Kosova

Jahjaga: Rruga drejt BE-së kërkon institucione të forta dhe demokratike, rend dhe ligj

Bashkimi Evropian nuk ka alternativë për ne dhe njëkohësisht është pika që bashkon gjithë popullin e Kosovës, pa dallim, tha sot Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.

“Por, kjo rrugë kërkon nga ne më shumë përkushtim dhe më shumë punë. Kërkon institucione të forta dhe demokratike, më shumë rend dhe ligj, respektim të institucioneve të drejtësisë, më shumë angazhim për të ruajtur vlerat e diversitetit të shoqërisë, edhe atë etnik, edhe kulturor edhe fetar. Por, mbi të gjitha, kërkon dialog dhe marrëveshje. Dialog të brendshëm për të zgjidhur çështjet që nxisin mosmarrëveshje. Dialog pa paragjykime, ndërmjet njerëzve që dikur kanë qëndruar së bashku për ta bërë luftën dhe që sot duhet ta ruajnë paqen”, theksoi Presidentja e Kosovë.

Pra, vijoi Jahjaga, na duhet që të gjithë së bashku të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje, sepse shtetin nuk mund ta sfidojmë për çdo ditë dhe sepse nuk mund të rrënojmë institucionet e vendit, besimin tek të cilat duhet me shumë mund ta rikthejmë tek qytetarët, për aq sa na duhet ta rikthejmë edhe besimin e lëkundur të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Barra bie ata që jeni në vijën e parë të sundimit të ligjit, që ta bëjnë me përkushtim dhe me vendosmëri një sistem të drejtësisë që është efektiv, i drejtuar kah rezultatet dhe paanshmëria, duke sublimuar frymën e të drejtave të njeriut”, u shpreh ajo.

Presidentja Jahjaha foli në Konferencën vjetore të prokurorëve të shtetit, e cila po mbahet në Prishtinë, në organizim të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe me mbështetjen e Ambasadës amerikanë në Kosovës.

Në këtë konferencë folën edhe ministri kosovar i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie dhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar,  ndërsa po marrin pjesë edhe përfaqësues të EULEX-it dhe të Misionit të OSBE-së.

Gjatë Konferencës vjetore të prokurorëve të shtetit do të diskutohet zbatimi i amendamenteve të reja të ligjeve për Këshillin Prokurorial dhe Prokurorin e Shtetit. Po ashtu, do të diskutohet strategjia për luftimin e korrupsionit, krimeve ekonomik, duke përfshirë konfiskimin dhe sekuestrimin, si dhe sfidat e Raportit të Progresit dhe obligimet tjera të sistemit prokurorial në procesin e integrimeve evropiane.

Pjesë e rëndësishme e kësaj konference do të jetë edhe prezantimi i kryeprokurorëve të të gjitha prokurorive, i sfidave me të cilat ata ballafaqohen gjatë kryerjes së punës së tyre, por edhe propozimet dhe idetë për eliminimin e tyre.

Pas amendamentit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), ku ndër të tjera është bërë edhe ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të KPK-së, gjatë kësaj konference do të mbahen zgjedhjet për anëtar të KPK-së nga radhët e prokurorëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button