Kambanat bien për ne në Kabul
Imazhi i demokracive liberale, me simbol më të madhen mes tyre, është njollosur tragjikisht. Një rend i ri gjërash po shpaloset pjesë pas pjese në një rajon ku gjithkush e di që ishte vendi i lojës më të madhe… Kabuli do të jetë Pidna jonë. Kaprena jonë, Kirkuku ynë: Sot dhimbja jonë; së shpejti keqardhja jonë; e më pas, shumë shpejt, varri ynë
Shkruan: Bernard-Henri Lévy
Disa ngjarje janë kështu. Ato afrohen gradualisht si një ujk që të gjurmon nga pas. Ose, siç do të thoshte Nietzsche, me hapa pëllumbi.
Ndodhi në Leuktra, atë ditë të shekullit 4 para erës sonë kur banda e shenjtë e Tebës copëtoi 400 spartanë, duke sjellë fundin e hegjemonisë lakoniane ndonëse askush nuk e dinte në atë kohë.
Ose në betejën e Kaprenës, 30 vjet më pas, e cila shënoi fillimin e zbehjes së pushtetit athinas.
Ose beteja në dukje e vogël e Pidnas, në Selanik, e cila vuri në lëvizje shembjen e ëndrrës së Aleksandrit dhe ishte fitorja e parë reale e perandorisë që po lindte në Romë.
Ose beteja e Adrianopojës, e cila nisi si operacion policor nga një legjion i nisur për të luftuar bandat e ostrogotëve; në atë kohë askush nuk e pa si aktin e parë të rënies së Romës.
Këtë mekanizëm e kam përshkruar në ‘Perandoria dhe pesë mbretërit’ (2019).
Ndodhi gjatë betejës pak të njohur për vendimtare në Kirkuk që Donald Trump braktisi aleatët kurdë të Amerikës në Irak.
I njëjti skenar po na shpaloset para syve teksa Joe Biden lë Afganistanin në mëshirë të fatit.
Pse nuk është ky kursi i duhur?
Sepse një fuqi e madhe u ka një borxh aleatëve.
Sepse, sado larg që mund të duket Afganistani dhe lufta e tij, imazhi i turmave të fëmijëve, grave dhe burrave që kapen në krahët e aeroplanëve amerikanë që lënë Afganistanin është shkatërrues.
Sepse gabimi është edhe më i madh se ai i bërë në Saigon më 1975, që njihet si një ditë e errët në historinë e rënies amerikane, por ku të paktën Gerald Ford pati dinjitetin të tërhiqej jo para – por pas – se të organizonte largimin e 135 mijë civilëve vietnamezë që i kishin shërbyer besnikërisht Amerikës.
Sepse në Washington është spektakli i turpshëm i komandantit të përgjithshëm të asaj që ishte fuqia më e madhe në botë, i cili vjen nga pushimet e del në televizor për të numëruar arritjet brilante të operacionit të tij të dështuar e patetik të evakuimit – e pastaj edhe imazhi patetik i konfuzionit të tij pas vrasjes së 13 ushtarëve amerikanë.
Sepse një valë shoku shkoi prej andej në Tajvan dhe vendet baltike, duke kaluar përmes botës arabe e duke fshirë besimin në soliditetin, besueshmërinë dhe nderin a fjalës së Amerikës.
Dhe sepse pesë fuqi të tjerë hidhen përpjetë nga rasti dhe përgatiten tani për të mbushur boshllëkun e krijuar nga ky debakël.
Është Turqia, presidenti i së cilës rekomandoi, në një bisedë telefonike me Putin, një qasja ‘graduale’ duke marrë në konsideratë talibanët.
Është Putin, i cili, në një konferencë shtypi me Angela Merkel, ku i lejoi vetes luksin e ofrimit amerikanëve ‘të papërgjegjshëm’ një leksion mbi qeverisjen, lëvdoi ‘sinjalet pozitive’ të dërguara nga talibanët, si dhe sjelljen e tyre ‘të civilizuar’.
Është Irani, i cili në korrik, pavarësisht diferencave me sunitët, dërgoi ministrin e jashtëm Mohammad Javad Zarif, për të përshëndetur disfatën e Satanait të Madh në prani të liderit taliban Sher Mohammad Abbas Stanikzai.
Është Kina, ministri i jashtëm i së cilës, Wang Yi, u takua më 28 korrik me dorën e fortë të talibanëve Abdul Ghani Baradar, tashmë numri dy i regjimit.
Dhe, sigurisht, është edhe internacionalja radikale islamike, e cila, duke ndjekur Katarin dhe Vëllazërinë Muslimane, e di që tashmë ka në dispozicion një shtet islamik krejtësisht të formuar, shumë më mirë nga sa kishte në dispozicion në Mosul apo Raqqa, prej nga mund të përgatisë sulmet e saj ideologjike – dhe – mos e dhëntë Zoti, terroriste – kundër demokracive të urryera.
A është ISIS kaq i ndryshëm nga talibanët? A duhet vërtetë të bëhemi aleatë me ‘Xhihadin e moderuar’ kundër atij radikal? Ky është një keqkonceptim real e i tmerrshëm…
Ngjarjet aktuale, sigurisht, nuk janë ende histori.
Qeniet njerëzore, të cilat bëjnë historinë, nuk janë kurrë të ndaluara nga një moment i papritur iluminimi që mund të parandalojë çka dukej si një fat i sigurt e i tmerrshëm.
Në Luginën e Panxhshirit, një tjetër Massoud, duke sfiduar mësimet e Marksit se historia e përsërit veten si farsë, është pikërisht në këto momente duke marrë stafetën e të atit, heroi i vrarë në prag të 11 shatorit 2001.
Dhe kam besim se nëse Perëndimi e ndihmon, nëse i përgjigjemi thirrjes së tij për ndihmë dhe kuptojmë se atje në atë luginë shprese dhe lirie hiqet vija e ndarjes midis pesë fuqive revizioniste dhe atyre që vazhdojnë t’u rezistojnë, nëse jemi aq të guximshëm sa të marrim në konsideratë që marrja e kontrollit nga talibanët është e paligjshme dhe se legjimiteti i vetëm afgan është sot në Panjshir, atëherë rezultati mund të jetë i ndryshëm nga ai që shfaqet sot.
Por për momentin, pas evakuimit nga Afganistani dhe masakrës në aeroportin e Kabulit, këto janë pozitat tona.
Imazhi i demokracive liberale, me simbol më të madhen mes tyre, është njollosur tragjikisht. Një rend i ri gjërash po shpaloset pjesë pas pjese në një rajon ku gjithkush e di që ishte vendi i lojës më të madhe.
Dhe mes zhurmës së helikave, kakofonisë së thirrjeve për ndihmë dhe, tani, stuhisë së bombave humane, po përsëritet një paradigmë – por me ndryshim rolesh, influence e mosbesim.
Nëse kjo mbetet e vërtetë dhe nëse harta e fuqive, influencave dhje aleancave merr formë sipas atij modeli, Kabuli do të jetë Pidna jonë. Kaprena jonë, Kirkuku ynë: Sot dhimbja jonë; së shpejti keqardhja jonë; e më pas, shumë shpejt, varri ynë.
/The Spectator/