Ekonomia

INSTAT: Shkalla e punësimit më e lartë për personat me arsim profesional

Insituti i Statistikave, INSTAT bëri të ditur të mërkurën se gjatë tremujorit të katërt të vitit 2014, numri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç është 1.039.336 persona.

pune1Sipas Anketës së Forcave të Punës, numri i personave të papunë të moshës 15-64 vjeç është 227.407 persona. Në tremujorin e katërt të vitit 2014, bën të ditur INSTAT, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 63,6 %.

Për femrat shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 54,1 % dhe për meshkujt 73,5 %. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ka një rritje të lehtë prej 0,2 pikë përqindje. Ky tregues është rritur për femrat me 1,1 pikë përqindje dhe ka rënë me 0,7 pikë përqindje për meshkujt.

Gjatë tremujorit të katërt 2014, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 44,2 %. Shkalla e punësimit të të rinjve është 29,2 %. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 30-64 vjeç është 74,0 %. Shkalla e punësimit për këtë grup-moshë është 64,5 %.
Gjatë tremujorit të katërt 2014, 41,8 % e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe 22,5 % e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni, ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme).

Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut (administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi shoqëror i detyruar; arsimi; shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale; aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv;
social dhe individual; shërbime në shtëpi; aktivitete të organizmave ndërkombëtare) përbën 17,1 % të punësimit total. Të punësuarit në industrinë përpunuese përbëjnë 9,3 % të të punësuarve gjithsej.

Ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve nga tremujori i tretë në tremujorin e katërt 2014 është 9 % në industrinë përpunuese dhe 1,6 % në ndërtim. Pati rënie të numrit të të punësuarve në aktivitetet bujqësore prej 3,1 % dhe në industrinë nxjerrëse, energjisë dhe ujit prej 4,3 %. Në terma vjetorë, punësimi u rrit me 8,5 % (krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013). Industria përpunuese, aktivitetet e shërbimeve të tregut dhe sektori i ndërtimit patën rritjen më të madhe të të punësuarve me përkatësisht 27,4 %, 14,8 % dhe 14,6 %.
Gjatë tremujorit të katërt 2014, pesha që zënë në punësimin total të punësuarit me pagë është 42,3 %. Të vetë-punësuarit (punëdhënës ose të vetë-punësuar pa të punësuar të tjerë me pagë) përbëjnë 27,5 % të të punësuarve në tërësi, ndërsa punëtorët pa pagesë të familjes përbëjnë 30,2 % të punësimit total.

Shkalla e punësimit (grup-mosha 15-64 vjeç) është më e lartë për të punësuarit me arsim profesional (65,5 %), pasuar nga ata me arsim të lartë (64,9 %). Të dhënat tregojnë se përqindja e të punësuarve me pagë është më e lartë për personat me arsim të lartë dhe e kundërta vërehet tek të punësuarit me arsim 8/9 vjeçar ku mbizotërojnë punëtorët pa pagesë të familjes. Po të analizojmë të punësuarit me arsim të mesëm, shkalla e punësimit është më e lartë për personat me arsim të mesëm profesional krahasuar me personat që kanë kryer shkollën e mesme të përgjithshme, përkatësisht 65,5 dhe 45,5 %.

Një në pesë të punësuar të grup-moshës 15-64 vjeç me arsim 8/9 vjeçar janë të punësuar me pagë, afro gjysma janë punëtorë pa pagesë të familjes, dhe një e treta e tyre janë të vetë-punësuar. Pesha që zënë të punësuarit me pagë rritet me rritjen e nivelit arsimor. Nga të punësuarit me arsim të lartë 86,7 % janë të punësuar me pagë dhe vetëm 3 % janë të punësuar si punëtorë pa pagesë të familjes. Tek të punësuarit me arsim të mesëm profesional dhe me arsim të mesëm të përgjithshëm përqindjet që zënë të punësuarit me pagë janë përkatësisht 48,2 dhe 49 %.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button