Kryeartikull

Jepmë pushtet të më njohësh!

BAJRAM PEÇI

powerI kemi njohur prej kohësh, përgjithësisht barkmëdhenj hijerëndë, të majmur, me gushë të rënë nën peshën e dhjamit dhe fytyrë që shndrit nga shkëlqimi i bulëzave të djersës së lyrosur; të pandarë si prani nga familjet e jetët tona, rrjedhë e të qenët pareshtur në ekranet e TV-së. Janë kryetarët tanë jetëgjatë të bashkive e komunave! Kur erdhën në pushtet ishin të zellshëm e të ndershëm, por koha bën të vetën. Vitet u kaluan pa u ndier, parimet që mbronin heronjtë tanë (tanimë të plakur) zbeheshin gjithnjë e më shumë, freskia fizike, për ndjekjen e problemeve të bashkisë, u humbi. Më kot janë orvatur disa syresh të sheshojnë rrudhat e të zhdukin fijet e thinjura në tëmtha, prej të cilave shoqërisë nuk është se i ka ardhur ndonjë gjë e keqe. Është pushteti i gjatë si qëndrim e keqja e madhe që ata na sjellin. Janë të njohura prej shekujsh përvojat njerëzore, që pushteti ia ndryshon natyrën edhe më të fismit, më të përkorit; sepse është e njohur që pushteti nxit tundimet; sepse, “… siç lind nga velja agjërimi, kështu dhe shpërdorimi i lirisë na çon në robëri”. Ka qëlluar që disave prej tyre, zhytur në zullume të dukshme, u kanë bërë gjyqe, i kanë futur edhe në burg për korrupsion e shpërdorim detyre, por për të varfëruar nuk ia kanë mbërritur dot, ndërsa mbivendosjes së pronave, (lesh arapi – siç thoshte Nano kryeministër) nuk ka gjykatë e hipotekë që mund t’i japë drejtim.

Me mendësi e sjellje feudalësh

Titulli i artikullit, një marrje nga vepra shekspiriane, na sjell ndërmend se bota nuk ka ndryshuar kushedi se çfarë. Na kujton se, në këndvështrimin moral, ka ngelur ajo që ka qenë 400 vjet më parë, kohë kur Uilliami vuri në gojën e një prej personazheve të veprave të tij, pyetjen: “Doni ta njihni tjetrin, jepini pushtet”! Këta kryetarë bashkish e komunash, të formuar nga koha e gjatë e qëndrimit në poltronin e butë me mendësinë e feudalit, pasi një prej tyre, ai i Pogradecit, deklaroi publikisht dorëheqjen, me argumentin se nuk ka më lezet qëndrimi e mbajtja e “tapisë” së funksionit, njëherësh u shfaqën në media, dikush me arrogancë e dikush tjetër i nervozuar, që shtirej sikur të ishte “i vjedhur”. Shkoqur dhe hapur i treguan drejtpërsëdrejti (nëpërmjet mediave, natyrisht) kryetarit të partisë së tyre se nuk janë dakord me dorëheqjet, nuk do ta bëjnë këtë dhe se do të rikandidojnë si të pavarur. Nuk të çudit aspak mburravecëria! Ngjashmërisht, kështu kish ndodhur katër vjet më parë me Shpëtim Gjikën, i parashikuar të mos lihej më të kandidonte në Vlorë, por në një parti pa këllqe të forta do të ndodhte që, edhe pas kësaj, ai të riparaqitej si propozim i partisë. I përkasin së majtës socialiste, por nuk mbartin asnjë cilësi të së majtës dhe s’njohin asnjë mësim për grupin të cilit i përkasin e parimet që përkrahin e mbrojnë. Përvojat e gjata që ka PS-ja me disa prej tyre (që i ka rritur vetë), mesa duket i ka çuar në përfundimin se ata përbëjnë rrezik për partinë dhe rezultatin në zgjedhje, por asnjëherë nuk ka spikatur ndonjë këmbëngulje për të cilësuar dëmin edhe më të madh që i sjell shoqërisë qëndrimi dhe përdorimi i gjatë i pushtetit.

Kujt i ka rastisur prej lexuesve të ketë qenë ndonjëherë në ambiente publike afër ndonjë kryetari bashkie, nuk e ka pasur fare të vështirë të shohë dhe të prekë realitetin e njëtrajtshëm të ambientit që i rrethon: vartës servilë deri në pështirosje, hallexhinj me qëndrime të mjera, kafe të paguara “nuk dihet” nga kush, interesaxhinj ndërtimesh e biznesesh që nuk u ndahen në telefon, si mëshirimi më i saktë dhe shprehja më e plotë e një shoqërie në kalbëzim deri në pore.

Dy mandate apo një “Enver” i vogël i përjetshëm?

Ja ku ridoli edhe njëherë në pah diskutimi i vjetër, më se i vjetër. Është 20-vjeçar: deri në dy mandate apo i pakufizuar? E kanë pasur në dorë ta ligjërojnë përmes Parlamentit, askush nuk i ka penguar, por nuk e kanë bërë. Shembulli më domethënës negativ vjen nga Sali Berisha, i cili pavarësisht ngritjeve e më pas rënieve, nuk ka Zot që e largon si nga politika ashtu dhe nga etja për pushtet. Shembulli tjetër mjaft shprehës vjen nga sjellja e kryetarit të Partisë Socialiste, z. Edi Rama, i cili, në dyshimin dhe mëdyshjen e rrugëve nga ku do të kalonte fati i tij në zgjedhjet parlamentare të ardhme, i dha vetes të drejtën e një kandidimi për një mandat të katërt në Bashkinë e Tiranës, qëndrim dhe vendim që shushati edhe më besnikët rreth tij e partisë. Është e njohur kudo në botë, e vlefshme kjo për çdo formë sistemi shoqëror, se qeverisjen e kryen dhe pushtetin e mban shtresa mediokre e shoqërisë. Më të diturit, në shumë pak raste i janë afruar aspiratës për pushtet vendor apo qendror. Si rregull, ata zgjedhin e i përkasin botës akademike. Të tjerë të aftë zgjedhin, që përmes dijeve, aftësisë dhe veprimtarisë së përditshme, të pasurohen. Të tillë ka plot në biznese. Kush nuk u shqua dot në këto dy fusha, zgjodhi si mënyrë jetese politikën dhe, për të ngjitur shkallët e karrierës partiake, veprimtarinë politike. Kjo, mbase jo dhe shumë e nxitur nga pikëpamjet, programet apo interesat që lidhen me popullin e shtresat e saj. Në rrethana të tilla, të njohura prej vitesh e përvojash kalimesh të gjata, për shmangien e arbitraritetit, kultit të individit në parti dhe pushtetit të stërzgjatur e të rrezikshëm për demokracinë, shoqëruar me rreziqet e tij, është këmbëngulur dhe i është kushtuar vëmendje instrumentit që rregullon përmes statutit jetën e partive, demokracisë së brendshme.

A thua se funksionon demokracia e brendshme te partitë shqiptare?

Thelbi i saj është kufizimi i vendimmarrjes nga krerët. Ajo, demokracia e brendshme, i jep liri veprimi në vendimmarrje bazës së partisë. Shqiptarëve të ngratë, sistemi ynë partiak, u jepet si maja e demokracisë së brendshme, por sapo fillon e gërvisht pak në mënyrën sesi përzgjidhen kandidatët, mbërrin shpejt në përfundimin se demokracia në jetën e brendshme ushtrohet e kufizuar. Zgjedhjet janë e do të mbeten shije e kryetarit. Kush rri e kush ikën, janë zgjedhje e kryetarit. Simpatitë personale të kryetarit të partisë marrin fill nga besimi se zgjedhjen e iksit do e ketë në mbështetje të pushtetit të tij. Kështu merr rrugë përzgjedhja. Është pushteti në duart e Kryetarit dhe demokracia e brendshme gjysmake që kultivon majtas e djathtas kryetarë bashkish megalomanë e dënglaxhinj. Por ka edhe diçka tjetër. Me gjithë dëshirën për t’u dukur perëndimorë, ne kuptohemi menjëherë se jemi me mendësi lindore. Ato dallojnë posaçërisht nga vendimmarrja: kolegjiale, që buron nga forca e anëtarësisë, vendimmarrje e kryesisë apo kryetarit të Partisë. Këta kryetarë bashkish, që nuk pranojnë të dorëhiqen pas tre e katër mandateve, pas një qëndrimi kaq të gjatë në post, janë dëshmitarët më të mirë socialë e politikë të kultivimit të arbitraritet në partitë tona, ku ende ushtrohet demokracia e brendshme me deformime në përmbajtje. Është ky shkaku që i shtyn kryetarët e plakur në pushtet të mendojnë se bashkia është e duhet të mbetet pronë e tyre.

***

Klani, fisi, krahina, janë ende në vendin tonë kulturë të menduari e të vepruari. Ne mbetemi po ata, me parti “demokratike” që kanë e ruajnë organizimin e partisë me strukturë shoqërore fiset e krahinat, tipar ky që mund të ketë lidhje me çdo gjë, por me demokracinë jo. Me dy mandate? Pse jo?! Po humbe zgjedhjet, do të ikësh! Këto e të tjera formulime të demokracisë perëndimore, këtu te ne nuk është se pinë shumë ujë, qofshin edhe si përcaktime statutore. Mirëpo kur sheh se kryetarët tanë të partive, në një farë mënyre ndihen pronarë të organizmit-parti, mund ta vësh buzën në gaz. Dhe ke të drejtë ta bësh.

Kjo miqësi e mrekullueshme e kryetarëve të bashkive me pushtetin, e shndërruar në një lidhje rreziku, nuk është në natyrën e demokracisë dhe vërehet nga kushdo se krijon premisat e një demokracie të deformuar. Një zgjidhje ligjore e mbajtjes së vetëm dy mandateve e shmang atë. Një ligj i tillë, nëse synohet vërtet të bëhet, do i kthente ndërkohë pjesërisht përgjigje pyetjes nervoze të rinisë së sotme shqiptare, se pse prej 20 vjetësh elita politike shqiptare ngelet po ajo që ka qenë?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button