Kosova

Joseph: Serbia do të duhet ta njoh Kosovën para se të hyjë në BE

Drejtori i Institutit amerikan për çështjet aktuale botërore, që ka shërbyer edhe në misionet ndërkombëtare në Ballkan gjatë dhe pas luftërave, Edward Joseph, ka deklaruar se porosia e nënpresidentit amerikan Biden në Prishtinë, për ‘themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe i është drejtuar posaçërisht opozitës në Kosovë”.

Në një intervistë me Radion Evropa e Lirë, Joseph tha se nënpresidenti Biden e ka bërë gjithashtu të qartë se “edhe çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi duhet të zgjidhet përfundimisht pa shtyrje dhe pa kundërthënie”.

Edward Joseph, profesor në Shkollën për Studime Ndërkombëtare John Hopkins, tha se kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq me deklaratën e tij se “zgjidhja e vetme për Kosovën, tani për tani, do të ishte që Qeveria e Serbisë ta njoh pavarësinë e saj, por këtë nuk mund ta bëjë”, tregon se ai “i ka porositur qytetarët e Serbisë – se ky është realiteti me të cilin duhet të përballen”.

Ai tha se dallimet më të mëdha ndërmjet Beogradit dhe Washingtonit mbeten rreth Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, por shtoi se “hyrja e Serbisë në BE do të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

“Gjermania nuk do të lejojë hyrjen e Serbisë në BE përpara se ajo ta njoh Kosovën”, tha Joseph në intervistën me Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë: Nënpresidenti Biden ka kërkuar në Prishtinë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta kryejnë demarkacionin me Malin e Zi.

Edward Joseph: Deklarata e Biden-it ishte e pritur dhe pasqyron politikën amerikane ndaj Kosovës. Qëllimi i vizitës së tij në Beograd dhe Prishtinë është që mbështes vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve që ka nisur me Marrëveshjen e Brukselit. Porosia e tij për nevojën e krijimit të Asociacionit të komunave serbe i është drejtuar posaçërisht opozitës në Kosovë, e cila kundërshton këtë marrëveshje.

Gjithashtu, me këtë theksohet se SHBA-ja, si aleati kryesor i Kosovës së pavarur, mbështet procesin e normalizimit dhe prandaj prêt që Marrëveshja e Brukselit të zbatohet, përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të komunave serbe.

Radio Evropa e Lirë: Por kur bëhet fjalë për kufirin me Malin e Zi?

Edward Joseph: E njëjta gjë. Këtë çështje duhet zgjidhur sikur në rastin e kufirit me Maqedoninë, që gjithashtu një periudhë ishte e diskutueshme. Biden e bëri të qartë se kjo duhet të zgjidhet përfundimisht pa shtyrje dhe pa kundërthënie. Kjo çështje ka një kuptim më të gjerë, më saktë që të sigurohet stabiliteti rajonal dhe njëherë e përgjithmonë të hiqet mundësia e ndryshimit të kufijve.

Të përkujtoj se ka pasur ide të rrezikshme si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, për bashkimin e tyre. Ky virus ballkanik për madhësitë, në fakt preokupimi me idetë e Shqipërisë së Madhe, Kroacisë së Madhe dhe Serbisë së Madhe ka sjellë deri tek luftërat.
Radio Evropa e Lirë: Aleksandar Vucic, në takim me Biden, ka paralajmëruar se do të ftojë përfaqësuesit e Kosovës në takim. Gjithashtu sipas informatave jozyrtare mësohet se Qeveria e Serbisë dhe ajo e Shqipërisë do të takohen në Nish brenda një muaji. Në takim do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës. A është kjo pasojë e trysnisë së Bidenit?

Edward Joseph: Ky është një hap pozitiv dhe mendoj se është rezultat i vizitës së Bidenit. Ky zhvillim i ngjarjeve i duhet rajonit që të nxitet dialogu me qëllim të tejkalimit të dallimeve dhe që problemet të zgjidhen në mënyrë paqësore.

Radio Evropa e Lirë: Biden ka deklaruar se SHBA dhe Serbia nuk pajtohen për çdo çështje, se ka ende vragë dhe plagë të hapura që nga vitet e 90-ta. Cilat janë dallimet kryesore ndërmjet dy vendeve?

Edward Joseph: Kjo është një pyetje e rëndësishme dhe do të doja të përgjigjesha saktë marrë parasysh se Hillary Clinton, me shumë gjasa do të jetë presidentja e re amerikane. Dallimet më të mëdha ndërmjet Beogradit dhe Washingtonit mbeten rreth Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Ato nuk do të tejkalohen së shpejti, dhe mund të sforcohen edhe më shumë marrë parasysh se Bill Clinton, bashkëshorti i Hillary-t, ka lidhje të ngushta me Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën. Pavarësia e Kosovës dhe bashkimi i Bosnjë Hercegovinës janë elemente të rëndësishme të politikës amerikanë që dallojnë nga qëndrimi I Beogradit.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Hillary Clinton zgjidhet presidente e SHBA-së, a do të thotë kjo se do të rritet presioni mbi Beogradin që ta njoh Kosovën? Aleksandar Vuçiq pak kohë më parë ka deklaruar se zgjidhja e vetme për Kosovën, me qëllim të prerjes së nyjës gordiane, do të ishte që Qeveria e Serbisë ta njoh por këtë nuk mund ta bëjë. Megjithëkëtë, është indikativ që kryeministri i Serbisë për herë të parë ka deklaruar se vetëm njohja e pavarësisë së Kosovës do ta zgjidhte problemin?

Edward Joseph: Po, është interesante vetëm përmendja nga Vuçiqi e faktit se vetëm njohja e pavarësisë do të ishte zgjidhje, megjithëse menjëherë u distancua. Ai është një politikan me përvojë dhe sigurisht nuk do të thoshte asnjë fjalë pa një qëllim të caktuar. Mendoj se me këtë ka provuar që të përgatis terrenin për evoluimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Kosovën, duke treguar realizëm. Pra, Vuçiqi i ka porositur qytetarët e Serbisë – ky është realiteti me të cilin duhet të përballemi.

Shumë qytetarë të Serbisë sigurisht tani përcjellin Lojërat Olimpike, para së gjithash pjesëmarrjen e sportistëve të tyre më të mirë. Megjithatë, kanë mundur të vërejnë se xhudistja nga Kosova ka fituar medaljen e artë. Kjo është edhe një mënyrë që të promovohet dhe që ndërkombëtarisht të njihet Kosova. Mendoj se Vuçiqi e njeh dhe e pranon këtë realitet në terren.

Radio Evropa e Lirë: A do të insistojë Hillary Clinton që Serbia ta njoh formalisht Kosovën?

Edward Joseph: Nuk ka arsye për asnjë lloj histerie ose shqetësim të askujt në Serbi nëse ajo fiton. Në 20 vitet e fundit politika amerikane në Ballkan nuk ka ndryshuar thellësisht edhe pse janë ndërruar administratat republikane dhe demokrate. Kjo vazhdimësi do të jetë edhe nëse Hillary Clinton bëhet president. I vetmi dallim i saj në krahasim me Barack Obamën, është se ajo ka përvojë personale dhe kujtime në Ballkan.

Prandaj është e rëndësishme vizita e Bidenit në Beograd dhe Prishtinë, sepse edhe ai ka përvojë personale dhe kujtime në kohën kur në pushtet ishte Sllobodan Millosheviqi, me të cilin është takuar. Edhe Hillary Clinton edhe Biden e kuptojnë se çfarë ka ndodhur në Jugosllavi, i kujtojnë ngjarjet në Vukovar, Srebrenicë, Kosovë, fushatën e NATO-s. Prandaj është me rëndësi që nënpresidenti Biden u ka shprehur ngushëllime familjeve të serbëve të vrarë gjatë fushatës ajrore në vitin 1999.

Radio Evropa e Lirë: Pra, a do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës kusht që Serbia të bëhet anëtare e BE-së?

Edward Joseph: Së pari, asnjë president amerikan nuk vë kushte nëse ndonjë shtet bëhet anëtar i BE-së. Për këtë vendoset në Bruksel. Por, mendoj se vendet anëtare të BE-së, para së gjithash Gjermania, nuk do të lejojnë hyrjen e Serbisë përpara se ta njoh Kosovën. Ky është realitet të cilin e sheh edhe kryeministri Vuçiq, për shkak të të cilit edhe ka përmendur fjalinë të cilën e komentuam.

Blloku evropian nuk do që të importojë edhe një konflikt duke bërë gabimin e njëjtë si me Qipron.

Brukseli dëshiron zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme njëkohësisht që Serbia të mos mund të bllokojë përpjekjet e Kosovës për të hyrë në BE. Secili qytetar i Serbisë duhet të fillojë ta shoh këtë realitet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button