Jahjaga dhe Mustafa, në urgjencë për “kryespiunin”
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, bashkë me kryeministrin Isa Mustafa, i kanë më pak se tri javë afat për ta gjetur njeriun i cili do ta udhëheq shërbimin e inteligjent të shtetit. Kjo urgjencë ka ardhur si rrjedhojë e dorëheqjes së Bashkim Smakajt, nga posti i drejtorit të AKI-së.
Me Ligjin për AKI-në, është e përcaktuar që “Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.
Nisur nga fakti që Smakaj ka dhënë dorëheqje me 16 janar, dy liderëve të shtetit u mbetet që më së largu me 5 shkurt ta kenë emëruar shefin e ri të AKI-së.
Deri në atë kohë, AKI-në do e drejtoi zëvendësdrejtori Muharrem Ajeti.
“Zëvendësdrejtori i AKI-së përkohësisht kryen dhe ushtron përgjegjësitë e drejtorit të AKI-së gjatë mungesës apo paaftësisë të drejtorit. Në rast të paaftësisë të përhershme, zëvendësdrejtori i AKI-së kryen dhe ushtron përgjegjësitë e drejtorit të AKI-së deri në kohën kur zëvendësimi i Drejtorit të KIA-s emërohet në mënyrë formale”, thuhet në ligj.