A është e mundur t’i dalësh zot partisë? Të duhet vetëm të kuptosh se në sistemet politike europiane lideri nuk ka “privilegjin e sundimit”, por ka “detyrimin e performancës”. Të refuzosh liderin humbës dhe me performancë negative që të të udhëheqë, nuk do të thotë të cenosh të drejtën e individit për të kandiduar, por do të thotë t’i shërbesh interesit më të mirë të anëtarësisë, do të thotë të mbrosh partinë nga rrënimi. Detyrimit për performancë duhet t’i nënshtrohet çdo lider politik në çdo zgjedhje. Liderët duhet të ndërrohen sa herë që humbin, apo nuk arrijnë objektivat, pa sentimente dhe pa kompromise, derisa të lindë lideri fitues, derisa të realizohen objektivat.
Vetëm kështu i dilet zot partisë.
Data 22 korrik është ditë e rëndësishme për PD-në. Në datë 22 korrik partia rikonfirmon liderin. Me votë plebishitare. Do ketë gëzim, hare, entuziazëm. Do ketë dhe mërzi, tulatje apo dëshpërim, por zor se do ketë shpresë. “Bill Klintoni” nuk do shfaqet te PD-ja (nuk pritet në fakt) ndaj, me gjasë, do mungojë thirrja klintoniane “it’s your Party, stupid!”. Me gjasë, demokratëve nuk do t’u hapen sytë, nuk do ringrihen, nuk do lehtësohen, lëvizja nuk do t’i rrëmbejë dhe nuk do shërohen.
Sëmundja vazhdon… Për të kuptuar kaq gjë nuk duhet pritur pa fund “Bill Klintoni”.