Italia nxjerr në shitje 2 miliardë dollarë prona për të ulur borxhin
Italia po përgatitet të shesë më shumë se 1.8 miliardë euro (2.1 miliardë dollarë) të pasurive të patundshme në pronësi të shtetit, meqë kërkon të frenojë borxhin në rritje, thonë burimet e Bloomberg News.
Ministria e Financave po identifikon pronat e zotëruara nga shteti dhe nga administratat rajonale dhe lokale që mund të shiten – kryesisht kazermat e ushtrisë, spitalet dhe ndërtesat e zyrave që nuk janë më në përdorim – thanë burimet të cilët kërkuan të mos përmendeshin sepse plani nuk është ende publik.
Kryeministri Giuseppe Conte ka thënë se qeveria e tij pret që masat e përfshira në buxhetin e saj të nxisin një rimëkëmbje në gjysmën e dytë të vitit 2019, megjithëse shifrat e publikuara muajin e kaluar treguan se vendi ka rënë në recesio, i pari që nga viti 2013. Shumica e ekonomistëve presin që rritja këtë vit të jetë shumë më poshtë objektivit të qeverisë prej 1 për qind.
Plani buxhetor trevjecar i aprovuar në dhjetor përfshiu një objektiv prej 950 milion euro në të ardhurat nga shitjet e pasurive të paluajtshme në vitin 2019 dhe 150 milion euro në çdo vit të njëpasnjëshëm.
Shteti italian, rajonet dhe entitetet e tjera publike kanë pasuri të patundshme në të gjithë vendin që kanë vlerë 283 miliardë euro të kombinuara, sipas shifrave të qeverisë nga viti i kaluar bazuar në rreth 1 milion pasuri për të cilat Thesari ka hartuar një inventar. Vlerësimet zyrtare të mëparshme që mbulojnë një numër më të madh të pronave kanë vendosur vlerën deri në 425 miliardë euro.
Borxhi publik i Italisë në nëntor arriti një nivel të lartë prej 2.35 trilion euro, mbi 133 për qind të prodhimit të parashikuar të vendit.