Interviste/Heqja e vizave ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë do çlirojë potencialin e madh të bashkëpunimit turistik
Këto ditë u nënshkrua marrëveshja për heqjen reciproke të vizave ndërmjet Shqipërisë e Kinës nga ju dhe zëvendësministrja e Jashtme shqiptare Megi Fino. Kur do të hyjë në fuqi kjo marrëveshje dhe sa pritet të ndikojë ajo në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve?
Ambasadori Zhou Ding: Më 16 janar, unë, si përfaqësues i qeverisë kineze, dhe zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Megi Fino, në emër të qeverisë shqiptare, firmosëm zyrtarisht marrëveshjen e heqjes reciproke të vizave. Ndihem shumë i nderuar që pata mundësi të marr pjesë në këtë ngjarje historike. Në vitin 2018, qeveria shqiptare zbatoi në mënyrë të njëanshme politikën e heqjes së vizave për shtetasit kinezë gjatë sezonit turistik dhe në fund të vitit 2019 filloi politika e heqjes së vizave gjatë gjithë vitit. Që atëherë, të dyja palët kanë komunikuar për nënshkrimin e marrëveshjes së ndërsjellë të përjashtimit të vizave. Në tetor 2021, këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i atëhershëm i Kinës Wang Yi vizitoi Shqipërinë, gjë që i dha një shtysë të re thellimit të shkëmbimeve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha të ndryshme. Për më shumë se një vit, Kina dhe Shqipëria kanë mbajtur komunikim dhe koordinim të ngushtë dhe më në fund e kanë bërë realitet nënshkrimin e marrëveshjes reciproke të heqjes së vizave. Marrëveshja do të hyjë në fuqi pasi të dyja palët të përfundojnë procedurat përkatëse.
Vlen të theksohet se realizimi i heqjes së plotë të vizave ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë do të çlirojë më tej potencialin e madh të bashkëpunimit turistik midis dy vendeve. Shqipëria ka pamje piktoreske, një klimë të këndshme dhe shumë objekte të trashëgimisë kulturore botërore, ndaj ka burime unike turistike. Me përmirësimin e situatës së COVID-19 në mbarë botën, besohet se më shumë turistë kinezë do të vizitojnë Shqipërinë dhe do të japin kontribut më të madh në rimëkëmbjen e industrisë së turizmit dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, besoj se gjithnjë e më shumë miq shqiptarë do të udhëtojnë drejt Kinës.
Gjatë vitit 2022, ju z. Ambasador keni bërë shumë punë për të nxitur zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në rrjetet sociale shohim se keni një agjendë të pasur takimesh nëpër Shqipëri. Ju lutem, na flitni shkurtimisht lidhur me zhvillimin e tanishëm të marrëdhënieve kino-shqiptare.
Ambasadori Zhou Ding: Në vitin 2022, marrëdhëniet Kinë-Shqipëri kanë ruajtur një vrull zhvillimi të shëndetshëm. Liderët e të dy vendeve kanë mbajtur komunikim të mirë dhe kanë zhvilluar shkëmbime të shumta. Një delegacion i nivelit të lartë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës e ka vizituar dy herë Shqipërinë. Shkëmbimet dypalëshe po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme. Në 11 muajt e parë të vitit të kaluar, vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe Shqipërisë arriti në 682 milionë dollarë, me një rritje prej 15.24 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Kina vazhdon të jetë partnerja kryesore tregtare e Shqipërisë. Krahas marrëveshjes së heqjes reciproke të vizave Kinë-Shqipëri të saponënshkruar, të dyja palët po promovojnë edhe negociimin dhe nënshkrimin e dokumenteve të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe turizmit midis Kinës dhe Shqipërisë.
Vlen të theksohet se në fund të shtatorit të vitit të kaluar, ambasada bashkorganizoi me sukses një sërë aktivitetesh për “Javën e kulturës kineze” me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë dhe Bashkinë e Tiranës, duke u ofruar miqve shqiptarë pasurinë dhe përvojën e larmishme të kulturës kineze, duke u mirëpritur nga miqtë shqiptarë dhe duke promovuar më tej shkëmbimet njerëzore dhe lidhjen e zemrave mes të dy popujve. Shumë skena prekëse mbeten ende në mendjen time, gjë që më mbush plot me besim për të ardhmen e marrëdhënieve kino-shqiptare.
Në vitin e kaluar, duke mbajtur ndërveprim të ngushtë me drejtuesit shqiptarë dhe departamente të ndryshme qeveritare, kam vizituar gjithashtu shumë qytete shqiptare dhe kam shkuar në universitete, ndërmarrje, lagje të ndryshme etj., duke ndërvepruar me njerëz nga të gjitha sferat e jetës dhe duke promovuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme. Në emër të ambasadës u kam dhuruar shumë herë gjëra të përdorimit të përditshëm grupeve të pafavorizuara vendore dhe institucioneve të mirëqenies, duke demonstruar miqësinë e popullit kinez për popullin shqiptar.
Në vitin 2023, ambasada kineze do të vazhdojë të mbajë komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë me të gjitha sferat e jetës në Shqipëri dhe të punojë së bashku për të nxitur zhvillimin më të mirë dhe më të shpejtë të marrëdhënieve dypalëshe, në mënyrë që të përfitojnë të dy vendet dhe të dy popujt.
Jemi në prag të Festës së Pranverës, apo Vitit të Ri Kinez, që e gjen Kinën me lehtësim të masave anti-COVID, kthim në normalitet dhe hapje. Cili është mesazhi juaj për popullin shqiptar me rastin e kësaj feste kaq popullore në Kinë dhe jashtë saj?
Ambasadori Zhou Ding: Në vitin 2022, ekonomia e Kinës e kapërceu ndikimin e epidemisë dhe u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. PBB-ja vjetore i kaloi 120 trilionë juanët, me një rritje prej 3%, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në stabilizimin e ekonomisë botërore dhe zhvillimin e tregtisë globale. Bazuar në analizat dhe gjykimet shkencore dhe racionale, qeveria kineze optimizoi dhe rregulloi masat e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë në fund të vitit të kaluar. Aktualisht, shumë provinca dhe qytete në Kinë e kanë kaluar kulmin e epidemisë dhe kthimi në normalitet i prodhimit dhe jetës është përshpejtuar. Besohet se gjallëria ekonomike dhe shoqërore e Kinës do të çlirohet plotësisht në vitin e ri dhe roli i saj si një “stabilizues” i rimëkëmbjes ekonomike botërore dhe një “motor” i rritjes do të theksohet më tej, gjë që do të ofrojë mundësi të reja për bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella kino-shqiptar. Në vitin e ri, Kina do të vazhdojë t’i përmbahet politikës së jashtme të pavarur paqësore dhe do të vijojë të jetë ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese në zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar.
Pas pak ditësh do të hyjmë në Vitin e Ri Hënor të Lepurit. Në kulturën tradicionale kineze, “lepuri” simbolizon mirësinë, pastërtinë e ndjeshmërinë dhe paralajmëron shëndetin, bukurinë dhe shpresën. Në këtë moment të bukur, në emër të ambasadës kineze në Shqipëri, dëshiroj t’u uroj të gjithë miqve shqiptarë një Vit të Ri Kinez dhe Vit të Lepurit të mbarë!
Kina shteti qe perhapi covid-19 tani mos po ja kini besen shume