Janar-shkurt, 8 për qind mallra dhe udhëtarë më shumë se një vit më parë në port
Numri i udhëtarëve dhe vëllimi i mallrave të përpunuar gjatë dy muajve të parë të këtij viti në portin e Durrësit ka shënuar një rritje përkatësisht prej 8 përqind, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2014.
Statistikat portuale dëshmojnë se anijet dhe tragetet kanë transportuar 568.947 ton mallra, ose 42 mijë ton më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar. Ndërkaq, tragetet e linjave të Barit, Ankonës, Brindizit dhe Triestes (Itali) janë shfrytëzuar nga 83.112 udhëtarë me 24.671 automjete gjithsej, me një rritje prej mbi 6 mijë udhëtarë dhe 550 automjete.
Nga sektori i statistikave mësohet gjithashtu, se eksportet me anije dhe tragete kanë njohur një rritje prej 19 për qind, krahasuar me janar-shkurtin e vitit 2014, duke arritur shifrën e afro 267 mijë ton mallrave. Vëllimi i mallrave të importit drejt Durrësit ka mbetur në të njejtat shifra me periudhën 2-mujore të vitit të kaluar.
Anijet kanë transportuar më shumë se 454 mijë ton mallra, ndërsa tragetet 114 mijë ton mallra të tjerë, saktësojnë statistikat portuale. Më shumë se gjysma e mallrave janë transportuar me kontejnerë, megjithatë sasia e kontejnerëve të përpunuar mbetet rreth 3 mijë njësi më e vogël se sa numri i kontejnerëve të përpunuar në dy muajt e parë të vitit 2014.