ISIS, Obama pritet të autorizojë dërgimin e trupave të reja në Irak
Administrata e Obamas ka përgatitur tashmë një plan për të krijuar një bazë ushtarake në provincën Anbar të Irakut, si dhe të dërgojë atje qindra trupa shtesë në rolin e trajnuesve dhe këshilltarëve, në mënyrë që të ndihmojë forcat irakiane, të cilat kanë hasur vështirësi në betejën e tyre ndaj militantëve të Shtetit Islamik.
Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë amerikanë gjatë mbrëmjes së të martës, ndërkohë që miratimi përfundimtar pritet të jepet nga Presidenti Obama mëngjesin e së mërkurës, duke shtuar kështu kontigjentin ushtarak amerikan në Irak, në atë që rezulton si hapi i parë i “modifikimit drastik” të strategjisë së tij, që kur xhihadistët pushtuan kryeqytetin e provincës së Anbarit, Ramadi, muajin e kaluar.
Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, shprehën besimin se qoftë edhe një forcë e vogël modeste amerikane e pranishme atje, mund të ndihmojë në forcimin e planeve të trupave irakianë në mënyrë që të ndërmarrin një kundërsulm për të rimarrë nën kontroll Ramadin.
Por, shumë kritikë janë shprehur në të kaluarën se kontigjenti aktual amerikan prej 3100 trupash, kryesisht me trajnues dhe këshilltarë, është shumë larg të qenit i mjaftueshëm për të kthyer fatet e betejës.
Obama pritet të jetë i palëkundur ndaj qëndrimit të tij, për të mos çuar trupa amerikanë në terren, apo qoftë edhe pranë vijave të frontit, – sipas këtyre zyrtarëve, – por edhe fakti i rritjes së numrit të amerikanëve në zonën e paqëndrueshme të mbipopulluar me sunitë të Irakut mund të përbëjë atë që konsiderohet si sipërmarrje e një risku më të madh.
Në pritje të vendimit që do të marrë Obama, zyrtarë të ndryshëm flasin për shifra të ndryshme të trupave që do të dërgohen në Irak. Disa thonë për rreth 1000 forca të reja, ndërsa të tjerë thonë se ky kontigjent nuk do t’i kalojë 500 trupa.