Ish të përndjekurit, Kola: Dy skemat për shpërndarjen e 18 milionë dollarëve
“Koha që qeveria të miratojë ligj të mirëfilltë për Lustracionin”
Drejtori i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, në një intervistë për gazetën “Shqip”, sqaron situatën aktuale në lidhje me dëmshpërblimet e ish të përndjekurve politikë, ku thotë se, deri më tani, duke filluar që nga muaji janar, kanë marrë këstin e parë mbi 1300 persona të tillë. Duke u ndalur në një çështje tjetër të rëndësishme siç është ajo e mungesës së ligjit për lustracionin, Kola i bën thirrje qeverisë që të realizojë një të tillë, edhe pse aktualisht, një nismë në trajtën e një projektligji u hartua nga shoqëria civile.
Cila është situata aktuale e dëmshpërblimeve për ish të përndjekurit politikë?
Ajo që ne kemi si informacion, qoftë nga Ministria e Drejtësisë apo nga Ministria e Financave është fakti që deri në datën e sotme janë proceduar mbi 500 dosje me rreth 1300 përfitues dhe është shpërndarë një fond prej 2.8 milionë dollarësh. Ajo që vlen për t’u qartësuar për sa u përket 1300 përfituesve është fakti se të gjithë këta përfitues janë marrës të këstit të parë. Le të themi se ka një mosharmonizim për sa i përket shpërndarjes, rezulton se ka njerëz që nuk kanë marrë asnjë këst, ka persona që kanë marrë një këst, por ka dhe nga ata që kanë marrë dy këste. Duke qenë se ekziston kjo mungesë harmonizimi në shpërndarjen e kësteve, nga fillimi i këtij viti është marrë një vendim me anë të të cilit janë dëmshpërblyer vetëm ato dosje në të cilat nuk kishin marrë asnjë këst. Nëse bëhet fjalë për ndryshimet që i kanë ndodhur ligjit me hyrjen në fuqi të amendamentit të ri që u miratua nga Parlamenti, këtu mund të themi se në thelb të tij ka një farë kategorizimi të përfituesve. Ajo që ligji synon të arrijë është në njëfarë mënyre angazhimi i shtetit në raport me përfituesit e këtyre dëmshpërblimeve që janë të burgosurit politikë ose të pushkatuarit me ose pa gjyq për motive politike. Është bërë një prioritizim, ku 70% e fondit vjetor të miratuar nga qeveria, që për vitin 2014 rezulton të jetë 18 milionë dollarë, do t’u kalojë personave që kanë vuajtur direkt, pra ish të burgosurit politikë dhe 30% t’u kalojë trashëgimtarëve, qoftë të personave që janë pushkatuar me ose pa gjyq, qoftë trashëgimtarëve të ish të burgosurve politikë. Në pjesën e 70% të personave ka një nënkategorizim, i cili fillon me ish të burgosurat, më pas vijnë personat ish të burgosur, që janë mbi 75 vjeç burra, pastaj ata që janë nën 75 vjeç, por që janë diagnostifikuar me sëmundje të rënda, më pas vijnë trashëgimtarët e mitur të ish të burgosurve politikë dhe në fund vijnë të gjithë ata që kanë qenë vetë në burg, pavarësisht moshës apo gjendjes shëndetësore.
Ligji i ri i qeverisë ka hasur protesta dhe grevë urie nga një pjesë e ish të burgosurve …
Unë nuk gjykoj që në thelb ky amendament është kundërshtuar nga të përndjekurit, pasi, nisur dhe nga fakti që në Parlament, shumë ish të burgosur që përfaqësojnë shoqata të ndryshme të ish të burgosurve, u dëgjuan. E para, gjithçka që ata kishin me objektin e këtij ligji u mor në konsideratë, e dyta nuk kishte absolutisht asnjë kontestim te ndarja e fondit. Ata që mund të jenë parë në protesta, nëse kanë qenë në burgje politike vetë, nuk e di se sa nga ata kanë qenë në burgjet politike, të flasin e të kundërshtojnë 70% të fondit të miratuar, gjë që nuk ka qenë në ligjin e vjetër. Ky është një veprim për mendimin tim tejet solidar, ku vë në prioritet personin që ka vuajtur vetë dhe jo trashëgimtarin. Për sa u përket protestave dhe kërkesave gjykoj se një pjesë e mirë e tyre kanë të bëjnë me dy çështje. Së pari, janë rreth 3 mijë dosje ende të pashqyrtuara, pasi janë dorëzuar me vonesë. Një element tjetër ka të bëjë me një numër të konsiderueshëm personash ish të burgosur ose të pushkatuar për sa i përket një akuze të posaçme që ka të bëjë me terrorizmin. Ndërkohë që, ligji i ri, nuk ka prekur asnjë prej këtyre dy çështjeve, kjo ndoshta edhe për emergjencë për të trajtuar personat që janë gjallë, pasi fokusi i këtij ligji ka qenë trajtimi me dëmshpërblim i personave të gjallë. Gjithsesi kjo nuk do të thotë se trajtimi i këtyre dy çështjeve do të lihet në harresë. Këto dy çështje janë tejet serioze, shqyrtimi i dosjeve që janë dorëzuar me vonesë dhe trajtimi i çështjeve të personave të burgosur për veprën e terrorizmit duhen parë në mënyrë specifike çështje pas çështje, pasi, në rast se qoftë për arsye teknike, apo për arsye agravimi të dënimit të ish të burgosurve politikë ose të pushkatuar janë stisur akuza terrori, sigurisht që nuk pajtohemi.
Në dijeninë tuaj, a ka një nismë nga qeveria, përveçse nga shoqëria civile, për të hartuar një ligj për Lustracionin, ose siç njihet ndryshe për hapjen e dosjeve të sistemit komunist?
Konstatoj një fakt interesant, që në gjithë vendet e Europës ish-komuniste, të cilat për rastësi sot janë anëtare të BE-së duke filluar nga vendet baltike, Çekia, Polonia deri te ballkanasit e Bullgarisë që në fillim të viteve ‘90 e kanë miratuar ligjin për lustracionin. Në vitin 2014, pra 20 vite pas eksperiencave të fundit të ish-vendeve analoge me Shqipërinë, që kanë vuajtur nga sistemi komunist, ne ende nuk kemi një ligj për lustracionin. Që jemi të vonuar, kjo nuk do ndonjë shkencë të madhe për t’u konstatuar. Nëse jemi të vonuar me qëllim apo pa qëllim, sigurisht këtu ka argumente për t’u bërë. Gjykoj që, meqenëse klasa politike shqiptare është kujtuar për ligjin e lustracionit vetëm kur ka pasur një sinjal të fortë nga komuniteti ndërkombëtar, kjo është një gjë e qartë që harresa duhet të ketë qenë e qëllimshme, nëse do të konstatojmë që ka pasur harresë.
Unë di që është depozituar në Parlament një nismë nga shoqëria civile nga një shoqatë që mbron të drejtat e njeriut dhe dy personalitete z. Aleksandër Meksi dhe Aleksandër Biberaj. Nuk mund të komentoj në përgjithësi nëse ka apo jo një iniciativë të tillë në Parlament, pasi nuk jam në dijeni të këtij fakti. Nuk mund të komentoj për thashetheme. Gjykoj se një nga iniciativat e kësaj qeverie është dhe miratimi i këtij ligji. Kështu që ka ardhur momenti për të pasur një ligj mirëfill dhe kushtetues për Lustracionin. Gjykoj që ajo shprehja më mirë vonë se kurrë të aplikohet në rastin konkret. Do të ishte një mesazh shumë domethënës për ish të përndjekurit politikë, por natyrisht për gjithë popullin shqiptar që, më në fund, të kemi një ligj për Lustracionin. Dikush ka thënë që “po të hedhësh grepin në politikën shqiptare, grepi lodhet e detyrimisht duhet punuar me rrjetë”. Kështu që nuk e di nëse jemi në të tilla kushte ende, pasi këtë shprehje e kam dëgjuar këtu dhe 10 vite më parë. Them që harresë është fjalë shumë komplementare për politikën shqiptare, por them që harresa e qëllimtë natyrisht ka lidhje me persona konkretë.
Ju thatë se keni një strategji tuajën që do të mund të sjellë risi për këtë kategori të shoqërisë, ku konsiston kjo?
Kjo strategji ka dy elemente. Ka elementin e parë që është ai i dëmshpërblimit dhe i dyti ai i çështjes së kujtesës së historisë. Për sa i përket pikës së parë, gjykoj që çështja e integrimit të të përndjekurve politikë nuk është një çështje ditore. Është një çështje që ka filluar që në fillimet e viteve ‘90 me miratimin e një ligji për statusin e të përndjekurve politikë, në vitin 1993, dhe vijon edhe sot. Duke qenë se çështja është tejet e koklavitur, mund të them se kjo nuk lidhet me një institucion të posaçëm, por me disa ministri dhe me Parlamentin. Ndërkohë që tek elementi i asaj që unë quaj kujtesë historike vlen të theksohet fakti se përndjekja politike në Shqipëri ose është lënë në mënyrë teknike në harresë dhe është mënjanuar nga axhenda, ose qoftë dhe në mënyrë të qëllimshme nuk i është dhënë nderi që i takon. Persekucioni masiv, trauma masive e përjetuar nga këta njerëz në funksion të arritjes së objektivit që ne tashmë të gjithë si popull po e përjetojmë, pra Bashkimi me Europën, është bërë shumë pak për nderimin e veprës të ish të përndjekurve politikë. Ka shuma për t’u bërë, duke filluar që nga memorialet, muzetë. Mund të themi që nuk kemi sot një ditë zyrtare kur të nderohet vepra e ish të përndjekurve politikë. Ende nuk ka një përpjekje të strukturuar që në librat shkollorë të arsimit të detyruar të ketë një qasje historike objektive për sa i përket përndjekjes politike në Shqipëri dhe kjo në funksion jo të ngjalljes së të shkuarës, por në funksion të kujtesës së të shkuarës.