Ina Rama, si model i poshtërimit të shtetit, jo të gruas
Nga: MENTOR KIKIA
Sali Berishës nuk i ikën lehtë inati. Në fakt atyre anëve, inati dhe hakmarrja lihen me testament kur nuk përmbushen së gjalli. E, meqë Berisha është ende në këmbë dhe plot energji, paçka se çdo ditë e më shumë po i ngjan një njeriu që ka humbur hullinë e logjikës dhe flet përçart, hakmarrjen ndaj Ina Ramës ai po e përmbush vetë. Në seancën e fundit plenare, gratë deputete të Partisë Socialiste e braktisën sallën e parlamentit, duke thënë se do ta bëjnë këtë sa herë të flasë Berisha, një formë proteste ndaj fyerjeve që Berisha u bën femrave, duke pasur parasysh këtu posaçërisht fjalët në adresë së gruas së një ministri dhe ato ndaj ish-prokurores së përgjithshme. Berisha u përpoq të sqarohej, se në rastin e gruas së ministrit, thjeshtë ka cituar atë që i kanë thënë, ndërsa në rastin e ish- prokurores Ina Rama, e ka quajtur lavire, jo si femër, por lavire politike, duke siguruar se do ta thoshte këtë sa herë t’i dilte në shteg. Dhe me këtë logjikë, ai i ishte në rregull me të vetën. Megjithatë, ka një ndryshim të madh mes lëvizjes feministe të grave socialiste në parlament dhe histerisë, të paktën ndaj Ina Ramës, të Sali Berishës. Kjo për faktin se Berisha nuk duhet parë aspak si një ata pleqtë grindavecë e të rrjedhur të lagjeve, që sapo shikojnë një grua të bukur, thonë se kjo është kurvë, meqë është e bukur. Tekefundit Berisha nuk e sulmon Ina Ramën sepse është femër dhe ai dallohet si një burrë i ashpër dhe antifeminist, madje për këtë ai kujdeset vetë që të mos keqkuptohet, ai e pranon publikisht se e sulmon Ina Ramën si “prokurore-lavire”. Berisha inatin pra nuk e ka me Ina Ramën si grua, por me Ina Ramën si prokurore. Dhe inati atij ende nuk i ka ikur pikërisht për arsye që ne i dimë dhe ndoshta nuk i dimë të gjitha. Por, në këtë histori tashmë jo vetëm ordinere, duket se më shumë se fyerjet e Berishës ndaj një gruaje, rëndësi ka fundi i Ina Ramës si një zyrtare e lartë shteti dhe akoma më keq, paralajmërimi i madh që u bëhet atyre që janë në detyrë se çfarë i pret nëse “gërricen” me politikën, e aq më shumë me Berishën. Berisha shpërtheu me tërë histerinë e tij nda Ina Ramës pas protestës se 21 Janarit, kur ajo mbajti një tjetër qëndrim nga versioni zyrtar i Berishës për atë ngjarje. Por Ina Rama kishte dalë nga binarët e kontrollit politik të mazhorancës qeverisë edhe më parë. Jo se bëri namin në luftën kundër korrupsionit, por ajo ishte prokurorja e parë që hapi dosje dhe dërgoi të paktën në gjykatë ministra dhe zyrtarë të lartë qeverie, përfshirë edhe mëkëmbësin e Berishës, Lulzim Basha dhe kryetarin aktual të parlamentit, Ilir Meta. Pasi u prit tërë eufori si Sivlia Konti e “Oktapodit”, Ina Rama u anatemua kur, mesa duket, filloi të merret me personazhet realë të “Oktapodit” shqiptar. Pas përfundimit të mandatit, ajo u la disa vite pa punë dhe të gjithë mekanizmat e shtetit funksionuan në atë mënyrë që ajo të mos gjente asnjë derë hapur, edhe pse ligji ia njihte të drejtën. Inati i Berishës dhe jo vetëm i tij, ishte shndërruar në një lloj mallkimi shtetëror ndaj saj, derisa më në fund ajo hoqi dorë nga kërkesat për të punuar në sistemin e Drejtësisë dhe u mor në punë nga një kompani private. Rasti i Ina Ramës nuk ishte shembulli i sjelljes ordinere ndaj një gruaje, por shembulli i sjelljes mafioze, me gjuhë ordinere, ndaj një ish-funksionari të lartë të Drejtësisë, që kishte tentuar të prekte disa figura të larta të akuzuara për korrupsion. Dhe mallkimi nuk u sul mbi të, bazuar në ndonjë ligj Sherihati, si mbi gruan mëkatare që duhet vrarë me gurë, sepse ka tradhtuar burrin apo ka zbuluar fytyrën dhe këmbët. Mesa duket, Ina Rama kishte mëkatuar në shtetin e korruptuar të Kalifatit shqiptar, nën drejtimin e Kalifit Sali Berisha. Dhe ai mallkim prej “lavireje”, Ina Ramën e ndjek edhe tani, ndërsa punon në zyrën e një kompanie private. Por mallkimi që po ndjek Ina Ramën nuk është thjeshtë për të, por për një prokuror shteti. Dhe, mbi të gjitha, ai është një daulle që bie për këdo që mund të guxojë të ngrejë shpatën kundër pandëshkueshmërisë së korrupsionit. Në kohën kur lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi është çështja më e rëndësishme në rendin e ditës, mazhoranca duhej të kishte treguar vendosmërinë për të vënë në vend jo nderin e Ina Ramës prej gruaje, pasi ato janë punët e saj, por nderin e kryeprokurores së shtetit. Ose të paktën t’i kishte dhënë asaj suportin politik, jo përmes lëvizjeve feministe në parlament, por suportin që i duhet dhënë një prokuroi në kushtet kur ajo bëhet leckë në tempullin e shtetit dhe kur drejtësia e vërtetë po thërritët të dalë në skenë e të marrë në dorë rolin e shpëtimtarit të vendit nga llumi i madh i korrupsionit ku është zhytur.