Kronika

“21 janari”, kallëzim penal për Burgaj dhe Kuliçaj. Nuk arrestuan gardistët

21-janari-burgaj-dhe-kulici-320x160Tre vjet pas demonstratës tragjike të 21 janarit 2011 e cila u mbyll me katër qytetarë të vrarë në bulevard dhe disa të tjerë të plagosur, Policia e Shtetit kallëzon penalisht dy ish-drejtues të saj për dyshimet se nuk kanë zbatuar detyrën për sa kohë nuk iu bindën në atë kohë urdhërit të Prokurorisë për të ndaluar gjashtë oficerë të Gardës së Republikës.

Të kallëzuarit në Prokurori, sipas burimeve jozyrtare të Prokurorirse së kryeqytetit, janë ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe numri dy i policisë në atë kohë, Agron Kuliçaj, që sipas kallëzimit ishin personat përgjegjës që duhet t’i përgjigjeshin pozitivisht Prokurorisë së Tiranës në kohën kur ajo lëshoi gjashtë urdhëra ndalimi  për oficerë të Gardës që kërkoheshin jo vetëm për t’u pyetur, por edhe dyshoheshin se kishin qëlluar ndaj turmës.

Urdhëra që në atë kohë u refuzuan të zbatohen e që hapën një luftë të paprecedentë mes dy institucioneve, aq sa prokurorja e përgjithshme në daljen e saj publike dy-tre ditë pas demonstratës, jo vetëm që bëri apel për ekspertizë drejtuar SHBA-së, por pranoi se ekzekutimi i urdhër-ndalimeve do kishte ndihmuar për hetimet.

Burimet e Prokurorisë pohojnë se nën hetim nuk janë vetëm dy ish-zyrtarët e lartë të policisë, por edhe prokurorë që e kishin dosjen nën hetim në atë kohë dhe që nuk vepruan me të drejtën që u jep ligji për të zgjidhur situatën për të ekzkeutuar urdhërat e lëshuara ndaj oficerëve të Gardës.

Lufta mes Prokurorisë dhe Policisë në atë kohë zgjati deri në fillim të muajit shkurt, kur gardistët, mes tyre edhe ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, u vetëdorëzuan në Policinë e Tiranës. Procesi ndaj oficerëve të Gardës që akuzohen për vrasjen e shtetasve Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj ndodhet aktualisht në Gjykatën e Lartë dhe kjo gjykatë ende nuk ka caktuar një datë.

Nga ana e saj, Gjykata e Apelit ka dënuar me një vit burg nga 23 që kërkoi Prokuroria ish-komandantin e Gardës Prendi dhe tre vjet Agim Llupon për akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Prokuroria nga ana e saj ka ende nën hetim dhe pa autor vrasjen e demonstruesit Aleks Nika, ndërkohë që hetime po zhvillohen ndaj policisë edhe për dhunën e ushtruar në komisariate ndaj demonstruesve, dhunë që në atë kohë u denoncua edhe nga ndërkombëtarët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button