Integrimi në BE, Steinmeier: Shqipëria, hapa vendimtare përpara
Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, në prag të vizitës që pritet të zhvillojë në vendin tonë si pjesë e turit në Ballkan, u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa vendimtare përpara sa i takon integrimit europian.
Në një intervistë ekskluzive me DW, Steinmeier foli në lidhje me synimet e vizitës së tij në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se udhëtimi im synon pikërisht të sinjalizojë se Ballkani Perëndimor nuk është aspak i lënë në harresë.
“Natyrisht, ne kemi patur edhe debate me kolege dhe kolegë nga Ballkani Perëndimor, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre se mos dëshira e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të trajtohet ndoshta më shpejt se të gjitha kandidaturat e tjera të bëra nga vendet e Ballkanit Perëndimor. E kuptoj padurimin, por si shumë të tjerë, edhe unë do t’u siguroj se Ballkani Perëndimor nuk është aspak i harruar. Dhe udhëtimi në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri shërben gjithashtu për të dërguar mesazhin për të gjithë rajonin: Nëse do të bëjnë progresin përkatës në vendet e tyre, atëherë edhe rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të bëhet më e menaxhueshme”, u shpreh presidenti gjerman.
I pyetur në lidhje me faktin se BE-ja nuk ka një plan kohor për Ballkanin Perëndimor, Steinmeier theksoi se “kjo varet nga vullneti i brendshëm për t’u reformuar dhe nga gatishmëria për t’i zbatuar realisht reformat”.
“Por sot ne mund të argumentojmë edhe ndryshe karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor. Sepse, për shembull, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë hapa vendimtare përpara. Kjo forcon vetëbesimin në këto vende dhe gjithashtu ua bën të qartë të tjerëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, se ky hap ia vlen. Dhe, të mos harrojmë se, përtej çështjes së anëtarësimit në kuptimin e ngushtë të fjalës, edhe gjatë këtij rrugëtimi shënohen përparime. Në Berlin filloi shumë vite më parë Procesi i Ballkanit Perëndimor. Siç më kujtohet, ka qenë shumë e vështirë në fillim. Por, duke pasur parasysh samitin e fundit, atëherë mendoj se udhëtimi me letërnjoftime, njohja reciproke e diplomave shkollore dhe universitare, gatishmëria e evropianëve për të ndihmuar në rritjen e çmimit të energjisë, janë përparime domethënëse. Pra, e kuptoj padurimin, pa diskutim. Por nuk jemi as në fazën kur duhet të flasim për shkurajim. Jo vetëm për shkak të Ukrainës, sepse ne të gjithë jemi duke mbajtur një sy nga Ballkani Perëndimor, por edhe sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ku ka hapa përpara”, tha ai.
I pyetur për qëndrimet e vendeve të Ballkanit ndaj luftës në Ukrainë, ai tha se kjo është një nga arsyet, pse ndodhet në rajon tani.
“Sepse dua të krijoj një përshtypje për atmosferën e atjeshme. Dhe mendoj se me siguri do të marrim një pamje të përgjithshme për atmosferën. Që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria jo vetëm dëshmojnë solidariteti me Ukrainën, jo vetëm demonstrojnë qëndrim të përbashkët, për shembull, në rritjen e presionit ekonomik ndaj Rusisë, por edhe përmbushin detyrimet e tyre brenda NATO-s, veç kësaj, Shqipëria përfaqësohet edhe jashtë NATO-s, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, mendoj se meriton njohje dhe respekt. Por kjo është diçka që duhet të nxisë vetëbesimin në këto vende. Nëse është kështu, sigurisht që këtë do ta shoh gjatë udhëtimit tim. Dhe sa i përket Serbisë, pra pyetjes suaj të dytë, ne po mundohemi ta bindim Serbinë se rruga që po bën Serbia tani, ngre pyetje rreth seriozitetit, me të cilin ajo po bën rrugëtimin e saj në drejtim të BE-së. Kam gati 20 vjet që ndjek rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian dhe kam qenë shpesh në Serbi. Jam i sigurt se njerëzit në Serbi nuk duan të qëndrojnë prapa dëshirës, që vjen edhe nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor për t’iu afruar Bashkimit Evropian e për t’u bërë dikur anëtarë të tij. Në këtë aspekt, unë mund të shpresoj dhe do të vazhdoj të përpiqem ta bind lidershipin politik në Serbi që të ndjekë këtë rrugë pa mëdyshje”, vuri në dukje presidenti gjerman.