Ish-presidenti egjiptian, Mohamed Morsi dënohet me 20 vjet burg
Ish-presidenti islamik egjiptian, Mohamed Morsi rrëzuar në vitin 2013 nga ushtria, u dënua sot me 20 vjet burg për përfshirjen në arrestimin dhe torturimin e protestuesve gjatë mandatit të tij.
Por, nga ana tjetër ai u shpall i pafajshëm për nxitjen e vrasjes së dy manifestuesve dhe një gazetari gjatë një manifestimi para pallatit presidencial në vitin 2012, akuzë për të cilën pjesa më e madhe e vëzhguesve prisnin që ai të dënohej me vdekje.
Dymbëdhjetë të akuzuar të tjerë përkrah Morsit, kryesisht zyrtarë të grupit të tij Vëllazëria Myslimane dhe qeverisë të asaj kohe, u dënuan me 20 vjet burg për të njëjtat akuza, për përdorim të dhunës, për arrestimin dhe torturimin e protestuesve në kuadër të një manifestimi më 5 dhjetor 2012 para pallatit presidecial në Kajro.