Bota

Jemeni vë përballë marinën amerikane më atë iraniane

Tensionet ne rritje për shkak të konfliktit në Jemen, kanë bërë që Shtetet e Bashkuara të shtojnë praninë e tyre në Gjirin e Adenit. Duke marrë parasysh situatën e paqëndrueshme dhe nevojën për të siguruar që linjat e transportit detar mbeten të hapura, zyrtarët e marinës amerikane thanë se kanë dërguar dy anije shtesë në ujërat e Jemenit, për të marrë pjesë në “operacionet e sigurisë detare”.

Aeroplanmbajtësja “USS Theodore Roosevelt dhe anija me raketa “USS Normandy kanë kaluar ngushticën e Hormuzit, duke iu bashkuar shtatë luftanijeve të tjera amerikane në zonë.

“Qëllimi është të sigurojmë se kemi forca të mjaftueshme në zonë, për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi”, tha zëdhënësi i Flotës së Pestë amerikane, komandanti Kevin Stephens, duke shtuar se kontrabanda me armë është shqetësim. “Nëse ka shenja se po ndodhë trafiku i armëve, atëherë ka edhe një numër veprimesh që mund të ndërmerren”, tha ai.

Ky veprim pason raportet se Irani ka dërguar shtatë deri në nëntë anije në zonë, disa prej të cilave mund të jenë të ngarkuara me armë për kryengritësit Huthi në Jemen. Irani tha më herët se ka dërguar dy anije të tjera në zonë për operacione kundër piratëve.

Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steve Warren, tha se zyrtarët amerikanë “janë duke vëzhguar nga afër veprimtaritë detare në atë rajon”, por mohoi raportet se veprimet synojnë të pengojnë dërgesat e armëve iraniane.

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi, Josh Earnest, tha se Shtetet e Bashkuara kanë ngritur shqetësimet, publikisht dhe privatisht për dërgesat e armëve nga Irani në Jemen

Ekziston rreziku që paqëndrueshmëria në Jemen, do të mundësojë lulëzimin e grupeve ekstremiste”, tha ai.

Zyrtarët amerikan tashmë kanë ngritur shqetësimet se nga trazirat në Jemen po përfitojnë grupet si al-Qaida në Gadishullin arabik.

Po ashtu janë ngritur shqetësimet se Irani po shfrytëzon kaosin për të rritur sferën e tij të ndikimit.

Arabia Saudite po drejton një koalicion që është duke kryer sulme ajrore në Jemen, në përpjekje për të penguar përparimin e kryengritësve Huthi.

Shtetet e Bashkuara janë duke i ofruar mbështetje logjistike fushatës së drejtuar nga sauditët.

Zhvillimet e fundit po ndodhin nën hijen e bisedimeve bërthamore të fuqive botërore me Iranin.

Në një artikull të botuar në gazetën New York Times, ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, u bëri thirrje SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare që të lënë mënjanë “krizën e fabrikuar” rreth bisedimeve bërthamore dhe “për t’u marrë me punë më të rëndësishme”, përfshirë trazirat në Jemen dhe përballjen me grupin e Shtetit islamik.

Ai tha se Irani ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm, ndihma humanitare dhe bisedime që çojnë në formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse të bashkimit kombëtar në Jemen.

I pyetur rreth këtyre qëndrimeve, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, tha të hënën se pika në të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të pajtohen, është që situata në Jemen të zgjidhet me mjete diplomatike. Por, ai sërish ngriti shqetësimet për furnizimin me armë nga Irani të kryengritësve Huthi, të cilët rrëzuan presidentin e mbështetur nga perëndimi Abd-Rabbu Mansour Hadi.

Është pak ironike që ministri i jashtëm iranian të bëjë thirrje për zgjidhje diplomatike të situatës dhe në të njëjtën kohë vendi i tij të furnizojë me armë njërën palë në konflikt, duke mundësuar kësisoj që dhuna të vazhdojë apo edhe të përkeqësohet”, tha ai.

Konfliktet e vazhdueshme në Jemen, Libi, Irak dhe Siri kanë qenë në mesin e temave kryesore për të cilat kanë diskutuar të hënën në Shtëpinë e Bardhë presidenti amerikan Barack Obama dhe udhëheqësi I Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed.

Ndonëse të udhëheqësit nuk kanë bërë komente pas drekës së tyre të punës, Shtëpia e Bardhë kumtoi se ata biseduan edhe për përpjekjet që të arrihet një marrëveshje bërthamore me Iranin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button