Im atë Mahir Domi
100-vjetori i Mahir Domit/ E bija e gjuhëtarit, Etleva, vjen në një rrëfim për kohët me të atin, dhe gjithçka ka mbetur në arkivin Domi/ Si grishi anglezja Margaret Hasluck pasionin për shkrimin te djaloshi atëherë 13-vjeçar…
Nga Alda Bardhyli
- Mahir Domi, i përket asaj sëre filologësh që hulumtoi gjithë format e gjuhës. Në 100-vjetorin e tij të lindjes Akademia e Shkencave e kujtoi me një simpozium ku ish-kolegë, e nxënës të tij sollën përmes kumtesave kontributin e tij në shkencën e gjuhësisë. Prof Jorgo Bulo e quan një historian të letërsisë, duke e nxjerrë përtej lëkurës së gjuhëtarit me të cilin jemi mësuar ta shohim. Etleva Domi, nëndrejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare, dhe bija e tij, e konfirmon këtë teksa tregon për një botim të ri, por të hershëm në kohë… që do t’i bashkëngjitet korpusit të veprave të tij në këtë 100-vjetor. Bëhet fjalë për tekstin ”Letërsi e vjetër shqipe”, botuar nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë i Universitetit të Tiranës në vitet 1959-1969. Më poshtë Etleva vjen në një rrëfim për të atin, jo vetëm si një bijë, por dhe si një njohëse e mirë e letrave…
Kujtimet e para për babanë tuaj ku të çojnë?
Kjo pyetje, që më ngjall emocione të forta, më kthen në kohën e “artë” kur në çdo moment shijoja buzëqeshjen e ëmbël, urtësinë, mençurinë, thjeshtësinë, tolerancën dhe asnjëherë vështrimin qortues të TIJ. Ndihem mjaft mirë kur kujtoj atë kohë të qetë e plot kujtime, – të pashlyeshme në kujtesën time, – që kam kaluar me të. Nga kujtimet e fëmijërisë, sjell ndër mend kënaqësinë, kur ndërkohë që ndiqja çdo ditë me shumë ëndje emisionin e mëngjesit të fëmijëve, në mos gaboj diçka rreth orës 07.00, tringëllonte zilja e postieri na mbushte pragun e derës së apartamentit dy dhoma e një kuzhinë ku banonim (Pallatet e Shallvares) me gazeta e revista, që im atë nuk harronte kurrë të na abononte. Shpenzonte shumë, sa për libra, aq edhe për lodra. Ishte shumë i vëmendshëm ndaj çdo botimi që dilte sipas moshës që fëmijët e tij kishin. Ndër lodrat e shumta, që mbushën fëmijërinë time me argëtime, sjell ndër mend sa “e përkëdhelur” paskam qenë, kur im atë, si dhuratë, kur unë hyra në klasën e parë, krahas çantës të mbushur me sende shkollore, më bëri edhe një projektor së toku me një serial filmash për fëmijë, që unë dhe im vëlla i projektonin në mur, duke e shndërruar jo rrallëherë banesën tonë në “kinema” për fqinjët tanë. Dhe këtë kujdes e vëmendje e tregoi nga dita kur fëmijët e tij u ulën në bankat e shkollës fillore “Kosova” e derisa ata përfunduan studimet e larta. Sa me madhështi festoheshin ditëlindjet në familjen tonë, po aq ceremoniale ishin edhe “Ditët e Shënuara”, – siç i quante ai, – fillimin dhe përmbylljen e vitit shkollor. Marrja e rezultateve (dëftesës) festohej ngaherë në pastiçeri dhe/ose lokale, – ndonëse të pakta për atë kohë, – shoqëruar madje edhe me “Bonuse” prej tij, traditë që e vijoi edhe te nipërit e tij. Edhe tani i kam parasysh librat e shumtë me ilustrime që na sillte nga Kosova, botimet e panumërta për fëmijë nga autorë shqiptarë apo të huaj, fjalorët e larmishëm, që na i mundësonte sa herë që udhëtonte jashtë vendit.
Të pashlyera janë kujtimet e pushimeve verore, të cilat i kemi kaluar kryesisht në plazhin e Durrësit. I pasionuar pas detit, në rininë e tij edhe pas skive (në Grenoble), dhe duke pasur edhe një banesë shumë të nxehtë, na largonte nga Tirana së paku 4 javë, me kujdesin e kahershëm të tij, që në valixhet e çantat tona, krahas sendeve të qejfit të plazhit (topave, raketave, dyshekëve të plazhit, dominove etj.), të na vendoste edhe librat, të përzgjedhura prej tij.
Ishte këmbëngulja e tij, që si unë, ashtu edhe vëllai im, të nisnim mësimin e gjuhëve të huaja që kur ishim ende fëmijë. Zgjodhi fillimisht gjuhën frënge, jo se e njihte mirë vetë atë gjuhë, por, duke qenë frëngjishtja për kohën gjuhë e kulturës, ai mendonte që kështu, ne do të mund të hidhnim hapat drejt bazave të kulturës frënge, duke dëshiruar që të na pajiste me kulturë perëndimore që në fëmijërinë tonë të hershme. Dhe në fakt, nuk ishte e rastësishme, që unë, e ushqyer që në vogëli me rrëfimet e përrallave të La Fontaine-it, – që im atë na i rrëfente në netët e gjata të dimrit, si dhe leximet e botimeve për fëmijë, si: “Liza në botën e çudirave”, “Në familje”, “Pa familje”, “20000 lega nën det”, “Rreth botës për 80 ditë”, “Gavroshi”, “Princi i vogël” etj. etj., bënë që unë të vijoja studimet e larta për Filologji Frënge.
Kujtoj që me Bibliotekën Kombëtare, e cila u kthye në një shtëpi të dytë për të, ka pasur një lidhje tepër të veçantë, jo se ishte anëtar prej shumë vitesh i Këshillit Shkencor të saj, jo se ishte drejtues i Këshillit Kombëtar të Bibliotekave, por se aty ai gjente ushqimin e tij shpirtëror: librat, që nuk i ndau asnjëherë nga dora. Sa u gëzua, kur unë nisa të punoj në institucionin kryesor të librit, – Bibliotekën Kombëtare, – fillimisht si bibliotekare në Sallën Shkencore (Sektori i Informacionit dhe Shërbimit), ku m’u dha mundësia të shfletoja e lexoja shumë, t’ju shërbeja studiuesve shqiptarë dhe të huaj, pedagogëve, – një pjesë e mirë e të cilëve janë tanimë personalitete të kulturës apo politikanë, – duke vijuar më pas si bibliografe në Sektorin e Albanologjisë, ku puna e solli, që unë të përballesha e prekja përditë punimet dhe/ose skedat e kolosëve të albanologjisë, me të cilët isha familjarizuar dhe/ose njohur nga afër që kur isha ende fëmijë, madje prej disave, – që vinin dendur në banesën tonë, – ruaj edhe “dhurata”, të cilat sot më sjellin edhe shumë kujtime. Deri në fund mbeti një anëtar lexues tepër i rregullt e korrekt i saj. Edhe kur i kam shërbyer si punonjëse e sallës shkencore, ai më trajtonte si një nëpunëse e jo si vajza e tij; kërkonte vetë në skedarët manualë, plotësonte vetë fletëkërkesën, pa harruar kurrë të hidhte edhe nënshkrimin në kartelën e tij. Edhe kur një fundjavë iu desh të merrte me vete një libër nga fondi i arkivit shqip, e mbaj mend si tani, një botim të “Vatrës”, ai iu drejtua drejtoreshës së atëhershme për t’i bërë këtë lëshim, privilegj, siç e quajti ai. Dhe që atëherë ky veprim më shërbeu edhe mua si një mësim. I dha shumë kënaqësi ardhja e nipit të parë, Eltonit, në 1988, dhe e të dytit, Noelit, në 1994. Të qenët gjysh ishte një ndjesi e veçantë për të. Kalonte orë të tëra i mbyllur me ta në dhomën e tij të punës; ngaherë i buzëqeshur dhe mjaft i qetë edhe në ato pak raste kur kureshtja fëminore ia ngatërronte letrat e dorëshkruara prej tij. Harrohej kur niste e i tregonte përralla tim biri, se nipin tjetër e pati larg. Por, kënaqësinë më të madhe e kishte kur i lexonte atij pjesë të shkëputura nga revista të ndryshme për fëmijë, pa harruar kurrë leximet e zellshme të vargjeve nga veprat e Rilindësve. Naimin dhe Samiun im bir i nguliti dhe i recitoi pa shkuar ende në shkollë. Nuk shkëputej kurrë nga librat. Lexonte shumë, shumë, shumë. Edhe sot Ai më ka mbetur në mendje ose me libër e laps në dorë duke lexuar ose me stilograf në dorë duke shkruar. E theksoj me laps, sepse e kishte zakon, që kur lexonte, të gjitha shënimet nëpër libra t’i bënte me laps; po kështu vepronte edhe kur kryente korrigjimet e botimeve (libra ose artikuj) të tij. Tryeza e tij e punës ngaherë mbulohej nga libra, dosje e skeda të panumërta. Jeta e tij ishte puna. Edhe ne, -fëmijët e tij, – kështu na edukoi. Modeli i punëtorit të heshtur dhe të palodhur, për të cilin puna fillonte me shkronjë të madhe, – model që e pata kur isha ende fëmijë, – është modeli që vijon të më udhëheqë edhe sot.
Mahir Domi i përket asaj plejade studiuesish që ishin të parët që hodhën bazat e shkencës filologjike në vend. Si një njeri shumë pranë tij, si e sheh sot me syrin e një njeriu të letrave këtë kontribut?
Ashtu siç çdo bijë, që e ka të vështirë të flasë për vlerat e prindit, të konceptojë përmasat e vendit që zë kontributi i tij në kulturën e kombit, të gjykojë për vendin që historia i ka dhënë veprimtarisë së tij, të dallojë njeriun e palodhur që nuk rreshti së punuari, kur një gjë e tillë i kërkohej, vlerësimi i veprës së tim eti nga unë, vajza e tij, nuk do të ishte e zakontë, sepse ai është im atë. Megjithatë, unë mund të rendis disa momente të rëndësishme të jetës së tij, momente që do të ndriçonin sadopak ndikimet në formimin e tij, momente që dëshmojnë për fillesat e interesave të tij filologjike. Ndofta pak vetë e dinë, që ka një ngjarje shumë të hershme në fëmijërinë e tij, që e kujtonte ngaherë. Aty nga viti 1923, jetonte në Elbasan, ku kishte ndërtuar edhe një shtëpi, një angleze që merrej me studime për Shqipërinë. Kjo ishte Margaret Hasluck. Një ditë, ajo shkoi në shkollën ku mësonte edhe im atë, që në atë kohë duhet të ketë qenë në klasën e katërt, dhe u shpërndau nga një fletë nxënësve duke iu kërkuar të shkruanin përralla shqiptare, ashtu siç i dinin t’i rrëfenin ata vetë. Ajo botoi në 1932 librin “Këndime Englisht-shqip”, të përkthyer edhe në anglisht. Midis të tjerave, ajo përzgjodhi për botim edhe përrallën “Kolt e egër”, që pati rrëfyer, shkruar në atë detyrë klase, Mahir Domi, kur ishte vetëm 13 vjeç. Ky, ka qenë, siç tregonte edhe ai vetë, “botimi i parë” dhe pikërisht aty ka filluar edhe interesi i tij për filologjinë.
I përqendruar në botën e librave, me një temperament të mbyllur, jo shumë të hedhur, i ati, tregtar, por arsimdashës, bëri kujdes që t’i krijonte të birit qysh herët mundësinë e kontaktit me botën e letrave dhe të shtypit, duke i siguruar që në vogëli një bibliotekë me libra të rrallë dhe koleksione periodikësh, si dhe duke e abonuar në shumë organe të kohës. Ende i ruaj me shumë fanatizëm edhe sot ato, duke nisur nga gazeta e parë e shtetit të pavarur shqiptar Përlindja e Shqipëniës e shkuar deri te të përkohshmet:Albania, Dituria, Përparimi, Kopshti Letrar, Ylli i mëngjesit, Vllaznia, Përpjekja shqiptare, Dielli, Shqipëria e Re, Zani i ri, Shkolla e re, Hylli i Dritës, Bota e Re, Leka, Minerva, Normalisti etj. etj., si dhe shumë e shumë botime “të ndaluara” të autorëve shqiptarë e të huaj, të cilat im atë mundi t’i ruante duke bërë kujdes, duke “i vendosur” në rreshtin e dytë të bibliotekës, në mënyrë që të mos dukeshin. Kështu e ka zanafillën krijimi i bibliotekës së tij, bibliotekë që u pasurua më vonë me kontributin e tij.
Që në bankat e shkollës e tërhoqi letërsia e gjuha, çfarë bëri që të ndiqte studimet e larta në shkencat filologjike. Kontaktet që pati qysh herët me kulturën e ndritur franceze, me letërsinë e saj mjaft të pasur, idetë e iluministëve francezë, që nga bankat e Liceut Francez të Korçës e deri te studimet e larta për letërsi e gjuhë klasike (greqisht e latinisht) në Fakultetin e Letërsisë të Fakultetit të Grenoble-it (Francë), – ndikuan ndjeshëm si në formimin intelektual ashtu edhe atë shkencor filologjik të tij, madje edhe disertacioni i tij lidhet me një temë të veçantë “Udhëtarët francezë në Shqipëri”, që nuk mundi ta siguronte e botonte, me gjithë përpjekjet e miqve të tij. Kthehet në atdhe me dëshirën për të futur një frymë perëndimore në vendin e tij.
Im atë pati fatin e mirë të jetonte gjatë e të punonte shumë përkrah plejadës së shquar të gjuhëtarëve shqiptarë, si: Xhuvani, Cipo, Çabej, Riza, Demiraj etj. Siç e thotë edhe vetë, Interesimi për shkencën filologjike shqiptare dhe nevojat që kanë dalë, kanë bërë që të merren me objekte dhe disiplina të ndryshme të gjuhësisë. Ndonëse veprimtaria e tij studimore gjuhësore e letrare u shtri në mjaft fusha të dijes, pothuajse në të gjitha shkencat filologjike shqiptare, si në: morfologji, dialektologji, historinë e gjuhës, historinë e albanologjisë, gramatikën historike, leksikografi, terminologji etj., në jetën kushtuar punës, ai njihet, siç është shprehur edhe një ndër bashkëpunëtorët e tij të më të ngushtë, prof. Seit Mansaku, më fort si dekan i studimeve sintaksore të shqipes së sotme. Sintaksa qe fusha e tij e dashur, së cilës iu kushtua gjithë jetën. Numërohen mjaft tekste mësimore, që nisin nga tekstet e shkollave 7 e 8-vjeçare, vijojnë te ato të shkollave të mesme të përgjithshme profesionale (pedagogjike) dhe shkojnë deri te konspekt-leksionet dhe/ose dispensat e shaptilografuara. Edhe ai vetë në një intervistë është shprehur që “Më është dashur të punoj shumë dhe për shumë gjëra. Shkolla shqiptare kishte mungesa të mëdha dhe ne bëmë sa mundëm. Në shumë raste ato (tekstet mësimore) janë ribotuar disa herë dhe është e rëndësishme të them se kanë shërbyer edhe për studimet në Kosovë”.
Në këtë 100-vjetor, gjykoj që ai i përket asaj plejade të punëtorëve të dijes/dijeve që kanë punuar shumë, kanë sakrifikuar shumë, u kanë munguar shumë familjeve të tyre në periudha të vështira apo ngjarje të gëzuara për to, kanë këshilluar e ndihmuar pa u kursyer cilindo, kanë bashkëpunuar çiltërsisht në hartimin dhe/ose botimin e veprave të rëndësishme kolektive duke dhënë ngaherë mesazhet e tolerancës shkencore, kanë organizuar e drejtuar konferenca/kolokiume/kuvende/sesione shkencore, kanë mirëredaktuar punime të pafundme shkencore, kanë shpenzuar shumë kohë edhe për punë organizative, pa refuzuar kurrë përgatitje recensash e oponencash për vepra e disertacione apo pjesëmarrje në komisione a grupe pune, duke qenë ngaherë në shërbim të shoqërisë shqiptare: Shkencës – Arsimit – Kulturës.
Cilin nga librat e tij do të veçoje sot në këtë 100-vjetor?
Këtë e ceka disi më lart. Por, kësaj pyetjeje, ish-studentët, kolegët, bashkëpunëtorë të ngushtë të tij, – të cilët i çmonte dhe i donte aq shumë, – si: Lafe, Mansaku, Hysa, Çeliku, Shkurti, Bulo, Likaj etj., të mbledhur në Akademinë Solemne, – organizuar pak ditë më parë nga Akademia e Shkencave në nderim të 100-vjetorit të lindjes së TIJ, – bënë kujdes që, ndonëse kontributet e tij shkencore shtrihen në disa fusha, si në fushën e studimeve gjuhësore e letrare, ashtu dhe shkollës së lartë, t’i përgjigjen duke veçuar SINTAKSËN/SINTAKSAT. Edhe redaksia e ngritur nga Akademia e Shkencave po punon për botimin e veprës së tij, – e parashikuar të përmblidhet në 7 vëllime, ku 3 vëllimet e para përmbajnë studimet sintaksore të tij. Vëllimi i parë e ka parë tanimë ditën e botimit, falë përkushtimit të pashoq të Hysës, Mansakut, Përnaskës. Nëse ju, në cilësinë e gazetares, do të pyesnit Kush është Mahir Domi? ju siguroj që përgjigjja do të ishte vetëm gjuhëtar. Duke përjashtuar botën shkencore-akademike, në publikun e gjerë nuk i njihet përkushtimi i tij në fushën e letërsisë shqipe apo atë botërore, si dhe hartimin e teksteve shkollore të letërsisë klasike (greko-latine), letërsisë së huaj (Rilindja, Klasicizmi, Iluminizmi, Romantizmi, Realizmi), ndërkohë që në bibliografinë e tij zërat flasin/dëshmojnë për këtë veprimtari, mbetur pak si në hije.
Prandaj, në këtë 100-vjetor do të doja të tërhiqja vëmendjen për një botim, – që siç duket ka qenë sprova e tij e parë për letërsinë, – por, që jo shumë vetë kanë pasur rastin ta kenë përduarsh, pasi ekzemplari nuk gjendet as në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare dhe as në bibliografinë e tij. Ekzemplarin, – të cilin po e përgatis për botim, – e kam gjetur duke gërmuar në bibliotekën e tij.
Flitet për tekstin Letërsinë e vjetër shqipe, 1959 (Dega e Botimeve të Universitetit Shtetëror të Tiranës), i cili në cilësinë e titullarit të lëndës në atë kohë duhet të jetë shtrënguar ta përgatisë për studentët e tij, me siguri në tirazh tepër të kufizuar, çka e ka botuar më vonë me disa ndryshime në veprën Historia e letërsisë shqipe, botuar nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë i Universitetit të Tiranës në vitet 1959-1969, ku ai është një ndër hartuesit dhe redaktorët e veprës.
Cilët nga miqtë e babait do të veçoje?
Miqtë e tij janë miq librash e bibliotekash. Vepra e tij dallohet për bashkautorësi me shumë autorë, si: Xhuvani, Cipo, Çabej, Kostallari, Lafe, Dodbiba, Havjari, Haxhihasani, Spasse, Kastrati etj. Nga të gjithë kujtohet e respektohet si një njeri me virtyte njerëzore të larta. Por, ndër miqtë e tij të zemrës, do të veçoja: Aleks Budën, Eqrem Çabejn, Sterjo Spassen, Qemal Haxhihasanin, me të cilët ka kujtime të shumta, jo vetëm nga bashkëpunime, por edhe udhëtime brenda apo jashtë vendit, pushime familjare, festa familjare, madje deri në punë fizike.
Çfarë ruhet sot në arkivin e tij. Ka dorëshkrime apo studime të pabotuara?
Ai nuk bëri kujdes të linte të dorëshkruara as kujtime, as shënime të shkruara për jetën e tij, por vetëm një mori radhonjsh, ku ka shënuar në mënyrë të përimtuar gjithçka që kryente gjatë ditës. Mendoj nga modestia. Një pjesë të mirë e zë letërkëmbimi me personalitete shqiptare apo albanologë të huaj, nga: Lambertz, Babinger, Desnickaja, Cimochoëski, Georgiev, Todorov, Mihaescu, Schmidt, Thierbach, Knobloch, Hubschmid, Konstantinović, Ŏlberg, Mazon, Boissin, Gsell, Rey, Gutt, Perrot, Rosetti, Jochalas, Svane, Solano, Bellusci, Guzzetta, Pissani te Bulcholz, Ferrari, Altimari, Mindak, Savicka etj., etj., etj., kartolina e letra falënderimi të kosovarëve, – sa herë që ato udhëtonin jashtë vendit të tyre, – të arbëreshëve nga Kalabria e Greqia, të arsimtarëve të shumtë nga Shqipëria, miqtë e ish-studentëve të tij, që meritojnë të përmblidhen në një botim. Në arkivin e tij numërohen në dorëshkrim punime të botuara, por të pajisura me plotësime e shënime nga dora e tij, në ndonjë rast edhe të përpunuara; gjenden të dorëshkruara faqe të tëra për autorët e vjetër, udhëtarët e huaj për gjuhën shqipe; skeda të shumta të vjela për të ilustruar shembuj në punimet e tij; kumtime e leksione në frëngjisht e italisht të mbajtura jashtë vendit; diskutime në mbledhje e redaksi të ndryshme; fotografi me çaste shumë të bukura të regjistruara në mes të miqve e kolegëve të tij, shqiptarë apo të huaj; shënime për studentët që ai ka bërë kujdes t’i ruajë duke i vendosur në një vend të veçantë; dëftesa e diploma të tij.
Si e sheh shkencën filologjike sot?
Zhvillimi i vrullshëm teknologjik ka ndihmuar ndjeshëm edhe në shkencën filologjike me mundësitë e shumta të ofrimit të qasjes në burime të pafundme informacioni, portale apo njësi të digjituara, çfarë i ndihmon studiuesit për hulumtimet e tyre shkencore, si dhe të komunikimit në çdo kohë e nga kudo me kolegët e tyre, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Krahas sfidave të pashmangshme të botës së virtualitetit, me kënaqësi vërehen përpjekje të vijueshme të komunitetit të filologëve. Hapja e shkollave doktorale, botimet shkencore apo enciklopedike, konferencat, tubimet/tryezat e rrumbullakëta e debatet për problemet e mprehta që shtron filologjia sot, flasin për zhvillime të kënaqshme, ndonëse do të duhej të pritej edhe më shumë.
Sa e pengoi sistemi në të cilin jetoi, punën studimore të tij?
Ai i përket atij brezi që jetuan e punuan në disa sisteme/regjime. I përket një armate të rinjsh, që të shkolluar jashtë shtetit (Francë, Austri, Itali etj.) u kthyen në atdhe me dëshirën për të ndryshuar diçka në Shqipëri dhe për të futur një frymë perëndimore në vendin e tyre. Kur kthehet në Shqipëri në qershor të 1941-it nis të japë latinisht në Normalen e Elbasanit (1942-1943). Po them dy fjalë edhe për Domin si patriot e atdhetar. U shqua për idetë demokratike e antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore që kur ishte student në Francë dhe kur erdhi në Shqipëri. Për shkak se u angazhua në veprimtari antifashiste u internua në kampin e përqendrimit të Porto Romanos.
Pas Luftës së Dytë Botërore, veprimtaria e tij, siç duket, ka qenë jo rrallëherë e përcaktuar jo nga interesat e tij vetjake, por e kushtëzuar nga detyrat e ngarkuara në pozicione të ndryshme pune, – ku AI punoi, – paraqitet shumë e gjerë. U tregua i gatshëm jo vetëm të merrte përsipër detyrat e ngarkuara, jo rrallëherë jashtë formimit arsimor të tij, – por edhe të ndihmonte ata që patën nevojë për ndihmën e tij. Puna e tij u shtri në disa sektorë e fusha, duke nisur nga drejtimi i Sektorit të Ekonomisë dhe më pas të Bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qarkut Elbasan (1944-1945), – me këtë rast, dua ta bëj të ditur për ata që ndoshta nuk e dinë, – ka vijuar me drejtimin e Shkollës Normale të Elbasanit (1945-1947) ku jepte edhe gjuhë e letërsi shqipe, për të kaluar me angazhime për hartime planesh, programesh, tekstesh mësimore të letërsisë (shqipe e të huaj) dhe gjuhës kur nisi të punojë si shef i sektorit të shkencave historike-filologjike e më pas të gjuhës e letërsisë në Ministrinë e Arsimit në Tiranë (1947-1950), e shkuar deri te puna e mirëfilltë shkencore kur kaloi në Institutin e Shkencave. Me themelimin e Universitetit të Tiranës më 1957, u ngarkua si përgjegjësi i parë i katedrës së gjuhës shqipe (1957-1962) e më pas detyra e përgjegjësit të sektorit të gramatikës dhe të dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave.
Por, ngaherë, kokulur dhe fjalëpakë ai bëri kujdes të ishte sa më korrekt me administratën shtetërore. Deri në fund mbeti një nëpunës e qytetar i rregullt e korrekt. Bënte shumë kujdes në respektimin e ligjeve, rregullave shtetërore, pasi duke i respektuar ato, – na thoshte dendur, – respekton veten dhe nuk ke telashe me shtetin. Me kurajë intelektuale, shpesh refuzonte detyrat e ngarkuara, heshtazi, duke u tërhequr pa shumë bujë, siç ka qenë edhe rasti i botimit të dytë të Historisë së letërsisë shqipe.Pra, ai jetoi e punoi në kohë të vështira, kohë kthesash historike, në një vend që kërkohej shumë punë e shumë përkushtim për ngritjen e institucioneve arsimore dhe shkencore, përgatitjen e programeve dhe teksteve shkollore, zhvillimin e shkencave albanologjike, përgatitjen e kuadrove të rinj, çka bënë që ai t’u përgjigjej detyrave, nevojave të momentit e të perspektivës me shumë zell dhe ndershmëri. Të gjitha këto angazhime organizative, administrative, pedagogjike, pjesëmarrje në redaksi/komisione të shumta, përgatitje tekstesh/botimesh kolektive, ndofta e penguan që të merrej më shumë me punët/botimet e veta studimore