Katalogu politik i revolucionit permanent
Arritjen e një revolucioni që nuk i shqitet Edi Ramës, protesta e flamingove ja ka arritur. Ky është një fenomen social, mediatik që ka vendin e këndin e tij në panoramën e Tiranës së treguar nga jashtë.
Dje nga protesta, pjesëtarët bënë të ditur se të martën do të sulmojnë deputetët me vezë te Kuvendi që nis sezoni i ri, ndërsa nga ana tjetër Luçiano Boçi deklaroi se deputetët e PD-së do të radikalizojnë qëndrimet e tyre në sallë.
Stina politike pra do të rinisë me një radikalizim e tensionim, një film i parë dhe pllakë e ridëëgjuar, për të cilën Edi Rama ka gjasa të risjellë batutën e Gjeneral Gramafonit për “La Voce del padrone”.
Revolucioni permanent i instaluar me nisjen e protestave të flamingove, edhe pse një stand off politik të kataloguar, ka megjithatë një menu që arrihet të shihen sjelljet dhe qëllimet e tij nga shtatori.
Edhe pse dy grupet bazike të “kolonelëve të Flamingove” pasi u sherrosën keqas disa herë me radhë, e më pas arritën unitetin duke shtrënguar duart, në fakt shpërndanë në eter një sinjal politik të përbërjes bazike të këtij revolucioni.
Pra këmbësoria politike e PD-së së Sali Berishës dhe grupet e majta pranë Arlind Qorit, të cilët e dominojnë le të themi këtë konfiguracion që është krijuar në bulevard.
Dy palët, megjithatë maksimumi hapësirën e veprimit e kanë tek veprimet taktike të tyre; herë radikalozi e tension, e herë qetëso situatën sipas rrethanave, kohës, hapësirës dhe natyrisht njerëzive që do të vijnë në shesh.
Por kjo panoramë nuk është një zhvillim politik, është një mbajtje me forcë e protestës në bulevard, për ta institucionalizuar protestën si prezencë, si “qëndrestari”.
Nuk është e rastit që përfaqësuesit e flamingove në daljet e tyre televizive, i mëshojnë fort aspektit të protestës që nuk ka lëvizur por ka qenë konseguente që prej fillimit të qershorit edhe sot.
Por a është konsistenca e kësaj proteste në bulevard një fakt politik? Kur nisi dhe në kulmin e saj, ajo ishte jo vetëm një fakt e akt politik, por një zhvillim determinant i jetës politike shqiptare.
Për të cilin është folur vazhdimisht dhe është lakuar në të gjitha rastet. Duket qartë se synimi politik i revolucionit permanent është të krijojë dhe mbajë gjallë frymën e një tensioni politik në ajër. i frymës së fortë anti-qeveri e anti-mazhorancë edhe në imazh por edhe në pjesëmarrje publikę në gjuhën e komenteve aktive në rrjetet sociale.
Një manual i njohur kjo për të gjitha forcat e reja populiste që kanë dalë me shumicë në dekadën e fundit. Logjika anti establishment, irritimi ndaj statusquo-së, apo siç do ta quante Beppe Grillo lëvizja: “Vaffa…”, megjithatë është shoqëruar së pari me një narracion politik real, domethënë aktivizimi në fushatat elektorale dhe luftën politikë në Kuvend, si dhe krijimin e një lidershipi.
Ndërkaq, flamingot pasi nuk arritën dot operacionin Blitzkrieg të qershorit, tani objektivi politik më i pritshëm është kohezioni i një lëvizje politike dhe dalja në fushatën për zgjedhjet vendore.
Guerriljet taktike të dy grupeve “të armatosura” do të kenë sipas të gjitha gjasave një metamorfozë me afrimin e zgjedhjeve locale, ndërkohë që acarimi e tensionimi nuk duket se çon ujë në mullirin e këmbësorisë më të rëndësishme në boulevard, që është ajo e PD-së, të cilën e drejton apo përfaqëson një ish-truprojë i Sali Berishës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.