Ekonomia

Inflacioni i largohet zeros, shtrenjtohen ushqimet (frutat), arsimi, kafeja dhe nafta

Ndryshimi vjetor i inflacionit në maj ishte 0.7%, duke iu larguar niveleve prej 0.2-0.3%, ku ishte luhatur në periudhën shkurt-prill. Megjithatë ai vijon të mbetet poshtë niveleve të vitit të kaluar dhe shumë më ulët se objektivi i inflacionit të shënjestruar prej 3% i Bankës së Shqipërisë, në një reflektim të konsumit të dobët. Gjithsesi, rritja e taksave duket se po “neutralizon” fuqinë e dobët blerëse, duke ndikuar në shtrenjtimin e shërbimeve në bar restorante, apo produkteve ushqimore të përpunuara…

Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Maj 2016, arriti 100,8 % kundrejt muajit Dhjetor 2015 (Dhjetor 2015=100).

Në muajin Maj 2016 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 0,7 % Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,8 %.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit:

Rritja vjetore në muajin Maj është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,83 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,10 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene e restorante” kanë kontribuar me me 0,03 pike përqindje dhe çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me 0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,29 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar -0,11 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,08 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Maj 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4,8 % pasuar nga grupi, “Ushqime dhe pije joalkoolike me 2,3 %, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,6 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 23,2 %, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet“ me 5,2 %, nëngrupi “vajra dhe yndyrna” me 1,4 %, nëngrupi “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 1,2 %. Çmimet e nëngrupeve “bukë e drithëra” dhe “mish” u ulën me nga 1,1 %, pasuar nga nëngrupi “peshk” me 0,2 %.

Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transport” me 4,7 %, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 2,8 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,9 %.

Ndryshimi mujor i indeksit është – 1,2 %. Krahasuar me muajin Prill 2016, ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije alkoolike” me 3,4 %. Brenda grupit të ushqimeve ulja më e madhe e çmimeve vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet” me 18,4 %.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button