Kosova

Jahjaga: Dhuna në familje po sfidon demokracinë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, deklaroi sot se “dhuna në familje në Kosovë, për fat të keq, vazhdon të jetë në nivel të lartë. Edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare për progresin në Kosovë, dhuna në familje përmendet si një njollë, një e metë, e cila sfidon demokracinë dhe të drejtat e njeriut, të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi.

Në ceremoninë e lançimit të udhëzuesit për gjyqtarë dhe prokurorë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, Jahjaga theksoi se “dhuna në familje, e shprehur në format fizike ose psikologjike, cënon integritetin fizik dhe shpirtëror të viktimave dhe mbetet njëra prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut”.

“Ky fenomen shqetësues është prezent edhe në shoqërinë tonë, e cila është duke kaluar nëpër fazën sfiduese të ndërtimit të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike. Përkundër sfidave dhe prioriteteve të shumta të shtetndërtimit, institucionet e Republikës së Kosovës i kanë kushtuar vëmendje të jashtëzakonshme kësaj dukurie”, tha Jahjaga.

Përmes mekanizmave të ndërtuar, vijoi ajo, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me partnerët ndërkombëtarë, institucionet e Republikës së Kosovës, aktivitetin e tyre e kanë fokusuar në tri shtylla kryesore: në parandalimin, mbrojtjen e trajtimin dhe rehabilitimin e riintegrimin e personave të prekur nga dhuna në familje.

Presidentja Jahjaga u shpreh se “Republika e Kosovës ka hartuar strategji veprimi për të luftuar dhunën në familje, madje prej korrikut të vitit 2013 institucionet e Kosovës kanë aprovuar procedurat standarde të veprimit për të parandaluar dhunën në familje, të cilat procedura vihen në zbatim nga Agjencia për Barazi Gjinore, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Policia, Prokuroria e Shtetit, Këshilli Gjyqësor, Mbrojtësit e Viktimave dhe përfaqësuesit e Strehimoreve”.

Duke folur per publikimin e këtij udhëzuesi, Jahjaga sqaroi se “ky udhërrëfyes, padyshim se do t’i ndihmojë të gjithë profesionistët, por në veçanti gjyqtarët dhe prokurorët, për të vlerësuar dhe për të kuptuar më mirë rastet e dhunës në familje, për t’ju ofruar qasje të barabartë të gjithë viktimave dhe padyshim se do të ndikojë në efikasitetin e praktikës gjyqësore”.

“Ne si shoqëri duhet të deklarohemi qarte se dhuna kundër gruas, fëmijës apo të moshuarve, dhuna në familje, e çfarëdo forme qoftë ajo, nuk është asnjëherë e pranueshme dhe asnjëri prej nesh nuk duhet ta toleroj atë, në asnjë formë apo situatë”, perfundoi Jahjaga.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button