Bota

Itali, me mijëra kalojnë natën në vendstrehime të përkohshme pas tërmetit

Mijëra njerëz në Italinë qendrore e kanë kaluar natën mes të dielës dhe të hënës nëpër makina, tenda, si dhe vende të përkohshme strehimi, pas tërmetit të katërt të fuqishëm në zonë gjatë 3 muajve të fundit.
Tërmeti me magnitudë 6.6 që tronditi Italinë të dielën në mëngjes, e që rezulton ndër më të fuqishmit në dekadat e fundit, preku të njëjtën zonë ku gjatë muajit gusht mbetën të vdekur thuajse 300 persona nga një tjetër lëkundje sizmike.
Për fat të mirë, këtë herë nuk ka pasur asnjë viktimë, por vetëm 20 të plagosur. Megjithatë, lëkundjet e vazhdueshme duket se po rrëzojnë edhe ato pak ndërtesa që kishin mbetur në këmbë.
Në qytetin e Norcias, pjesë e rajonit të Perugias, disa banorë vendosën të qëndronin në shtëpitë e tyre, edhe pse ishin shumë pranë epiqendrës së lëkundjes sizmike të fundit. Disa të tjerë e kaluan natën nëpër tenda të ngritura pranë qytetit, ose kanë pranuar ofertën e autoriteteve italiane për t’u zhvendosur në vende të sigurta pranë brigjeve të Adriatikut.
“Do të jetë një natë e vështirë”, tha kreu italian i Mbrojtjes Civile, Fabrizio Curcio, një ditë më parë. “Lëkundja me magnitudë 6.5 e ka ndryshuar realisht situatën këtu”.
Stefano Boldrini, një qytetar i Norcias, i cili jeton së bashku me vajzën e tij 8-vjeçare në një mikrobus kampimi, është pyetur nëse do të qëndrojë sërish në këtë zonë. “Jo, si mund të qëndrojmë? Nuk ka më shkolla, kisha apo komisariate policie. Nuk ka mbetur asgjë këtu”, tha ai.
Bazilika mesjetare e Shën Benediktit në Norcia ishte mes ndërtesave historike dhe strukturave të tjera që u shkatërruan pas tërmetit të fundjavës. Gjithsesi, evakuimi i shumicës së ndërtesave në Italinë qendrore u pa i domosdoshëm që prej aktivitetit sizmik të javës së kaluar, një aktivitet që u rikthye pas tërmetit të gushtit, duke shpëtuar kështu shumë jetë njerëzish.
Zyrtarët theksuan gjithashtu se 3 persona u nxorën të gjallë nga rrënojat në qytetin e Tolentinos. Giuseppe Pezzanesi, kryebashkiak, tha se ky qytet i vogël ka “përjetuar ditën e tij më të zezë në histori”. Edhe qytetet e Castelsantangelos dhe Precit kanë pësuar dëme të konsiderueshme, por ndërtesat ishin thuajse të braktisura që prej lëkundjeve me magnitudë 5.5 dhe 6.1 të javës së kaluar. Dëme janë raportuar edhe në fshatrat Ussita dhe Arquata.
Lëkundjet e tërmetit të fundit janë ndierë edhe në kryeqytet, në Romë, aty ku sistemi i metrosë u mbyll përkohësisht, sikurse edhe në Venecia, më në veri të vendit. Kryeministri Matteo Renzi premtoi se qeveria italiane do të rindërtohet gjithçka nga e para dhe se burimet për këtë do të gjenden.
“Jemi duke kaluar një periudhë realisht të vështirë, – tha ai. – Megjithatë nuk duhet të lejojmë dhimbjen e thellë, lodhjen dhe stresin që na është shkaktuar këto kohë, që të na detyrojnë të tërhiqemi”.
Italia qendrore është goditur nga disa tërmete të fuqishme gjatë viteve të fundit. Vetëm ato që kanë shkatërruar qytetin e L’Aquilas në vitin 2009 dhe Amatricen në gusht të këtij viti, kanë lënë të vdekur të paktën 300 njerëz secila.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button