Kanë një racë, një kulturë, një gjuhë. Po cilët janë kurdët?
20 deri 30 milionë kurdë banojnë në rajonin malor që shtrihet mes kufijve të Turqisë, Irakut, Sirisë, Iranit dhe Armenisë. Ata përbëjnë grupin e katërt më të madh etnik në Lindjen e Mesme, por nuk kanë patur asnjëherë një shtet-komb të vetin.
Në dekadat e fundit, kurdët kanë ndikuar gjithnjë e më shumë në zhvillimet rajonalë, duke luftuar për autonomi në Turqi dhe luajtur role domethënës në konfliktet në Irak dhe Siri, ku i kanë rezistuar përparimit të grupit xhihadist, Shteti Islamik.
Nga vijnë?
Kurdët kanë patur historikisht jetë nomade, që vërtiteshin përreth rritjes së dhive dhe dhenve në të gjithë rrafshnaltat e Mesopotamisë apo në kodrat që sot ndodhen në Turqinë juglindore, Sirinë verilindore, Irakun verior, Iranin veriperëndimor dhe Armeninë jugperëndimore.
Sot ata formojnë një komunitet të spikatur, i bashkuar përmes racës, kulturës dhe gjuhës, ndonëse nuk kanë një dialekt standart. Kurdët kanë gjithashtu një numër besimesh dhe fesh, ndonëse shumica janë myslimanë sunitë.
Përse nuk kanë shtet?
Pavarësisht historisë së tyre të gjatë, kurdët nuk kanë patur asnjëherë një shtet-komb të përhershëm. Në fillim të shekullit 20, shumë kurdë nisën të mendojnë krijimin e një atdheu – që përgjithësisht përmendet me emrin Kurdistan.
Pas Luftës së Parë Botërore dhe humbjes së perandorisë otomane, aleatët fitimtarë perëndimorë parashikuan krijimin e një shteti kurd në Traktatin e Sevres të vitit 1920. Por shpresat u humbën tre vjet më vonë, kur Traktati i Lozanës, i cili krijoi kufijtë e Turqisë moderne, nuk parashikoi krijimin e një shteti kurd dhe i la kurdët me statusin e pakicës në vendet respektivë ku jetonin. Gjatë 80 viteve që pasuan, cdo përpjekje e kurdëve për të krijuar një shtet të vetin është shtypur brutalisht.
Përse janë në pararojë të luftës kundër ISIS?
Në mesin e vitit 2013, Shteti Islamik u kthye nga enklavat kurde në kufi me territorin e tij në Sirinë veriore. ATa sulmuan në mënyrë të përsëritur, deri në mesin e vitit 2014, kur u sprapsën prej Njësive të Mbrojtjes Popullore – krahu i armatosur i Partisë Siriane Kurde të Unitetit Demokratik (YPG).
Pika e kthesës ishte një ofensivë në Irak në muajin qershor, kur Shteti Islamik pushtoi qytetin iraken të Mosulit, duke dëbuar divizionet e ushtrisë irakene dhe duke shtënë në duar armë që më pas u transferuan në Siri.
Përparimi i xhihadistëve në Irak tërhoqi në konflikt edhe kurdët e atij vendi. Qeveria e rajonit gjysmë-autonom të Kurdistanit dërgoi forcat e saj peshmerga në zonat e braktisura nga ushtria. Për një farë kohe pati përplasje të vogla mes Shtetit Islamik dhe Peshmergave. Por në gusht, xhihadistët nisën një ofensivë masive. Peshmergat u tërhoqën duke bërë që të bien shumë prej qyteteve me pakica fetare, sidomos Sinjarin, ku strehoheshin me mijëra Jazidë.
Të alarmuar nga humbja e Peshmergave dhe masakra potenciale e Jazidëve që largoheshin prej Sinjarit, SHBA nisën sulmet ajrorë në Irakun e veriut dhe dërguan këshilltarë ushtarakë. Ndërkohë, shtetet europianë nisën të dërgojnë armë për Peshmergat. YPG dhe Partia Popullore e Kurdëve të Turqisë (PKK) u erdhën gjithashtu në ndihmë.
Ndonëse xhihadistët u detyruan gradualisht që të sprapsen, ata nuk pushuan së përpjekuri për të marrë enklavat kurde në Siri. Në mesin e shtatorit, Shteti Islamik sulmoi enklavën përreth qytetit verior të Kobanes, duke detyruar më shumë se 160 mijë kurdë të largohen drejt Turqisë.
Pavarësisht kësaj, Turqia refuzoi të sulmojë pozicionet e Shtetit Islamik pranë kufirit të saj, ose të lejojë kurdët që të kalojnë kufirin për ta mbrojtur, duke shkaktuar protesta të kurdëve si dhe kërcënimin e PKK për tërheqje nga bisedimet e paqes me qeverinë. Megjithatë, në mesin e tetorit Ankaraja ra dakord të lejonte luftëtarët Peshmerga që të shkonin në betejë në Kobane.
Përse Turqia nuk lejon kurdët të mbrojnë Kobanen?
Ka një armiqësi të thellë mes shtetit turk dhe kurdëve në vend, të cilët përbëjnë 15 deri 20% të popullsisë. Kurdët janë trajtuar ashpër prej autoriteteve turq për breza të tërë. Në vijim të kryengritjeve të viteve 1920 dhe 1930, shumë kurdë u zhvendosën, emrat dhe zakonet e kurdëve u ndaluan, përdorimi i gjuhës kurde u kufizua dhe madje u mohua edhe ekzistenca e një identiteti etnik kurd, teksa këta njerëz nisën të quhen “turq të maleve”.
Në vitin 1978, Abdullah Ocalani krijoi PKK-në, që bënte thirrje për një shtet të pavarur brenda Turqisë. Gjashtë vjet më vonë, grupi nisi një luftë të armatosur. Që atëherë, më shumë se 40 mijë vetë janë vrarë dhe qindra mijëra janë zhvendosur.
Në vitet 1990, PKK u tërhoq nga kërkesa për pavarësi, duke kërkuar më shumë autonomi kulturore dhe politike, por vazhdoi të luftojë. Në vitin 2012, qeveria dhe PKK nisën bisedimet e paqes dhe një vit më vonë u firmos armëpushimi. Luftëtarëve të PKK iu kërkua të tërhiqeshin në Irakun verior, por përplasjet vazhduan.
Ndonëse Ankaraja e konsideron Shtetin Islamik një rrezik, ajo druhet gjithashtu se kurdët e Turqisë do të futen në Siri për t’u bashkuar me PYD – shumë pranë PKK – dhe më pas përdorimin e territorit të saj për të kryer sulmi në Turqi. Ajo ka thënë gjithashtu se nuk është e përgatitur të bëjë përpjekje për të ndihmuar koalicionin e drejtuar nga SHBA kundër Shtetit Islamik, nëqoftë se rrëzimi i presidentit Assad nuk është një prej objektivave të këtij koalicioni.
Cfarë duan kurdët e Sirisë?
Kurdët përbëjnë 7 deri 10% të popullsisë së Sirisë, ku shumica jetojnë në qytetet e Damaskut dhe Alepos, si dhe në tre zona përreth Kobanes, në qytetin veriperëndimor të Afrinit dhe në qytetin verilindor të Qamishlit.
Kurdët e Sirisë janë shtypur prej një kohe të gjatë dhe atyre u janë mohuar të drejtat themelore. Afro 300 mijë kurdëve u është mohuar nënshtetësia që nga vitet 1960 dhe tokat e kurdëve janë konfiskuar dhe u janë dhënë arabëve, në një përpjekje për “arabizimin” e rajoneve kurdë. Shteti është përpjekur edhe të kufizojë kërkesat e kurdëve për më shumë autonomi duke shtypur protestat dhe arrestuar udhëheqësit politikë.
Enklavat kurde kishin mbetur relativisht të paprekura gjatë dy viteve të parë të konfliktit në Siri. Partitë kryesore kurde nuk morën asnjë anë. Në mesin e 2012-ës, forcat qeveritare u tërhoqën për t’u përqëndruar në luftimin e rebelëve gjetkë, dhe pas kësaj grupet kurdë morën kontrollin.
PYD mori menjëherë pozicionin e forcës dominuese, duke i tensionuar marrëdhëniet me partitë më të vogla, të cilat formuan Këshillin Kombëtar të Kurdistanit. Ato theksuan gjithashtu se nuk po kërkonin pavarësi por “një administratë lokale demokratike”.
A do e fitojnë pavarësinë kurdët e Irakut?
Kurdët përbëjnë 15 deri 20% të popullsisë së Irakut. Ata kanë gëzuar historikisht më shumë të drejta kombëtare se sa kurdët që jetojnë në shtetet fqinjë, por edhe janë përballur me një shtypje brutale. Kurdët në veri të Irakut u revoltuan edhe kundër sundimit britanik, por u shtypën. Në vitin 1946, Mustafa Barzani formoi Partinë Demokratike të Kurdistanit për të luftuar për autonomi në Irak. Pas revolucionit të vitit 1958, kushtetuta e re pranoi kombësinë kurde. Por plani i Barzanit për vetëvendosje u refuzua prej qeverisë qendrore me shumicë arabe dhe Partia Demokratike e Kurdistanit nisi një luftë të armatosur në vitin 1961.
Në vitin 1970, qeveria ofroi një marrëveshje për t’u dhënë fund luftimeve, e cila u dha kurdëve de facto një rajon autonom. Por në fund, ajo u zhbë dhe luftimet rifilluan në vitin 1974. Një vit më vonë, ndarjet brenda partisë kurde sollën largimin e Jalal Talabanit. Ai krijoi Unionin Patriotik të Kurdistanit.
Në fundin e viteve 1970, qeveria filloi krijimin e vendbanimeve të arabëve në zonat me shumicë kurde, sidomos përreth qytetit të pasur me naftë të Kirkukut, ndërkohë që zhvendosi me forcë kurdët. Kjo politikë u intensifikua në vitet 1980 gjatë luftës Iran-Irak, ku kurdët mbështetën republikën islamike. Në vitin 1988, Sadam Huseini nisi një fushatë hakmarrjeje që përfshiu edhe përdorimin e gazit helmues në Halabja.
Kur Iraku u mund në luftën e Gjirit të vitit 1991, djali i Barzanit, Masudi udhëhoqi një rebelim të kurdëve. Shtypja e dhunshme e saj nxiti SHBA dhe aleatët që të vendosnin një zonë ndalim-fluturimi në veri, gjë që lejoi vetëvendosjen për kurdët. KDP dhe PUK ranë dakord që të ndanin pushtetin, por tensionet erdhën e u rritën dhe në vitin 1994 shpërtheu një konflikt i brendshëm.
Të dy partitë bashkëpunuan me pushtimin e Irakut nga SHBA dhe aleatët në vitin 2003, që rrëzoi Sadam Huseinin, dhe ata kanë marrë pjesë në të gjithë qeveritë e krijuara që atëherë. Ata kanë qeverisur gjithashtu në koalicion në Qeverinë Rajonale të Kurdistanit, e krijuar në vitin 2005 me qëllim administrimin e tre provincave të Dohukut, Irbilit dhe Sulaimanias.
Pas ofensivës së Shtetit Islamik në qershor, KRG dërgoi luftëtarë peshmerga në zonat e diskutuara e që pretendoheshin nga kurdët dhe qeveria qendrore, ndërkohë që më pas i kërkoi parlamentit kurd të planifikonte një referendum për pavarësinë. Megjithatë, është e paqartë nëse kurdët do të shtyjnë përpara përpjekjet për vetëvendosje, apo do të kërkojnë një entitet më të pavarur brenda një shteti iraken.