Karburante, toka e apartament/ Sekuestrohet pasuria e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese e dy ish-gjyqtarëve
Cilët janë ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese e dy ish-gjyqtarët:
Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi është cilësuar si “miku i krimineleve” dhe gjyqtari “gjysmëmilionë eurosh”. Ai është eliminuar nga Vettingu për shkak të vendimeve tepër të diskutueshme mbi persona të lidhur me krimin dhe mosplotësimit të komponentit të vetëm atë të pastërtisë së figurës. Gjithashtu Selimi bashkë me Tom Ndrecën dhe Artan Zenelin, e cilësuan Gërdecin si aksident teknologjik duke zbatuar urdhrat politike të qeverisë Berisha.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo është emër i njohur në sistemin e drejtësisë, i cili është eliminuar nga Vetingu në shkallën e parë dhe të dytë për shkak të vendimeve tepër të diskutueshme mbi njerëz të lidhur me krimin. Një ndër to është edhe ajo e ekstradimit të Almir Rrapos drejt SHBA-së. Lulo vendosi të rrëzojë dy gjykatat më të ulëta, duke mos e ekstraduar Rrapon, i cili do të gjykohej në Shtetet e Bashkuara për vrasje. Një tjetër çështje e rëndësishme në duart e Fatos Lulos, ishte ajo e uljes së dënimit për Edmond Begon, alias Manoli Bega. Nga 21 vite burg që ishte dënuar në Itali, Lulo ia uli dënimin Begos me 4 vjet e 4 muaj në Shqipëri, dënim, të cilin nuk e kreu asnjëherë.
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja u largua nga organet e Vettingut, më konkretisht nga Këshilli i Posaçëm i Apelimit, pasi më herët kishte kaluar fazën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
NJOFTIMI I PLOTË
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 7.5.2020 regjistroi procedimin penal nr.137 për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal.
Duke qënë se shtetasit Fatos Lulo (ish – gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish – Kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish – gjyqtar në Gjykatën e Lartë), janë hetuar, për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 257a/a/2 të Kodit Penal, dhe për këtë arsye në bazë të nenit 3/1, gërma (d), të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ata janë dhe subjekte të këtij ligji.
Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesat përkatëse për sekuestrimin e pasurive në zotërim/pronësi të këtyre tre subjekteve.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.7, datë 20.4.2021, vendosi:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
• Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Fatos Lulo, me sipërfaqe 172 m2, e llojit Njësi/Dyqan, e ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.8, datë 20.4.2021, vendosi:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
• Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Bashkim Dedja, e llojit apartament, me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.
III. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.10, datë 23.4.2021:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur, masën e sekuestros mbi pasuritë në pronësi/zotërim të shtetasit Shkëlzen Selimi, si vijon:
1/2 (50%) e pasurisë e llojit truall 432 m2 dhe objekt 132.25 m2 Karburant/Pikë Tregëtimi, me vendodhje Shetitore Lungomare, Vlorë, në pronësi të shtetasit Shkëlzen Selimi
2. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 2400 m2 (pasuri e përbërë nga bashkim pasurish), e ndodhur Jonufër, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi.
3. 55% e pasurisë e llojit truall, me sipërfaqe 764 m2 dhe godinë me sipërfaqe 57 m2, Karburant, e ndodhur në Rrugën Transballkanike, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi.