Ish-presidenti serb Boris Tadiç: Me planin franko-gjerman, Serbia humb në paqe atë që s’e humbi në luftë
Pjesën financiare prej 50 mijë eurosh, Tadiç e kishte dhuruar për një maternitet afër Graçanicës në Kosovë. Në 2008 Kosova do ta shpallte pavarësinë. Evropa e përkrahu, por Tadiç s’u tregua aq evropian sa një vit më herët. Ishte shumë kundër.
Aq shumë sa që dy vjet më vonë, Serbia e dërgoi rastin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kërkonte të dinte nëse shpallja e pavarësisë ishte në pajtim me ligjin ndërkombëtar. GJND-ja ua plotësoi kërkesën duke e trajtuar rastin dhe doli me vendim se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare.
Sot e atë ditë Tadiç beson se vendimi ishte ambig, lejonte mundësi interpretimi.
Me kohën Tadiç humbi pushtetin politik në Serbi. Partia e tij s’ka fituar asnjë ulëse në Kuvend në zgjedhjet e fundit atje.
Albanian Post ka realizuar një intervistë me Boris Tadiç. Ai vazhdon të mbetet lideri i vetëm pro-evropian në Serbi, por vazhdon të mos e pranoi pavarësinë e Kosovës po ashtu.
Në këtë kohë kur Kosova dhe Serbia duket se janë pranë një marrëveshje, apo një pajtimi paraprak për hapat e marrëveshjes përfundimtare dhe është prezantuar një model tashmë i njohur si franko-gjerman, çfarë mendon Tadiç?
Nëse Aleksandër Vuçiç dhe Ivica Daçiç, dy udhëheqësit e sotëm të politikës së Serbisë, pro-rus dhe me trashëgimi nga ish-diktatori serb Slobodan Millosheviç, refuzojnë t’i vënë sanksione Rusisë dhe janë – të paktën deklarativisht – kundër planit franko-gjerman, çfarë mendon një politikan pro-evropian në Serbi, apo kur është puna te Kosova, mendimet nuk dallojnë?
Albanian Post: Ju njiheni si një lider serb pro evropian. Nën udhëheqjen tuaj, Serbia fitoi liberalizimin e vizave dhe mori statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ju vazhdimisht keni theksuar nevojën që Serbia të rreshtohet kah dhe pro Bashkimit Evropian. Në anën tjetër, BE-ja mbetet investitori më i madh në Serbi, në raport me vende të tjera si Rusia. Siç e tha edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, kur ishte në vizitën e tij në Beograd, janë mbi 70 mijë vende pune që janë hapur në Serbi nga investitorë gjermanë. Rrjedhimisht, një politikan si ju do të duhej të gëzonte mbështetje popullore të madhe, për shkak të rreshtimit të drejtë, por nuk është kështu. Ju nuk keni përformuar mirë në zgjedhjet e fundit në të cilat keni marrë pjesë. Cili është shpjegimi, sipas jush? Pse serbët nuk ju votojnë, përkundër se nën udhëheqjen tuaj Serbia ka parë procesin integrues tek ecën me hapa shumë të mëdhenj?
Boris Tadiç: Kjo pyetje kërkon shpjegim që tejkalon hapësirën e dhënë në këtë intervistë. Por, shkurtimisht – kemi rrethana specifike në Serbi, ku nuk kemi garë për politika, por mbi të gjitha – opsione financiare e mediatike.
Unë e kam përfunduar mandatin tim me shumë pasuri në eksperiencë politike dhe sukses politik, ndryshe nga ata që kanë fuqi politike me pasuri financiare personale. Dhe jam krenar për këtë fakt.
Por, edhe përkundër këtyre rrethanave, partia ime ia doli të futet në parlament në të gjitha ciklet zgjedhore në dekadën e fundit. Nuk u bëmë pjesë e parlamentit vetëm pas zgjedhjeve të fundit dhe një nga arsyet është fakti që ne nuk kishim kandidat për president, derisa zgjedhjet ishin në të njëjtën ditë edhe ato presidenciale edhe ato parlamentare.
Por, një arsye më e rëndësishme është se ne nuk donim të bëheshim pjesë e një koalicioni që nuk ndanë vizionin tonë politik dhe vlerat tona.
Me fjalë të tjera, me vetëdije sakrifikuam rezultatin zgjedhor në mënyrë që të ruajmë farën e politikës së shëndetshme për të ardhmen. Dhe kisha të drejtë. Dhe jam i sigurt se partia jonë politike dhe opsioni që ofrojmë ne, do të jetë pjesë shumë e rëndësishme e fitores në të ardhmen që do të jetë fitore e fuqisë politike mbi fuqinë financiare dhe manipulimet mediatike. Nganjëherë, humbja mund të bëhet pjesa më e rëndësishme e strategjisë për fitore.
Albanian Post: Një nga sloganet kryesore në fushatën tuaj elektorale në vitin 2008 ishte “Let’s ëin Europe together!”. Sot populli serb nuk është edhe aq entuziast për Bashkimin Evropian. Ka përkrahje të madhe për Rusinë dhe Vladimir Putin dhe presidenti aktual serb Aleksandër Vuçiç, refuzon t’iu bashkohet sanksioneve për Rusinë. Çfarë mendoni se ka ndodhur që serbët nga një popull që votonin dikë që i çon në Evropë, sot votojnë dhe i japin fitore absolute një ldiershipi politik që refuzon të distancohet nga Rusia që filloi luftën në Ukrainë?
Boris Tadiç: Në gjithë dekadën e fundit gati se çdo ditë kam tërhequr vërejtjen për distancimin nga BE-ja dhe kam shpjeguar arsyet. Dhe nuk është vetëm faji i regjimit të Serbisë, por gjithashtu edhe i BE-së dhe duhet të jemi të ndershëm në këtë pikë. BE-ja bëri shumë gabime, një prej tyre mbështetja e këtij regjimi në Serbi, që nuk është sinqerisht e orientuar pro Bashkimit Evropian.
BE-ja dhe veçanërisht Gjermania e mbështeste regjimin e Vuçiç-it kryesisht për shkak se ky regjim u tregua shumë servil për të hequr dorë nga interesat nacionale të Serbisë në raport me Kosovën. Dhe çmimi që paguam është zvogëlimi i demokracisë në Serbi. Por, nuk dua të kritikoj regjimin e Serbisë në një media shqiptare, meqë e bëjë mjaftueshëm fuqishëm në mediat tona.
Sa u përket sanksioneve kundër Rusisë, po ashtu nuk jam në favor të sanksioneve si mjet politik. Eksperienca na mëson se sanksionet i bëjnë qeveritë akoma më popullore dhe çmimi në fund paguhet nga qytetarët.
Rusia e filloi luftën në Ukrainë dhe pa asnjë dyshim agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë është krejtësisht i papranueshëm dhe me pasoja katastrofike. Por, është gjithashtu fakt se lufta në Ukrainë filloi në bazë të precedentit të Kosovës e dizajnuar dhe implementuar nga Perëndimi.
Për shkak të standardeve të dyfishta Perëndimi është gjithashtu përgjegjës për fillimin e luftës në Ukrainë, dhe besoj se nuk ka zgjidhje pa e ri-vizituar precedentin në Kosovë nga perëndimi. Argumenti kryesor i Putin-it për fillimin e luftës është pikërisht Kosova, prandaj është hipokrizi të flasësh për Putinin dhe të mos flasësh për mbështetjen jo ligjore të njëanshme të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Albanian Post: Ju keni qenë kategorik kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por, Kosova është një realitet legal nga viti 2008. Në vitin 2010 me kërkesën e Serbisë u dërgua shpallja e pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare dhe ajo gjykatë që vetë Serbia i ka besuar për të ndarë drejtësi, dha verdiktin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkelë të drejtën ndërkombëtare. Vitet kanë kaluar dhe shteti i Kosovës është konsoliduar. Sot Kosova është e anëtarësuar në qindra organizata ndërkombëtare dhe ka marrëdhënie diplomatike me pjesën më të madhe të botës. A jeni ende kundër pavarësisë së Kosovës?
Boris Tadiç: Jam dhe gjithmonë do të jem. Dhe jeni gabim – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë asnjëherë nuk iu përgjigj pyetjes tonë dhe duke e shmangur përgjigjen e qartë në pyetje, ata hapën derën e rrezikshme që çdo shtet dhe aktor politik ta interpretojë sipas interesave të veta dhe jo sipas ligjit ndërkombëtar.
Ashtu siç ju zgjedhni ta interpretoni, në anën tjetër Serbia dhe shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, zgjedhin të kundërtën. Thoni se ICJ ka shpallur se nuk e shkelë të drejtën ndërkombëtare, ndërsa unë them që asnjëherë nuk ka thënë se është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Më lejoni t’jua kujtoj – pyetja jonë ka qenë nëse (shpallja e pavarësisë) ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?
Edhe atëherë kam tërhequr vërejtën për këtë precedent dhe kam tërhequr vërejtjen se do ta hap Kutinë e Pendores gjithkah nëpër botë. Veçanërisht kam pas paralajmëruar për Ukrainën. Realiteti tregon se interpretimi që dhatë ju nuk e rrezikon vetëm integritetin territorial të Serbisë, por në gjithë botën.
Së dyti, është e gabuar të paraqesësh përgjigjen e GJND-së si bazë ligjore pasi është vetëm një opinion këshillues. Përndryshe, Kosova do të bëhej anëtare e OKB-së qysh atëherë. Fakti që nuk është, fakti se kemi kaq shumë vite dialog në gjetjen e zgjidhjes, tregon se e keni gabim. Edhe në kontekst të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova nuk ka më shumë të drejtë në interpretimin e vet se sa ne.
Dhe ju s’mund edhe ta akuzoni Putin-in edhe ta festoni interpretimin e GJND-së në të njëjtën kohë. Këtë pikërisht po bën Prishtina dhe vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Gjatë mandati tim qëllimi im ishte të gjeja kompromis dhe terren të përbashkët për jetë më të mirë të të dyja palëve, serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Në vend të kësaj, pas vitit 2012, nga të dyja palët ne kemi veç festime, të cilat jo vetëm që na ndajnë ne, por edhe vendet e tjera, si për shembull Ukrainën.
Kjo nuk mund të festohet si fitore e askujt. Principi i integriteti territorial ishte themelor për paqen e pas luftës së dytë botërore. Lëvizja e këtij gurthemeli është tragjedi, askush s’duhet të jetë krenarë.
Albanian Post: Si i keni parë zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi. Çfarë mendoni se po bëhet keq dhe si do të duhej të bëhej ndryshe dialogu?
Boris Tadiç: Në kohën time dialogu kishte qëllim të gjetjes së kompromisit dhe mundësimit të një jetese normale për qytetarët e Kosovës në përditshmërinë e tyre. Pas 2012, dialogu ishte vetëm një teatër për poena në politikën e brendshme nga të dyja palët. Për një dekadë, dialogu nuk është i mbushur me zgjidhje reale, por me manipulime të shumta të opinionit publik. Pas çdo raundi, të dyja palët festojnë fitoret e tyre ndaj palës tjetër, në vend se të gjejnë hapësirë për fitore të përbashkët.
Dialogu duhet të ketë për qëllim të përfaqësojë realitetin në terren dhe jo të mundohet për pikë politike në elektorat. Fatkeqësisht, mbase jemi më afër një marrëveshje se kurrë, por në të njëjtën kohë jemi më larg se kurrë nga një zgjidhje reale. Nuk është punë e mençur të shtyhen zgjidhje politike përtej realitetit dhe rasti i Ukrainës na jep një provë tragjike të kësaj që po them. Edhe rajoni jonë na jep mësime se manipulimet dhe propaganda e sinkronizuar mundëson përfitime vetëm për regjimet, por kosto të madhe për qytetarët dhe për paqen.
Albanian Post: Mediumi jonë me 18 shtator ka publikuar një dokument që prezanton përmbajtjen e një oferte për Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç-in. A e keni parë ju këtë “kornizë të re”, siç po quhet propozimi franko-gjerman, dhe cili është mendimi juaj për të? Bëhet fjalë për një zgjidhje që i përfarohet modelit të dy-Gjermanive, a është model i përshtatshëm për ju?
Boris Tadiç: Nuk është i përshtatshëm dhe si president kam pas refuzuar çfarëdo modeli të ngjashëm. Askush nuk e di se si duket versioni final i planit dhe ashiqare është punë në progres, por çfarëdo plani që lidhet me atë të dy-Gjermanive nuk është i përshtatshëm për rastin e Kosovës dhe nuk është i pranueshëm për mua.
Nuk mund të krahasojmë modelin e ty-Gjermanive me situatën tonë. Para se gjithash, tek të dy-Gjermanitë ne flasim për një komb të ndarë përkohësisht dhe artificialisht në dy shtete. Dhe e dyta, Gjermania sot e feston ditën kur u bashkuan dhe jo ditën kur u ndanë. E mbi të gjitha – Serbia është anëtare e plotë e OKB-së qysh nga themelimi i OKB-së, ndryshe nga Gjermania Perëndimore dhe Lindore që ishin anëtare pjesëmarrëse para se të pranoheshin bashkërisht si anëtarë të plotë.
Prandaj, është absolutisht situatë e pakrahasueshme. Statusi i Serbisë në OKB nuk mund të krahasohet me Gjermaninë Lindore apo Perëndimore para se ato të bëheshin anëtarë me të drejta të plota. Nuk përkrahë asnjë zgjidhje që e bën Serbinë ta humbë në paqe, atë që s’e humbi në luftë. Kjo nënkupton se nuk përkrahë asnjë njohje, eksplicite apo implicite, të pavarësisë së Kosovës. Fuqishëm besoj se kompromisi është i mundshëm pa të, siç ishte prezantuar në Planin tim Katër Pikësh për Kosovën.