Ekonomia

Investimet në rrugë, janë realizuar vetëm 23%

Investimet në rrugë janë pasqyra më e dobët e shpenzimeve publike në këto dy vitet e fundit. Fondet publike që e ndikojnë më së shumti rritjen ekonomike të vendit kanë ngecur në rrjetën burokratike të institucioneve duke realizuar shumë poshtë planifikimeve.

Në fund të 6-mujorit të parë investimet në infrastrukturën rrugore janë realizuar vetëm 23% të fondit vjetor. Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Financave për ecurinë e projekteve të investimeve shihet se për gjysmën e parë të vitit janë realizuar vetëm 1.9 miliardë lekë nga 7.6 miliardë lekë të planifikuara për të gjithë vitin.

Ecuri të dobët kanë projektet e mëdha të infrastrukturës. Nga 2.7 miliardë lekë që ishin planifikuar për by pass-et e Fierit dhe Vlorës nuk është disbursuar asnjë lek në gjysmën e parë të vitit.

Siç shihet nga tabela e mëposhtme, projektet e financimet për ndërtimin e rrugëve pothuajse janë realizuar në nivelin zero, teksa shihet se projektet për riveshje kanë pasur ecuri më të mirë.

Për më tepër këto 7.6 miliardë lekë ose 55 milionë euro janë të copëzuara në gati 250 projekte. Hallakatja e fondeve në këtë mënyrë nuk siguron ndërtimin e një vepre të dukshme për sytë e publikut.

Në buxhetin e vitit 2016, qeveria i shkurtoi me 40% fondet për transportin rrugor duke i çuar ato në nivelin më të ulët të dekadës, edhe pse Ministra e Transportit në web-in e saj zyrtar ka shpallur se nevojat për investimet në infrastrukturën e vendit për ta sjellë atë në gjendje normale janë më shumë se 2.5 miliardë euro.

Në buxhetin 2016, fondi i dedikuar transportit rrugor është vetëm 12 miliardë lekë, nga të cilat pak më shumë se 8 miliardë janë financime të huaja.

Por duke marrë në konsideratë faktin se financimet e huaja në infrastrukturë nuk janë ezauruar më shumë se 40%, fondi dedikuar transportit rrugor nuk është i mjaftueshëm as për mirëmbajtjen.

Precedentët kanë treguar se investimet në përmirësimin e infrastrukturës fizike japin ndikim direkt në rritjen ekonomike.

Kjo është provuar me ndërtimin e akseve të reja që lidhin pikat kufitare të vendit me zonat më të pëlqyera të turizmit, që ndikuan në një rritje të fortë të sektorëve të ndërtimit dhe shërbimeve, mbi të cilët u mbështet rritja ekonomike në dekadën e shkuar.

Por qeveria e re e pas 2013 duket se i ka zhvendosur thelbësisht fondet nga rrugët.
Të shpërndara në objekte të vogla dhe kryesisht në ristrukturime, fondet publike dedikuar investimeve nuk kanë prodhuar këto tre vjet një produkt të dukshme për taksapaguesit.

Me 12 miliardë lekët të programuara për infrastrukturën rrugore, gjatë vitit 2016, Ministria e Financave sqaron se, synohet ulja e ndjeshme e aksidenteve rrugore, duke përmirësuar sinjalistikën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button