Investitorët e huaj ‘kryqëzojnë’ qeverinë për ambientin e vështirë për të bërë biznes
FIAA: Besimi i investitorëve të huaj mbetet negativ, 64% e konsiderojnë mjedisin për të bërë biznes të papërshtatshëm. Pedrazzi: Si ka mundësi që një vend me rritje të PBB-së, ulje të kredive me probleme, ku investitorët deklarojnë rritje të xhiros, të ketë kaq shumë kriticizëm. Besimi i investitorëve të huaj për mjedisin e të bërit biznes në Shqipëri është negativ (-29 pikë). Ky është përfundimi i dalë nga Indeksi i realizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, FIAA. Sipas tyre, edhe gjatë vitit 2016, besimi ka mbetur negativ, duke mos pasur ndryshim të madh në raport me vitin e mëparshëm. Janë rreth 64% e bizneseve të anketuara që kanë deklaruar se mjedisi i të bërit biznes në Shqipëri, është i papërshtatshëm.
Vrojtimi i realizuar nga IDRA është realizuar në 70 kompani të rëndësishme që u përkasin sektorëve si shërbime, industri etj. Sondazhet u realizuan me metodën “ballë për ballë’ për periudhën dhjetor 2016-janar 2017. Prezantimi i vrojtimit u bë nga Ivi Rexhepi, i IDRA-s. Nga anketimi rezulton se gati gjysma e kompanive kanë pasur rritje të xhiros në 2016, 25% rënie dhe 25% nuk kanë ndryshuar.
Problemet kryesore të evidentuara nga biznesi janë: sistemi gjyqësor, korrupsioni, eficienca e Gjykatës Administrative, si dhe ndryshimi i vazhdueshëm i ligjit mbi procedurat tatimore.
Sipas vrojtimit, rreth 78% e biznesit mendojnë se shqetësimi kryesor janë gjykatat, nga 66% që ishin vitin e kaluar.
Është rritur dhe shqetësimi për korrupsionin, që është raportuar si problematik nga 72% e të anketuarve, nga 60% në anketimin e vitit 2015. Edhe eficiencën e Gjykatës Administrative e shohin si problematik 68% e të anketuarve nga 48% vitin e mëparshëm. Ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit dhe procedurat e taksave vijojnë të mbeten problem për 67% të të anketuarve.
Në fjalën e tij të hapjes, presidenti i FIAA-s, Silvio Pedrazzi, tha se vitin e kaluar biznesi është përballur me probleme në fushën e drejtësisë, me informalitetin dhe sistemin e taksave dhe ky ishte edhe qëllimi se përse vrojtimi u realizua sërish.
Sipas z. Pedrazzi, disa rezultate mund të jenë në konflikt me rezultatet e institucioneve të tjera, por qëllimi ka qenë që të jepet një panoramë e investitorëve, jo për të gjithë sistemin. “Për të zgjidhur problemet e sipërpërmendura janë ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, por sërish problemi vazhdon të mbetet zbatimi i tyre. Niveli i pritshmërisë së FIAA-së është i lartë, madje më i lartë se në vitet e mëparshme duke qenë se konkurrenca po bëhet më e ashpër. Pedrazzi e vuri theksin në ndryshimin e ligjit të energjisë, ku tjetër variant u konsultua me grupet e interesit dhe tjetër u miratua, çka ka ndikua negativisht në besimin e investitorëve për të bërë biznes në një ambient të paqëndrueshëm.
Ahmetaj: Sondazhi jo përfaqësues
I gjendur në vështirësi, përballë ankesave të investitorëve të huaj, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se nga sondazhi rezulton qartë se Reforma në Drejtësi është shqetësimi kryesor i investitorëve të huaj.
Në vitin 2013, ishin 220 mln euro që shteti iu kishte borxh investitorëve të huaj, tha ai. Sot nuk u ka asnjë lek borxh dhe rimbursimi i TVSH është përshpejtuar. Qeveria është në një pozicionin më të përgjegjshëm për të reflektuar atë që duhet të bëjë. Ahmetaj tha se nga sondazhi, ku del se ambienti i biznesit është përkeqësuar, ka kundërshti serioze. Ai tha se kjo vjen nga numri i vogël i kampionit të sipërmarrjeve, vetëm 70.
Më vjen mirë, tha Ahmetaj, që gjysma e bizneseve ka deklaruar rritje të xhiros. Në 2013, rritja ekonomike ishte 1%, në 2016 rritja arriti mbi 3% dhe kjo është reflektuar dhe në xhiron e bizneseve. Ai shtoi se Doing Business i Bankës Botërore ka treguar një përmirësim të dukshëm, sidomos në treguesin e “Paying taxes”. Ahmetaj u kujtoi bizneseve se ligji i procedurave u konsultua gjerësisht me bizneset. Edhe investimet e brendshme janë rritur, tha ai.
Në përfundim ai u shpreh se studimi nuk ka të bëjë fare me klimën e biznesit në vetvete, sepse në sondazhet e Bankës së Shqipërisë dhe të tjera, rezulton se mjedisi i biznesit është përmirësuar.