Institucionet kulturore në Shqipëri duhet të dalin nga lokalizmat
Me Adela Demetjan, kuratoren shqiptare në edicionin e tretë të Bienales D-0 Ark Undergraund në Konjic në Bosnjë/ Ndërtimi i një koncepti alternativ për të kthyer në art periudhën e Luftës së Ftohtë… Javët në Bunkerin e Titos dhe si e sheh skenën artistike në vend
Do të doja të jetoja në Shqipëri, por është e pamundur të sigurosh jetesën në fushën në të cilën punoj. Vështirësitë janë të shumta, sepse përballemi përditë me një mospërfillje të vazhdueshme dhe me një mungesë të interesit të vërtetë për impaktin afatgjatë që mund të ketë arti në shoqërinë tonë.
Nga Alda Bardhyli
Për Adela Demetjan, koha e Luftës së Ftohtë vazhdon të jetë një grishje jo vetëm historike. Për më shumë se një muaj, ajo u mor me konceptin artistik që 24 artistë nga vende të ndryshme të botës i kishin dhënë konceptit të sivjetshëm kuratorial të Bienales D-O Ark Undergraund që u mbajt në ish-bunkerin antiatomik ndërtuar nga ish- udhëheqësi jugosllav, Josif Broz Tito. Një rindërtim alternativ i një teksti kuratorial që kërkonte të sillte qasjet estetike të artistëve ndaj kësaj periudhe. Me një jetë mes Frankfurtit dhe Tiranës, Demetja është profili i artistes së sotme në Shqipëri, në kërkim të hapësirave që do ta mbajnë ende gjallë, sfidën e lindur herët bashkë me pasionin për të bashkëjetuar me artin…
Si vjen bunkeri në kujtesën tënde…?
Bunkeri Antiatomik i Titos i ndërtuar përgjatë viteve ’50-’70, është një nga ndërtesat karakteristike të Luftës së Ftohtë. Bunkerë të tillë i gjejmë në vende të ndryshme të botës, të cilët ndajnë specifika të ngjashme, një nga këto është dhe Bunkeri pranë Tiranës.
Bunkeri D-0 Ark me vendndodhje në Konijc të Bosnjë-Hercegovinës, është impresionues për nga madhësia, ku vetëm zona e projektuar për t’u banuar përfshin 6.000 metra katrorë, si dhe nga pajisja me të gjitha aparaturat, mjetet dhe kushtet që do të shërbenin për një mbijetesë të 300 banorëve për rreth 6 muaj. Dy janë gjërat që më kanë lënë mbresa më shumë gjatë çdo vizite në bunker. E para është natyra e mrekullueshme që rrethon vendin ku është ndërtuar bunkeri, me lumin Neretva që i kalon pranë ndërtesës, si dhe malet dhe pyjet që e rrethojnë atë. Duke krijuar një kontrast të jashtëzakonshëm ndërmjet peizazhit të jashtëm dhe ambientit të brendshëm të bunkerit. Është një nga momentet ku ajo që ka ndërtuar natyra me atë që ka ndërtuar njeriu, shfaqen me një kontrast ekstrem pranë njëra-tjetrës. E dyta është fakti që gjatë vizitës së parë në objekt, por edhe sa herë jam rikthyer aty, një nga pyetjet që më ka përcjellë ishte; nëse projektuesit e Bunkerit, me të vërtetë mendonin se do t’i mbijetonin bombës atomike ndërkohë që popullata dhe natyra përreth do të shkatërroheshin krejtësisht?! Pra ky bunker vjen në kujtesën time si një objekt paradoksal që është njëkohësisht vend shpëtimi, por edhe vend izolimi.
Një kuratore nga Shqipëria e bunkerëve në bunkerin e Titos… ç’ndjesi ju jep?
Të qenët shqiptare në bunkerin e Titos nuk më jep ndonjë ndjesi të veçantë. Ajo që më emocionon më shumë është fakti që në këtë periudhë të jetës, të jem e ftuar për të kuruar një projekt të veçantë dhe që në specifikën e tij, ngelet një sipërmarrje që ndodh një herë në jetë. Kur mora ftesën për të bashkëkuruar këtë edicion, për të parën herë m’u materializuan qartësisht mundësitë që mund të krijojë dhe nxisë arti bashkëkohor. Është një fushë në të cilën gjëra të pamundura bëhen të mundura, çështje që nuk mund të përpunohen në fushën politike, sociale, ekonomike, etj., mund të gjejnë mundësi zhvillimi dhe shprehjeje në fushën e artit bashkëkohor. Kush do ta kishte menduar që ky bunker gati 40 vjet pas përfundimit të tij do kthehej në një muze hibrid ushtarako-artistik? Dhe që unë, një kuratore që pothuajse nuk e ka përjetuar në mënyrë të ndërgjegjshme Luftën e Ftohtë në bashkëpunim me dy kuratorët austriakë (Margarethe Markovec dhe Anton Lederer) do të kishim mundësi të projektonim edicionin e tretë të Bienales? Në këtë mënyrë bëhet e dukshme fuqia e artit dhe mundësitë që kjo fushë ofron, si rrjedhojë ne si kuratorë besojmë në potencialin që arti ka për të imagjinuar një botë më të mirë, për këtë arsye titulli qendror i edicionit të këtij viti është “Another world is possible”
Pse zgjodhët këtë koncept kuratorial? Si është të rindërtosh historinë përmes artit?
Për këtë edicion, koncepti kuratorial bazohet në leximin alternativ të periudhës së Luftës së Ftohtë. Dy edicionet e para të Bienales fokusohen në konfliktin politik, ekonomik dhe ideologjik midis Lindjes dhe Perëndimit dhe shumë prej veprave e trajtojnë me imtësi këtë marrëdhënie. Koncepti i sivjetshëm merr si pikënisje të gjitha lëvizjet alternative shoqërore, sociale, ekologjike që u zhvilluan paralelisht dhe si kundërvënie ndaj konfliktit politik dhe ideologjik gjatë Lssuftës së Ftohtë. Lëvizjet alternative si për shembull ajo për paqe dhe kundër luftës që u zhvilluan në SHBA si rezultat i përfshirjes në luftën e Vietnamit; lëvizja antinukleare që pati zhvillim më të fuqishëm duke filluar nga vitet 1970 në Gjermaninë Perëndimore, lëvizje kjo që shkon përkrah me lëvizjen ambientaliste dhe ekologjike që po ashtu patën fillimin e tyre në të njëjtën periudhë. Slogani Flower Power u kthye në simbol të lëvizjeve që kishin për thelb ideologjinë jo violente dhe rezistencën pasive kundër luftës. Lëvizja Hippi po ashtu që u përhap në vende të ndryshme të botës, në të cilën luante një rol të rëndësishme muzika, e quajtur ndryshe dhe lëvizje kundër-kulturore, pati një ndikim të rëndësishëm në shoqëri dhe ndryshoi rrënjësisht mënyrën e të jetuarit të një brezi të tërë. Ndërkohë që lëvizjet emancipuese dhe antiautoritare dhe protestat e vitit 1968 pothuajse të shpërndara në të gjithë botën, luajtën rol të rëndësishëm dhe provokuan debate të fuqishme në skenën politike në shtete si Gjermania, Çekosllovakia dhe Jugosllavia. Rëndësia e revolucionit seksual dhe lëvizjet feministe të pas Luftës së Dytë Botërore luajnë gjithashtu rol të rëndësishëm në rileximin historik të periudhës së Luftës së Ftohtë. Alternativat dhe mundësitë janë pikënisja jonë historike për këtë edicion, ajo që na intereson më shumë është se si këto lëvizje paralele kanë ndikuar dhe në të tashmen dhe si këto modele mund të përcillen dhe në të ardhmen. Ndërkohë që një fokus të veçantë në këtë edicion ka dhe marrëdhënia njeri, natyrë dhe teknologji.
Duke u ndalur tek edicioni i tretë i Bienales… Si ishte perceptimi i punëve pjesëmarrëse mbi historinë.. çfarë kishte provokuar më shumë tek artistët pjesëmarrës në këtë edicion?
Në këtë edicion, ku marrin pjesë 24 artistë, shumica e tyre janë ftuar të krijojnë punë specifike për këtë projekt, ndërkohë disa nga artistët marrin pjesë me punë ekzistuese. Duhet përmendur fakti që në ndryshim me Bienalet e tjera, ky projekt është i veçantë pasi të gjitha veprat mbeten të ekspozuara në bunker dhe bëhen pjesë e koleksionit të përhershëm të artit. Me kontributin e edicionit të tretë rreth 90 vepra arti përbëjnë këtë koleksion, një nga më të rëndësishmit tashmë në rajon dhe në Europë. Sigurisht që bunkeri, infrastruktura dhe ajo që kjo ndërtesë përfaqëson është impresionues për shumë nga artistët. Pothuajse të gjithë artistët janë ftuar paraprakisht të vizitojnë hapësirën për të krijuar një ide rreth ambientit. Secili prej artistëve të zgjedhur mbart me vete historinë dhe interesat e tij, të cilat duke u përballur me ambientin e bunkerit kanë rezultuar në vepra arti specifike shumë interesante. Për shembull, artistja Adela Jusic nga Bosnja, në punën e saj “Here come the Women”, fokusohet në krijimin e një narrative mbi Frontin Antifashist të Grave, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për rindërtimin e ish-Jugosllavisë, por që në vitin 1953, ky front u shkatërrua nga Fronti Popullor. Artisti italian Leone Contini, fokusohet në projektin e tij “Inhabitants-Pilot study”, në vizualizimin e botës së padukshme të gjallesave që jetojnë në bunker prej vitesh dhe që do të ekzistonin në kundërshtim me izolimin paranoik që përfaqësonte bunkeri. Po ashtu, i fokusuar në vëzhgimin dhe përcjelljen e mikro dhe makrokozmoseve, është fokusuar në punën e tij dhe artisti Danez Tue Greenfort i cili paraqitet në Bienale me punën “Microcosmos”, që përmban një ekosistem të mbyllur në një shishe plastike që prej vitit 2009, në brendësi të të cilit janë zhvilluar dhe zhdukur gjallesa të ndryshme. “Neretva” është seria e fotografive polaroid që artisti ka zhvilluar përgjatë lumit me të njëjtin emër, i cili është lumi më i gjatë në Bosnjë dhe dallohet për ekosistemin, florë dhe faunë të larmishme, ekzistenca e të cilave po kanoset gjithmonë e më tej nga zhvillimet ekonomike dhe ndotja. Artistja anglo-gjermane Anna McCarthy prezanton një pjesë të arkivit “How to start a revolucion”, një projekt që tashmë ajo e zhvillon prej disa vitesh dhe ku tematizohet estetizimi dhe romanticizimi i rebelimit dhe revolucionit në ditët e sotme.
Këto janë disa nga shembujt e punëve të përzgjedhura prej nesh dhe të punëve të cilat artistët zhvilluan duke ndjekur ftesën dhe konceptin kuratorial.
Pasqyrat e Helidon Gjergjit, një instalacion që i bënte njerëzit të ndaleshin gjatë në hyrje të Bienales, dukej sikur ishte një ftesë për ta parë të shkuarën qartë, pa u trembur, si përpara një pasqyre…Duhet përballja me të shkuarën?
Puna e Helidon Gjerjit, po ashtu një instalacion i realizuar specifikisht për hapësirën ku ekspozohet, është vendosur në tunelin prej ku mund të hysh dhe të dalësh prej bunkerit. Një korridor pasqyrash që e shumëfishon hapësirën fizike në një fiksion të pafund duke zhdukur në dukje të gjitha kufizimet hapësinore. Ndërkohë që çdo kalimtar bëhet pjesë e këtij pasqyrimi të pafund, trupi i tij reflektohet i ndërthurur me slogane si “Eternity”, “Unreal”, “Balance of Power”, “Civilization V” etj. Këto janë vetëm disa prej titujve të qindra lojërave kompjuterike që janë zhvilluar duke pasur si kontekst Luftën e Ftohtë. Ndërkohë që kjo punë nga njëra anë reflekton mbi ekonominë e luftës, nga ana tjetër bëhet një pasqyrë jo vetëm e luftërave të shkuara, por në veçantinë e luftërave bashkëkohore, të cilat me ndihmën e teknologjisë zhvillohen në mënyrë të ngjashme me lojërat kompjuterike, duke u distancuar frikshëm nga realiteti. Përballja me të kaluarën është më se e domosdoshme për një të tashme dhe të ardhme të shëndetshme, por janë të shumtë elementet që duhen marrë parasysh në përballjen me të. Të qëndrosh para pasqyrës pa pyetjet e duhura nuk mjafton.
Si qëndrojnë punët e artistëve shqiptarë në këtë Bienale, përballë artistë të tjerë që vijnë nga Serbia, Kroacia apo Anglia… ?
Duke marrë parasysh që kjo Bienale ka të veçantë faktin që funksionon si një strategji për ngritjen e një muzeu hibrid ushtarako-artistik që do të përmbajë një koleksion unik të artit bashkëkohor, prania e artistëve shqiptarë është e rëndësishme. Kemi përzgjedhur tre artistë të cilët përgjatë viteve kanë kërkuar dhe zhvilluar sistematikisht mbi tema të cilat kanë një rëndësi të caktuar kundrejt zhvillimeve artistike në vendin tonë. Alketa Ramaj sistematikisht në punën e saj ka eksploruar marrëdhënien midis privates dhe politikës. Punët e saj me karakter intim bëhen mbartëse të temave madhore. Për Edicioni e tretë të Bienales, ajo ka zhvilluar instalacionin me neon “Lindje perëndim lindje”, shkrim i cili në thjeshtësinë e tij përmban njërin prej cikleve më bazë të jetës. Gjithashtu kuptimi i shumëfishtë në gjuhën shqipe i dhuron punës disa dimensione, duke bërë të mundur leximin e saj si nga ana politike, po ashtu dhe nga ajo natyrore. Dritan Hyska, prej vitesh në punën e tij, është fokusuar në dokumentimin me anë të fotografisë të zhvillimeve arkitekturore në vendin tonë, si pasqyrë e zhvillimeve politike, sociale dhe ekonomike në vend. “Shtëpi për dy vëllezër” është një prej serive më koncize dhe impresionuese të artistit. Me dokumentimin e tipologjisë së këtyre ndërtesave, artisti njëkohësisht bën të dukshëm lirinë dhe personalizimin e arkitekturës me anë të kapitalit dhe, nga ana tjetër, zhgënjen peng të shoqërisë në konstelacione dhe struktura shoqërore e familjare të trashëguara nga e kaluara.
Arti dhe historia…duket sikur kjo e fundit do të mbetet një ushqim që nuk mbaron?
Mendoj që do të ketë gjithmonë artistë që do përpunojnë, reflektojnë, paraqesin ngjarje historike në punën e tyre. Kjo është një temë që më ka interesuar gjithmonë dhe me të cilën jam marrë si në punën kuratoriale, po ashtu dhe në mënyrë akademike. Dimë se arti dhe fuqia e tij është përdorur shpeshherë në të shkruarën dhe të tashmen nga politika dhe pushteti, për të propaganduar dhe për të ndërtuar konstrukte të tëra historike. Prandaj edhe është e rëndësishme që artistët të punojnë dhe të përpunojnë historinë, por po kaq e rëndësishme është të ngrihen gjithmonë pyetjet “Kush i tregon kujt, çfarë dhe si?”, – siç sugjeron akademikja Gertrud Koch kur bëhet fjalë për përshfaqjet historike në art.
Keni zgjedhur të jetoni në Frankfurt dhe jo në Tiranë… Si e shihni skenën e artit bashkëkohor në vend?
Unë jetoj pjesërisht edhe në Frankfurt, edhe Tiranë. Në Tiranë vij më shpesh për aktivitetet që organizoj me Tirana Art Lab, institucion i pavarur, i cili ekziston prej 5 vjetësh, dhe me të cilin kemi filluar një program sistematik, ekspozitash, prezantimesh e publikimesh. Do doja të jetoja në Shqipëri, por është e pamundur të sigurosh jetesën në fushën në të cilën operoj. Vështirësitë janë të shumta, sepse përballemi përditë me një mospërfillje të vazhdueshme dhe me një mungesë të interesit të vërtetë për impaktin afatgjatë që mund të ketë arti në shoqërinë tonë. Në shumicën e rasteve, politikëbërsit janë të interesuar në ngjarje dhe në numra, jo në impaktin afatgjatë që ka arti. Në Shqipëri mungojnë hapësirat dhe mundësitë për produksione të reja, si dhe mungon mbështetja e debatit dhe e ngjarjeve që bazohen në proces. Këto janë të gjitha pika thelbësore, të cilat ne mundohemi t’i ndjekim me anë të aktiviteteve tona në Tirana Art Lab. Më vjen njëkohësisht mirë dhe keq për faktin që një institucion si i yni e ka rezonancën më të madhe përtej kufijve dhe vlerësohet dhe mbështetet më fort në skenën internacionale se sa atë vendase. Tashmë kemi arritur në një fazë ku institucione artistike serioze në vend duhet të dalin nga lokalizmat dhe të jenë në gjendje të artikulohen në mënyrë universale dhe të kontribuojnë me punën e tyre në debatet aktuale në skenën ndërkombëtare.