Ja si hyjnë emigrantët kosovarë në Hungari
Qindra emigrantë kosovarë e kalojnë çdo ditë kufirin me Serbinë dhe arrijnë në vendbanimet kufitare në Hungari. Nëpër rrugën kryesore të vendbanimit Asotthalom shihet një numër i madh njerëzish nga Kosova që kanë mësyrë vendet e Evropës Perëndimore.
Kosovarët tregojnë se kanë kaluar nëpër Serbi dhe janë nisur për në vendet e Evropës Perëndimore.
Rrugës për në Segedin dhe Budapest emigrantët kosovarë kalojnë nëpër vendbanimin Asotthalom, ku nga banorët vendas kërkojnë ujë, thuhet në një kronikë të Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.
Në tabelën pranë rrugës shkruan se për sigurinë e kësaj komune përkujdeset policia civile, transmeton Telegrafi.
Një banor vendas tregon se si çdo ditë sheh njerëz të cilët kalojnë andej-pari duke kërkuar që t’i orientojnë për në Budapest dhe Segedin.
“Kërkojnë t’i orientojmë për Budapest dhe Segedin. Kërkojnë ujë dhe sigurisht që ne u japim. Nuk e di pse po vijnë këndej”, thotë një banor i Asotthalom-it.
Ndërsa një grua thotë se nuk e pengon kalimi i emigrantëve kosovarë nëpër vendbanimin e tyre.
“kërkojnë ujë dhe u japi. Po thonë se po shkojnë në kërkim të një jete më të mirë. Sot shkojnë atë, nesër ndoshta do të shkojmë ne. Kurrë nuk i dihet”, thotë ajo.