Ekonomia

Investimet e Huaja Direkte arritën në gati 1.1 miliardë euro për 9 muaj

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte arriti vlerën e 404 milionë eurove, në rritje me 15.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Investimet e Huaja Direkte këtë vit po regjistrojnë nivelet më të larta historike. Për 9-mujorin 2023, vlera progresive e Investimeve të Huaja Direkte arriti në 1 miliardë e 88 milionë euro, shifër kjo 10.6% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Detajimi i plotë i Investimeve të Huaja Direkte sipas sektorëve nuk është ende i disponueshëm.

Megjithatë, sipas informacionit paraprak nga Banka e Shqipërisë, gjatë tremujorit të tretë 2023, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 23%, sektorin e hidrokarbureve, në masën 15%, sektorin e energjetikës, në masën 14%, si dhe ndërmjetësimit financiar, në masën 10%.

Edhe gjatë tremujorit të tretë, rritja e investimeve të huaja u nda pothuajse në masë të barabartë midis flukseve të reja dhe fitimeve të riinvestuara të ndërmarrjeve ekzistuese.

Kontributi kryesor në rritje erdhi nga investimet e kapitalit të ri, që arritën në 214 milionë euro, 41% më shumë krahasuar me në tremujorin e tretë të 2022. Ndërkohë që, kategoria fitimi i riinvestuar arriti në 201 milionë euro, në rritje me 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, fitimet e rinvestuara kanë një epërsi në strukturën e investimeve të huaja për të gjithë 9-mujorin. Në 9 muaj, ndërmarrjet me aksionerë të huaj kanë riinvestuar fitime në vlerën e 575 milionë eurove, ose sa 53% e investimeve të huaja direkte gjatë kësaj periudhe.

Pesha e lartë e fitimeve të riivestuara është tipike sidomos për sektorët e industrisë nxjerrëse apo të shërbimeve financiare, që kërkojnë flukse të vazhdueshme të investimeve të reja për të mbështetur rritjen e biznesit.

Rritja e fitimeve të riinvestuara po ndikohet pjesërisht edhe nga ecuria e kursit të këmbimit. Ndërkohë që investimet e reja të huaja në përgjithësi vijnë në valutë, fitimet e riinvestuara të kompanive të huaja janë shifra të raportuara në Lekë, që konvertohen në Euro, që është edhe monedha në të cilin raportohet për qëllime statistikash Bilanci i Pagesave.

Rritja e ndjeshme e peshës së fitimeve të riinvestuara në strukturën e investimeve të huaja direkte mund të shpjegohet pjesërisht edhe me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit.

Megjithëse në dy vitet e fundit mjedisi ekonomik në Europë është trazuar nga goditje të forta, si lufta në Ukrainë dhe vala e fortë inflacioniste, investimet e huaja direkte po vazhdojnë rritjen dhe po prekin rekorde të reja historike.

Në pjesën më të madhe, kjo po vjen falë ndërmarrjeve ekzistuese, por një kontribut në rritje po jep edhe sektori i pasurive të paluajtshme. Cikli i rritjes së tregut në vitet e fundit, por edhe çmimet konkurruese me vendet e tjera për segmentin e pronave bregdetare, kanë ngjallur një interes në rritje edhe nga investitorët e huaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button