Ish-klubi Partizani: Nëse SPAK e ka seriozisht të hetojë familjen Berisha për pastrim parash
Nga Carlo Bollino
Por nëse SPAK dëshiron vërtetë të hedhë dritë mbi skandalin kryesor të ish-klubit Partizani, duhet të hetojë për një tjetër krim: Jo shpërdorim detyre, por pastrim parash. Një krim, afatet e parashkrimit të të cilit janë 20 vite (pra ende nuk është parashkruar) dhe që mund të tërheqë në cështje direkt gjithë familjen Berisha. Misteri i vërtetë që mbetet për të sqaruar nuk është se si Sali Berisha arriti të privatizojë atë kompleks sportiv duke shkelur mijëra procedura, por si arriti dhëndrri i tij, Jamarbër, të ndërtojë sipër 19 kulla me vlerën mbi 40 milionë euro, edhe pse kishte në bankë vetëm 30.000 dollarë. Historia se përfitoi nga pozita e tij si ish pronar tokash është një legjendë urbane: Jamarbër Malltezi dhe motra e tij janë trashëgimtarë të brezit të dytë të Xhemal dhe Mahmut Begeja dhe falë këtij pozicioni privatizuan vetëm një copëz të vogël të atyre tokave të ndarë me 24 pronarë të tjerë të lidhur me të njëjtin trung trashëgimtarësh, që nga ana e tyre janë vetëm një pjesë e totalit prej 54 ish-pronarësh të tokave ku u ngrit ish kompleksi Partizani, të prejardhur nga 5 familje të mëdha: Begeja, Llagami, Saljaga, Alimehmeti dhe Vaqarri.
Prova e privilegjit të dyshimtë që gëzoi Jamarbër Berisha qëndron në faktin se pavarësisht thërrimes së terrenit që i takonte, 40% e kullave u bënë pronë e tij (dhe në mënyrë indirekte të Argitës) dhe jo edhe të motrës Orinda Malltezi për shembull që trashëgoi të njëjtën sipërfaqe të tokës, dhe as të dhjetëra trashëgimtarëve të tjerë të 5 familjeve të cilëve i janë dhënë vetëm kuota të vogla pronësie, pikërisht në funksion të kuotave respektive të trashëguara. Kuota trashëgimie pjesërisht të zhvatura edhe më shumë nga Jamarbëri i cili duke ditur që kishte vjehrrin në krahun e tij, u imponoi shumë bashkëpronarëve të tjerë detyrimin e dhënies të 3 deri 5% të tokave të tyre në rast privatizimi. Por as kjo “grabitje” e mëtejshme nuk justifikon pasurinë e pamatë që Jamarbër dhe Argita Berisha arritën të marrin falë atij privatizimi.
Pra është e kotë që SPAK-u të humbë kohë duke pyetur bashkëpunëtorët e Berishës për të provuar një krim të 17 viteve më parë, tashmë i parashkruar, por të nisë të marrë në pyetje Jamarbër Berishën dhe t’i kërkojë atij se si e bëri mrekullinë të transformojë 30.000 dollarë që kishte në bankë në fund të vitit 2005, në dhjetëra milionë euro që i japin fryte edhe sot. Duke akuzuar partinë në pushtet, Jamarbër Berisha ka përsëritur mijëra herë se pas kullave që po ndërtohen në Tiranë po fshihet një pastrim gjigand parash, sepse kullat ndërtohen me para cash (të pista) dhe pastaj shiten me derdhje bankare (të pastra). Po sikur të jetë ky pikërisht edhe rasti i tij? Madje familja Berisha e ka si traditë të akuzojë të tjerët për gjëra që ka bërë vetë. Të bëhesh miliarder, sic i takoi atij pikërisht në vitet kur vjehrri ishte kryeministër dhe bashkëshortja sekserja e preferuar e babait, legjitimon shumë dyshime të cilat ai si pjesëtar i një familje ish-qeveritarësh e ka për detyrë të sqarojë. Për më tepër se pikërisht për korrupsionin e bërë në ato vite, Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi gjithë familjen Berisha “non grata” në Shtetet e Bashkuara.
Nëse paratë e investuara në ato 19 kulla nga Jamarbër Berisha janë të pastra, do të ishte vetë ai i pari që do të kishte interes t’iu përgjigjej pyetjeve të prokurorëve. Në rast të kundërt, për prokurorët nuk do të jetë e vështirë të kryejnë më në fund një hetim bankar mbi llogaritë e Abit dhe Argitës për të kuptuar origjinën e fitimeve të tyre dhe të verifikojnë se sa para nga llogaritë e tyre ka përfunduar në të vërtetë në ndërtimin e 19 pallateve. Të provosh pastrimin e parave është shumë më e lehtë se të dëshmosh korrupsionin: Pengesa e vetme është nëse dëshiron ta bësh.