KAS, prezanton botimin “Shqipëria drejt ”Europa 2020″!
-Fondacioni Konrad Adenauer në bashkepunim me Qendra për Kërkim dhe Zhvillim pranë IDM prezantojnë serinë e dokumenteve politike “Shqipëria drejt “Europa 2020″! Le të flasim për këtë çështje”.-
Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) në bashkepunim me Qendra për Kërkim dhe Zhvillim pranë IDM, prezantuan të enjten në Tiranë, serinë e dokumentave politikë “Shqipëria drejt “Europa 2020″!, që evidentojnë rekomandime, për hartimin e politikave që i shërbejnë rritjes së qëndrueshme dhe të mirë-orientuar drejt BE-së.
Në tryezën e ekspertëve pjesëmarës Dr.Thomas Schrapel, Drejtor Ekzekutiv i KAS tha se, ndryshimet e thella të mjedisit ekonomik, social dhe politik gjatë këtyre 24 viteve të tranzicionit në Shqipëri kanë nxitur, ndër të tjera, domosdoshmërinë e hartimit të politikave të përshtatshme aktive të tregut të punës për të trajtuar ndryshimet strukturore ekonomike drejt sektorit të shërbimeve dhe domosdoshmërisë së fuqizimit të sektorit bujqësor, përballjen me plakjen e popullsisë, pabarazinë gjinore, integrimin e grupeve të cenueshme, etj.
Në këtë kontekst u shpreh ai, objektivi strategjik i integrimit në Bashkimin Evropian (BE) sygjeron përafrim të politikave kombëtare me ato të BE-së, përfshirë këtu dhe ato të punësimit dhe aftësive kreative.
Genc Kojdheli, Drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punës, u shpreh se “arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor jane elementë thelbësorë të zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi”.
“Reformimi i arsimit të lartë në Shqipëri nën dritën e Europa 2020 është e nevojshme dhe ky proçes duhet të ecë në koherencë me prioritet e zhvillimit social dhe ekonomik të vendit si dhe aftësinë profesinonale që i nevojiten tregu të punës”, tha ai.
Në këtë takim fjalën e mori edhe Genc Pollo, Kryetar i Komisionit Parlamentar per Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Ai vuri theksin në rëndësinë që merr arsimi si bazë e ndërtimit të kapaciteteve njerzore në zhvillimin e një vendi.
Në qershor 2010, Bashkimi Europian prezantoi Strategjinë e re për punë dhe rritje të zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithë-përfshirëse – Europa 2020. Përgatitjet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në të ardhmen, sugjerojnë se qëllimet e politikave të brendshme dhe metodat e zbatimit të Europa 2020 janë me vend për vendet e zgjerimit, ndaj Komisioni i BE i bën thirrje këtyre vendeve të adaptojnë Europa 2020 për të udhëhequr zhvillimin e tyre socio-ekonomik.
Shqipëria po ecën ngadalë por me siguri në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Marrja e statusit kandidat, solli më pranë vëmendjes të politikë-bërësve rëndësinë dhe sfidën e ndërmarrjes së reformave për një zhvillim të qëndrueshëm.
Nxitja e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, rritja e punësimit, përfshirja sociale, mbrojtja e mjedisit etj, janë disa nga çështjet “e nxehta” në diskursin politik kombëtar. Në kontekstin e ndërvarësisë globale dhe në një marrëdhënie të ngushtë me Bashkimin Europian, Shqipëria duhet të mendojë dhe veprojë strategjikisht për të kontekstualizuar veprimet e saj.
Ndërkohë që reformat kryesore dhe strategjitë sektoriale në kuadër të Shqipëria 2014-2020, janë duke u finalizuar, politika konkrete në fusha specifike (psh: punësimi, përfshirja sociale, mjedisi, arsimi, inovacioni etj), duhet të hartohen dhe adaptohen. Në këtë linjë, objektivat e Strategjisë Europa 2020, qëndrojnë si një kornizë referencë për
të orientuar politikat konkrete që do sjellin një rritje të qëndrueshme dhe të zgjuar edhe në Shqipëri. Fondacioni Konrad Adenauer ne bashkepunim me Qendra për Kërkim dhe Zhvillim pranë IDM, e cila synon të gjenerojë ekspertizën e nevojshme për të nxitur zhvillimin nëpërmjet kërkimit, politikë-bërjes bazuar në evidencë dhe advokim, prezantuan sot një seri dokumentash politike “Shqipëria drejt Europa 2020! Le të flasim për këtë çështje”.
Ky botim është produkt i një procesi të gjerë konsultimesh, duke paraqitur rekomandime konkrete për rritjen e koherencës së politikave shqiptare në linjë me objektivat e BE 2020, në 3 fusha kryesore: Punësimi / Arsimi dhe Formimi Profesional, Arsimi i Lartë dhe Kërkimi Shkencor dhe Inovacioni.