Opinion

Jabllanoviçi dhe Trepça

ENIS SULSTAROVA

Enis SulstarovaSituata socio-politike në Kosovë ka qenë gjithnjë me potencial shpërthyes. Është një vend i varfër, me papunësi të lartë, thuajse gjysma e popullit, por edhe me një klasë politike nga më të korruptuarat në Ballkan, e cila është pasuruar me një shpejtësi marramendëse me rrëmbimin e pasurive publike të vendit. Kësaj situate të brendshme i shtohet izolimi i jashtëm dhe izolimet e shumta brenda vendit. Kosova është kthyer në vendin e barrikadave të enklavave dhe në vend që pas pavarësisë të kishin integrime, përkundrazi kemi veshje me legjitimitet të ndarjeve etnike dhe krijimin e autoriteteve paralele që nuk i binden Prishtinës, por Beogradit. Ndërkohë, Serbia në lojën e saj të dyfishtë me Rusinë dhe Perëndimin, po përpiqet të marrë çfarë të mundet nga Kosova, në mënyrë që kur të jetë e detyruar ta njohë si shtet, njëkohësisht të jetë e sigurt se gjithsesi do ta ketë nën dominimin ekonomik dhe politik të saj. Në njëfarë mënyre, Serbia jo vetëm që do të mbajë përgjegjësi për atë çfarë ka bërë në Kosovë që nga anulimi i autonomisë e deri më 1999, përfshirë masakra, keqtrajtime dhe shkatërrime, por kërkon që t’i njihet një lloj bashkë-sovraniteti mbi Kosovë. Politikanët e tanishëm që e udhëheqin Kosovën nuk kanë ndërmend t’i bëjnë qëndresë Serbisë në planet e saj afatgjata, se kanë duart të zëna duke rrëmbyer ç’të mundin dhe të lidhura nga shantazhet që u bëjnë për krimet dhe korrupsionin. Në kushte të tilla, as që mund të mendohet që të ketë shanse reale për zhvillim, investime të brendshme dhe të huaja. Të ardhurat kryesore janë remitancat, por edhe këto tkurren në kushtet e krizës që ka kapur tërë Europën.

Për të gjitha këto, ka pasur edhe më parë protesta masive, kemi edhe tani të tilla dhe është e sigurt që do të kemi në të ardhmen. Të lënë në mjerimin e tyre dhe të tradhtuar në aspiratat që kishin për Kosovën e lirë, qytetarët po protestojnë. Është edhe një lloj proteste tjetër, por e heshtur, që po ndodh: ajo e autobusëve të mbushur në orët e natës me ata që po braktisin përgjithmonë vendin. Janë me mijëra të tillë deri tani dhe ndoshta shumë shpejt do të bëhen më shumë sesa ata që dalin në sheshe. Qeverisë së Prishtinës mund t’i leverdisë më shumë kjo lloj proteste e dytë, por nuk mund t’i shmangë krejt ata që do të dalin në rrugë e sheshe për të mbrojtur atë që u ka mbetur nga dinjiteti si qytetarë e si njerëz.

Pse tani? Ç’lidhje kanë me njëri-tjetrin ministri Jabllanoviç me Trepçën, që revoltuan qytetarët? Lidhjen e shpjegoi qartë dhe bindshëm aktivisti dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, para ca ditësh gjatë një bisede televizive dhe ne mund ta shtjellojmë këtu. Në epokën koloniale, justifikimi i imperializmit ka qenë se njeriut “të egër” nuk i duhen pasuritë e vendit ku jeton, sepse është i paditur dhe dembel për të punuar. Ai duhet ta lirojë vendin për njeriun e bardhë e punëtor që ia di vlerën tokës e nëntokës. Në rastin më të mirë, njeriu i bardhë e “qytetëron” të egrin, duke e bërë që të punojë për të, por nuk është qëllimi i tij që “i egri” të jetë zot e të vendosë për veten e tij. Diçka e ngjashme ka qenë kurdoherë këndvështrimi serb për shqiptarët: Kosova u takon serbëve, sepse ata i kanë rrënjët e qytetërimit të tyre atje, shqiptarët janë njerëz “të egër” që duhen përzënë, toka e Kosovës do të jetë e serbëve dhe shqiptarët do të qëndrojnë mbi të vetëm si argatë të serbëve. Mbi këto ide bazohej sundimi i Millosheviçit dhe ato akoma nuk janë braktisur nga qeveria e tanishme e Serbisë. Si të thuash, ky ligjërim kolonialist dhe racist u qep me dy ngjarje të ndodhura së fundi në Kosovë. Njërën e krijoi ministri Jabllanoviç, duke i quajtur egërsira nënat e të vrarëve dhe të pagjeturve shqiptarë dhe duke bërë të paditurin që paskan ndodhur masakra në Kosovë. Ngjarja e dytë ishte tërheqja e ligjit për Trepçën nga ana e qeverisë së Kosovës, sapo këtë e kërkoi Beogradi që e quan të vetën dhe që do ta trajtojë në tryezën e bisedimeve dhe t’ia shkëpusë Kosovës pasurinë e saj kryesore minerale. Protestat u thirrën për shkarkimin e ministrit dhe për kthimin e ligjit të Trepçës në Kuvend, për të treguar se shqiptarët e Kosovës nuk janë “të egër” dhe se dinë ta mbrojnë dhe vënë në përdorim pronën e tyre. Për të mos lejuar trajtimin e Kosovës si neo-koloni.

Theksi mbi dhunën ishte ikje nga thelbi i çështjes. Kemi të bëjmë me një skenar të qeverisë së Prishtinës për të shtypur kërkesat legjitime të njerëzve në rrugë. Në kohën kur qeveria e re, e krijuar me nxitim të madh (brenda disa orësh u morën vesh Mustafa dhe Thaçi, pas disa muaj bllokimi!) ka fuqinë e numrave në Kuvend, ajo ndihet e pafuqishme para trysnisë së Beogradit dhe të ambasadorëve, prandaj ajo kërkon ta kompensojë pafuqinë e saj, duke u treguar e fuqishme ndaj atyre që e kundërshtojnë. Skenarin e shtypjes qeveria e kishte gati, thuajse njëlloj me skenarët që herë pas here pushteti ka përdorur edhe në Shqipëri për kësi rastesh. Në protestën e parë në Prishtinë, policia i la njerëzit që të afroheshin pranë ndërtesës së qeverisë dhe në fund të protestës, disa provokatorë të infiltruar mes qytetarëve thyen disa xhama të ndërtesës, por u ndaluan menjëherë nga vetë organizatorët e protestës dhe disa prej tyre u arrestuan. Kjo shërbeu si alibi për ta shtypur protestën e dytë, për të cilën policia ishte e mirëpërgatitur dhe e mirorganizuar. Këtu nuk pati provokatorë, sepse policia e provokoi vetë situatën duke shkrehur tërë arsenalin e saj. Protestues e kalimtarë që nuk kishin të bënin fare me protestën u rrahën në rrugë, rrugica të qytetit shumë larg rrugëve kryesore, në lokale, hyrje pallatesh e brenda komisariateve të policisë. Ish-luftëtarë të UÇK-së me uniformë e maska rrihnin barbarisht ish-luftëtarë të UÇK-së me veshje civile. Situata që u ngjanin përleshjeve që ndodhnin në qytetet e Shqipërisë në vitet ’90 kur protestohej kundër diktaturës dhe më vonë kundër autoritarizmit. Në darkën e së martës nisi kori i gazetarëve të pavarur që çuditërisht gjithnjë i gjen në krah të pushtetit që dënonin veç dhunën e protestuesve, duke mos përmendur asgjë tjetër, thuajse vërtet kishim të bënim me egërsira që jetojnë me dhunë, nuk njohin veç dhunë dhe prandaj vetëm dajaku i policisë i bën njerëz. A ju kujtohet në Shqipëri se si regjimi komunist futi në përdorim fjalët “huliganë” dhe “jashtëqitje e kombit” ndaj protestuesve të atëhershëm e disa vite më pas këta të fundit u quajtën luftëtarë të demokracisë? Këto krahasime i bëjmë, sepse vërejmë se edhe shumica e mediave të Tiranës, që supozohet se do të ishin më të drejtpeshuara në analizë, nuk bënë tjetër veçse dhanë me përpikëri variantin e qeverisë për protestuesit. Situatat, natyrisht nuk janë të njëjta, por paralele mund të gjenden, sidomos te dhuna policore, jashtë çdo kriteri ligjor të vendeve demokratike.

Ç’do të ndodhë në protestën e së mërkurës? Nuk kemi se si ta dimë me siguri, por situata është vërtet e nderë. Objektivat e protestës duken thuajse të parealizueshme, edhe pse janë të drejta. Ministri Jabllanoviç mund të japë dorëheqjen, mirëpo kthimi dhe miratimi i një ligji për Trepçën në Kuvend do të thoshte t’i japësh shkas Serbisë që të bllokojë bisedimet. Duhet të kemi parasysh se për Mustafën e Thaçin bisedimet me Serbinë janë të më shtrenjta sesa sovraniteti dhe mirëqenia e Kosovës. Qenia e tyre në krye të Kosovës është në funksion të bisedimeve që veç po e dëmtojnë të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur një protestë paqësore, siç ka bërë përherë, në kuptimin që protestuesit e saj nuk kanë qenë asnjëherë të armatosur dhe me qëllime agresioni ndaj institucioneve. Mirëpo, kësaj radhe protestuesit e dinë se policia mund t’i sulmojë edhe me egër sesa ditën e martë. Gjithashtu, ata nuk mund të mos protestojnë, sepse kjo do të thoshte se ata po dorëzohen para arbitraritetit dhe dhunës së një pushteti të papërgjegjshëm. Pak ditë kanë mbetur deri në protestën e radhës dhe duhet të alarmohemi, jo vetëm për atë që mund të ndodhë atë ditë, por më shumë për rrugën ku ka hyrë Kosova, së cilës nuk po i duket as fundi dhe as ndonjë shenjë drite.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button