Kandidaturat e PS-së për Sarandën prezantojnë platformat
Baza socialiste në qytetin e Sarandës pak ditë më parë bëri propozimin e saj për kandidatët më potencialë për postin e kryetarit të bashkisë. Emrat e propozuar nga baza janë ai i kreu aktual të bashkisë, Stefan Çipa, ish- kandidati për deputet në zgjedhjet e vitit 2013, Sheme Lulo. Ramiz Hysi, i cili njihet si bashkëpunëtor i vjetër i PS-së në këtë qytet. Në zgjedhjet e kaluara Ramiz Husi ishte komisioner i Partisë Socialiste në qytetin e Sarandës. Lista vijon me, Florjana Kokën, drejtoresha e Burimeve Njerëzore në Bashkinë e Sarandës, e cila në zgjedhjet e vitit 2009 u rendit e treta në listën shumë emërore për qarkun e Vlorës nën siglën e G99.
Pavarësisht se nuk u shpall fituese Koka është angazhuar vazhdimisht me strukturat e PS-së, duke qenë një prej kandidatëve kryesore për bashkinë e këtij qyteti. Pjesë e listës është edhe Adriana Shehu, drejtoresha e Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë. Me pjesëmarrjen edhe të deputetëve Koço Kokëdhima dhe Mira Shehu, kandidatët shpalosën përpara pjesëmarrësve platformat e tyre dhe shpjeguan arsyet përse kërkojnë mundësinë për të drejtuar Bashkinë e Sarandës në katër vitet e ardhshme.
Gjatë prezantimit të kandidaturave në Asamble, një prej kandidatëve, Ramiz Husi, nuk mundi të prezantojë platformën dhe vizionin e tij për Sarandën pasi për shkaqe personale nuk arriti të jetë në mbledhjen e kësaj Asambleje, por vijon të jetë në garë për kandidat për zgjedhjet e 21 qershorit. Të gjithë kandidatët e Partisë Socialiste të Sarandës dhe Ksamilit gjatë 10 ditëve në vijim do të zhvillojnë takime intensive me organizatat e PS-së në bazë, në qytetin e Sarandës, qytezën e Ksamilit, fshatin Çukë, Gjashtë, Metoq, Shelegar etj. Ndërkohë burime brenda PS-së Sarandë bëjnë me dije se asnjë nga deputetët e qarkut të Vlorës dhe zonës së Sarandës nuk do të përfshihet në ketë procedurë, pra atë të përzgjedhjes së një kandidature të vetme të PS-së për Bashkinë e re të Sarandës me qëllim që kandidatura e vetme të dalë nga anëtarësia e PS-së.
Stefan Çipa: Vizioni dhe platforma për Sarandën time
Kryetari aktual i bashkisë, Stefan Çipa, bëri në fillim të prezantimit të platformës së tij një rezyme të investimeve të rëndësishme që janë bërë gjatë dy viteve të fundit në Bashkinë e Sarandës. Ai shpalosi vizionin e tij dhe platformën për Bashkinë e re të Sarandës, duke u fokusuar te investimet dhe shërbimet e Bashkisë në shërbim të qytetarit. Një zë shumë i rëndësishëm për Çipën ka qenë turizmi ku kreu i bashkisë premtoi se në katër vjeçarin e ardhshëm do të rrisë në 1 milion numrin e turistëve në Bashkinë e re të Sarandës.
-Kontroll të rreptë të territorit, duke ecur sipas PPV (Plani i Përgjithshëm Vendor) nga Gjiri i Kakomesë deri në Butrint. Gjatë 4 viteve do ta çoj në 5 m2 sipërfaqe e gjelbër për frymë (në 50% të normës evropiane).
-Synoj që bashkia e Re, në fund të 4-vjeçarit t’i afrohet kuotës së 1 milion turistëve e vizitorëve. Do të bëj promocion më “agresiv” dhe më përfshirës për të gjithë njësinë turistike që do përbëjë bashkia e re.
-Shkojmë drejt zgjidhjes përfundimtare për të realizuar furnizimin 24 orë në 24 me ujë të rrjedhshëm, nga burimet e Tatzatit.
-Do të bëj ndërhyrje të njëpasnjëshme, deri sa të sjell zgjidhje përfundimtare për ta nxjerrë qytetin e Sarandës dhe Ksamilin nga ngërçi i mungesës së parkimeve.
-Do të ndërhyhet sipas rekomandimeve të ekspertëve të fushës, në fasadat e ndërtesave të radhës së parë, që japin imazhin fizik të qytetit të Sarandës dhe qytezës turistike të Ksamilit.
-Shtim të llojeve të transportit. Do të loboj për ndërtimin e aeroportit të Sarandës, si dhe do të përmirësoj transportin detar me linja të reja brenda e jashtë vendit.
-Bashkia u bë administratore ligjore edhe në 16 mijë m2 të tjera, plazhe të ndodhura përpara njësive hoteliere, të cilat ua dhamë në përdorim me qera pronarëve të hoteleve.
-Do të ngre një Park Publik, në bashkëpunim me biznesin. Do ta bëj Sheshin e Limanit edhe shesh të pëllumbave. Do të investohet për të bërë të vizitueshme të gjitha pikat e interesit turistik, nga monumenti
-simbol i 40 Shenjtorëve, ku do të mundësohet rruga me automjet, ashtu edhe më këmbë, përmes projektit të shkallareve.
-Do të shtoj mundësitë dhe kapacitetet e çerdheve dhe kopshteve bashkiake, për të ofruar kushte për rritjen e fëmijëve të familjeve që nuk përballojnë dot pagesat në institucione të tilla private. Do të mbështes më gjerësisht fuqizimin e institucioneve sociale
-Tregun e shumicës së prodhimeve bujqësore do ta nxjerr nga qyteti i Sarandës, ndërkohë që do të realizoj rikonstruksionin e ideuar për tregun e pakicës. Do të sistemoj tregun e midhjes dhe të peshkut në standardet e fqinjëve tanë të Korfuzit. Do të ngre një agjenci udhëtarësh bashkëkohore.
-Qyteti do të zhvillohet më tej në mënyrë lineare përmes një aksi kryesor në formë by-passi, i cili do të devijojë trafikun e rëndë, sidomos në sezonin e ngarkuar turistik. Jam për vendosjen e taksës 1 euro për çdo hyrje turisti, nga do të krijoj fondin që do të riinvestohet në interes të komunitetit dhe turizmit.
Floriana Koka: Turizmi, prioriteti im për Bashkinë e re
Gjatë prezantimit të platformës dhe vizionit të saj për bashkinë e Sarandës, Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në Bashki, Florjana Koka, gjatë prezantimit të saj ne Asamblenë e PS-së së Sarandës dhe Ksamilit, tha se: “Prioritet i politikave të mia do të jetë ta kthej bashkinë e Sarandës, në kushtet e formatimit të ri administrativ, në një atraksion gjithëvjetor turistik. Kjo do të kërkonte krijimin e një strukture të re të zhdërvjellët për promovimin e industrisë së turizmit. Kjo strukturë duhet të krijojë sitet e saj në internet, duke qenë aktive e të fuqishme për njohjen sa më mirë në botë të arealit tonë turistik dhe itineraret e mbërritjes në destinacionin e caktuar, si dhe kosto”.
-Krijimin e një strukture të re të zhdërvjellët për promovimin e industrisë së turizmit.
-Statusi turistik i bashkisë që duhet të miratohet nga këshilli bashkiak, do t’i japë një shtysë të fuqishme kësaj industrie që është zhvilluar në mënyrë informale, spontane e kaotike, pa njohur asnjë planifikim zhvillimor.
-Hartimi i një plani rregullues përfundimtar i këtij territori, që krahas orientimit zhvillimor urban për zonat e paprekura, do të duhet të mendojë edhe korrigjimin e situatave ekzistuese katastrofike, ku mpleksen shpesh zonat residenciale me zonat ku zhvillohet aktiviteti turistik.
-Ky duhet të jetë katërvjeçari që duhet t’i japë fund këtij problemi: ose me dhënien në koncesion, si në Korçë e gjetkë, ose me kredi të fuqishme nga ana e bashkisë, pasi të ketë siguruar një fond fillestar të vetin dhe të bizneseve të vijës së parë.
-I duhet kthyer idesë së parkimeve disa kate nëntokësore në lulishten e qendrës së qytetit, për ta kthyer pastaj sërish në një ambient çlodhës. Edhe kjo duhet të ndjekë rrugën e koncesionit.
-Të përmirësojmë imazhin e peizazhin pamor të qytetit e të krejt zonës. Do të doja të shtoja këtu, nevojën e krijimit të hartave nëntokësore të qytetit, të cilat do të mundësonin jo vetëm njohjen e rrjetit të shpërndarjes së kanalizimeve të ndryshme të zonave urbane, por edhe saktësinë dhe efikastitetin e ndërhyrjeve kur konstatohen probleme në to.
-Do të duhet të bëhet norme, që bizneset e njohura të vijës së parë, hotelet e ndryshme, të detyrohen të punojnë nën kujdesin e ekspertëve të bashkisë së Sarandës, për gjelbërimin e përhershëm të mjediseve përreth tyre. Bashkia të stimulojë gjelbërimin vertikal të ballkoneve e tarracave, aty ku është e pamundur që gjelbërimi të zhvillohet, ku mungojnë sipërfaqet për të.
Adriana Shehu: Bashkia e Sarandës sipas vizionit tim
Drejtoresha e Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë Sarandë, Adriana Shehu, gjatë prezantimit të Platformës dhe Vizionit të saj për drejtimin e Sarandës, ka theksuar se do të mbështetet në 4 shtylla për zhvillimin e bashkisë së re: tek turizmi, infrastruktura, politikat sociale dhe marrëdhëniet me komunitetin.
-Menaxhimi i integruar i zonave bregdetare për plazhet. Përfshin riorganizimin e të gjithë territorit, në një mënyrë të tillë që zonat natyrore të mund të përfitojnë nga ky proces dhe të sigurojnë përqendrimin e turizmit në gjithë zonën.
-Shpërndarje më e mirë e informacionit ekzistues. Bashkia Sarandë do të mbrojë dhe favorizojë gazetarinë shkencore si dhe do të organizojë edhe seminare me të cilat të gjithë agjentët që kanë lidhje me bregdetin dhe turizmin në tërësi.
-Përmirësimi i edukimit mjedisor. I cili mendoj se është aspekti kryesor, thelbësor dhe edukativ për një turizëm bashkëkohor evropian si dhe për një zhvillim të qëndrueshëm të kulturës turistike.
-Transporti Detar. Ndikon në rritjen e turizmit elitar, zhvillimin e qytetit në (kazino, komplekse turistike, punësim, etj), të ardhurat nga ankorimi në sezonin dimëror, rritjen e mirëqenies, etj. Mundësimi dhe krijimi i linjave detare me destinacion atraksionet turistike të zonës.
-Krijimi i terminalit të autobusave për linjat, Urbane, Internacionale, Nacionale. Krijimi i parkimeve për automjete.
-Ndërtimi dhe rikonstruksioni i rrugës së pestë, gjashtë dhe shkallaret e qytetit. Vazhdimi i rrugës se pestë. Rikonstruksioni dhe lyerja e fasadave të pallateve të qytetit të Sarandës dhe qytezës së Ksamilit.
-Rikonstruksioni i rrugëve turistikoarkeologjike si: vende arkeologjike, kisha, manastire, muze, teqe, xhami, amfiteatër, Parku Kombëtar Butrint, Shtëpi etj. Rehabilitimi i rrjeteve të ujësjellësit, të ndriçimit, dhe ujërave të zeza,bardha.
Sheme Lulo: Si skuadër do të fitojmë bashkinë e re
Ish-kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Sheme Lulo, gjatë prezantimit të platformës së tij në Asamblenë e PS-së Sarandë-Ksamil, theksoi nevojën e menjëhershme që qyteti bregdetar ka për bashkëpunim të elitave dhe eksperiencave me qëllim ndërtimin e një Sarande të re.
-Bashkëpunimi me të gjitha grupet e interesit. Mendoj se pjesëmarrja e biznesit dhe komunitetit në vendimmarrje do të jetë çelësi i suksesit në realizimin e projekteve të së ardhmes.
-Do të synoj maksimumin në kapacitetet profesionale të punonjësve, në përgjegjshmëri, në përkushtim por edhe në dëshirën për të punuar dhe për të kontribuar. Kjo administratë do të jetë gjatë gjithë kohës në dispozicion të qytetarit duke ofruar shërbime cilësore dhe në kohë sa më të shkurtër, si dhe duke dhënë zgjidhje për problematikat shqetësuese në jetën e përditshme.
-Bashkërendimin me qeverinë për ndërtimin e projekteve prioritare dhe sidomos ndërtimin e ujësjellësit të ri për të garantuar furnizim me ujë të pijshëm për 24 orë.
– Besoj se mënyra e duhur për të adresuar problemin e papunësisë është koordinimi i përpjekjeve të bashkisë dhe Zyrës së Punës, duke hartuar programe të përbashkëta në kuadër të strategjisë kombëtare të punësimit, që është hartuar dhe po zbatohet nga qeveria.