Jolie i nënshtrohet një tjetër operacioni
Aktorja Angelina Jolie ka marrë një tjetër masë për të parandaluar kancerin. Këtë radhë ajo ka hequr vezoret dhe tubat e falopit, për shkak se rrezikohej nga sëmundja vdekjeprurëse.
Jolie, shkruan në `New York Times`, se operacionin e fundit e ka kryer javën e shkuar, për shkak se mbart genin që e rrezikon më së shumti për zhvillimin e kancerit në vezore.
Dy vite më parë, aktorja, nëna e së cilës vdiq nga kanceri, kreu një mastektomi të dyfishtë, gjë që i shkaktoi një vuajtje trupore asaj dhe një dhimbje dhe ankth familjes.
“Nuk është e lehtë të marrësh këto vendime, por është e mundur që të mbash nën kontroll shëndetin tënd”, shkruan Jolie.
Aktorja sqaron më tej se ndjenjat e saj kanë qenë të shumta, por ajo ka ruajtur qetësinë, është bërë e fortë dhe se është e bindur që do të jetojë për të parë fëmijët e saj të rriten. Ajo shpreh dëshirën të jetojë aq gjatë sa të takojë e gëzohet me nipërit dhe mbesat në të ardhmen.