Opinion
Mbrëmë u ndjeva nga Tropoja.

Unë nuk jam nga Tropoja, por nga një vend i afërt me të. Asnjëherë nuk më është treguar bukuria e këtij qyteti. Shpesh më është servirur si një vend i ashpër, i fortë, i largët. Por mbrëmë, në koncertin “K’cimi i Tropojës”, një shfaqje për të kremtuar përfshirjen e K’cimit në trashëgiminë jomateriale të UNESCO-s, realizuar në Teatrin e Operas dhe Baletit nga Ansambli Popullor dhe valltarët virtuozë të Tropojës, ndjeva se Tropoja ishte vendi me shpirtin më të bukur. E pashë të butë, të ndjeshme, plot ngjyra, krenare dhe të jashtëzakonshme. Dje, Tropoja më foli me gjuhën e vallëzimit, të ritmit, të historisë dhe të krenarisë. Dhe për këtë, dje u ndjeva nga Tropoja.
U ndjeva e vlerësuar, sepse gjithçka që u soll në skenë ishte bërë me përkushtim, me profesionalizëm, por mbi të gjitha, me dashuri. Ishte një shfaqje e krijuar nga njerëz pasionantë dhe të talentuar, që e ngritën kulturën tonë në një piedestal të merituar, jo thjesht për t’u parë, por për t’u ndjerë dhe jetuar.
Kam menduar gjithmonë se kjo është rruga drejt zhvillimit të vërtetë të vendit, por edhe për ne vetë si shoqëri, duke respektuar atë që kemi, duke e mbrojtur, duke mos e përdhosur nëpër humorë të rëndomtë në skena televizive, duke mos e trajtuar si diçka të tejkaluar, por duke e ngritur me dashuri dhe krenari.
Sepse tradita nuk është e vjetër. Tradita është identiteti ynë modern. Ajo është baza mbi të cilën mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, me dinjitet dhe vetëdije.Nuk mund të ecim përpara duke mohuar rrënjët tona. Nuk mund të ndjehemi evropianë duke përçmuar kulturën tonë dhe duke ndjekur verbërisht çdo gjë që vjen modë nga jashtë. Nëse duam të jemi pjesë e Evropës, duhet të mësojmë së pari ta duam dhe ta respektojmë atë që na përket.
Dje, në atë skenë, u tregua se si bëhet ky rrugëtim, me autenticitet, me krenari, me një ndjenjë përkatësie, modernizëm, që nuk të kërkon as pasaportë, as dokument identifikimi.
Tek fëmijët tanë, në vend të mësimit të panevojshëm të fjalëve të huaja që shpesh zëvendësojnë bukurinë e shqipes sonë, duhet të kultivohet një gjuhë e pastër, në shkolla e kudo. Nëse duam të jemi të barabartë me botën, duhet së pari të jemi të respektojmë e vlerësojmë për atë që jemi.
Traditat tona, këngët, vallet, historitë që na kanë mbajtur gjallë për shekuj me radhë, nuk janë thjesht dëshmi të së kaluarës. Ato janë baza mbi të cilën ndërtojmë identitetin tonë modern. Janë thelbi që na bën të ndihemi të fortë dhe të vërtetë, në çdo hap që hedhim përpara.
Nëse sot kemi një vështirësi për të ndërtuar një vizion të qartë të vetvetes, është sepse shpesh i lëmë vend zhurmës së rrjeteve sociale, banalitetit të shpejtë, ironisë së shfrenuar.
Kultura jonë, miti ynë, nuk janë një mbetje e vjetër por ato janë thelbi i vetëpërcaktimit tonë si njerëz modernë.
Prandaj, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë ta duam, ta mbrojmë dhe ta ngremë trashëgiminë tonë me dinjitet dhe elegancë. Jo me nostalgji të verbër, as me folklorizëm të konsumuar, por me ndërgjegjen se ajo është një nga pasaportat më të vlefshme që na bën vërtet evropianë, pa pasur nevojë të ndërrojmë as gjuhë, as shpirt.
Koncerti “Kcimi i Tropojës” ishte një provë e qartë se standardi evropian nuk është thjesht një ide që na vjen nga jashtë, por një që mund ta arrijmë kur respektojmë vetveten.
Ishte një standard që nuk kishte nevojë për pasaportë për të të bërë të ndiheshe pjesë e diçkaje më të madhe. Ishte një ndjenjë përkatësie që vinte natyrshëm, nga dashuria për traditën, nga ndershmëria dhe nga pasioni i atyre që krijuan këtë mbrëmje të tillë.
Në atë skenë, në atë ndjenjë të thellë të përkatësisë dhe respektit për rrënjët tona, unë dje u ndjeva nga Tropoja.
Mbrëmë u ndjeva e vlerësuar.