Kë ka “vrarë” komandanti?
Nga Fadil Lepaja
Në retorikë disa pyetje quhen “të pamundshme”! Në vetë pyetjen në fakt mbështillet një pohim për të cilin nuk lejohet kurrfarë diskutimi. Nuk pyetet se a e ke bërë një gjë, por se përse e ke bërë apo përse nuk po e bën më apo si? Të pyesin: “Sa kohë ka që nuk po e rreh më gruan” apo “sa kohë ka që ti nuk pi më duhan” apo “pse nuk pi më raki?” E ti ndoshta kurrë nuk ke ndezur asnjë cigare të vetme, kurrë nuk e ke provuar ndonjë gotë, e në fund fare, as të ka shkuar mendja ndonjëherë që të rrahësh gruan. E kujt nuk i ka shkuar mendja, ndonjëherë, do të thotë me vete “prokurori”?! Nga vetë mënyra se si e bën pyetjen, nuk lë asnjë dyshim se ti ke pi duhan e ke rrahur gruan dhe pi raki sikur një rus …
Një pyetje e ngjashme është edhe një pyetje publike, të cilën po e bën këto ditë edhe vetë komandanti, i dënuar tashmë për krime lufte. Ai është padyshim njëri nga më të famshmit e UÇK-së. Ai, në një letër publike nga burgu, po e pyet gjykatën: “Kë kam vrarë unë?” Gjykata hesht!
Ndoshta, prokurori do të thoshte më vete: “Hajt, hajt, sikur nuk e di ti se kë ke vrarë!” Por, gjykatësi nuk merret veç me retorikë, sikur prokurori! Gjykatësi nuk ka qëllim të bindë askënd. Gjykatësi përpara se të marrë një vendim, duket të ketë prova të mjaftueshme. Mbase edhe një emër për viktimën!
Kur jemi te pyetja e komandantit, ajo do të dukej sarkastike, po të mos ishte e bazuar në një fakt paksa të habitshëm, i cili paraqet edhe precedent ligjor: viktima nuk ka emër! Nuk ka as trup!
Kjo se nuk ka trup apo gjurmë, kjo edhe mund të merret sikur një krim i përsosur. Pra, ndodh të jenë zhdukur të gjitha gjurmët. Por, këtu viktima nuk ka as identitet! As pas hetimesh mjaft të gjata dhe me një angazhim të përkushtuar vendoro-ndërkombëtar nuk u arrit të emërohej viktima! Ai përshkruhet vetëm si një njeri me duar të lidhura, të cilit i është afruar një revole mbi kokë dhe … bam, bam!
Natyrisht, nisur nga shumë elemente, sidomos nga arroganca publike e treguar nganjëherë, nga komandantët, ne mbase duke pasur parasysh edhe temperamentin, do të mund të pajtoheshim se komandanti “mund ta ketë vrarë” dikë, madje pikërisht ashtu! Por një gjykatë nuk mund ta bëjë këtë. Perëndia e drejtësisë e ka një shpatë në dorë, e në tjetrën një peshore. Ka edhe sytë e lidhur, për të mos iu bërë vonë se për kë bëhet fjalë! Pra, të peshojë faktet, e pastaj të presë me shpatë, d.m.th. të sjellë një vendim të bazuar në prova.
Nëse ne si qytetarë e pranojmë një precedent si ky nga gjykimi i fundit, atëherë me një dëshmi të kujtdo mund të dënohet kushdo dhe kurdo, për vrasjen e njerëzve, të cilët madje as që kanë ekzistuar kurrë! Pastaj, dikush duke e parë edhe fuqinë e institucionit, të pafrenuar nga asgjë, mund edhe të krijojë identitete të rreme, sikur në “Facebook”, dhe pastaj të nxjerrë dy dëshmitarë nga ata që duan të rregullojnë “letrat”! Dy të pashpirt, një pa kokë, do të thoshte populli dikur!
“Nuk kam dyshim se duhet të hetohemi dhe gjykohemi edhe ne që po luftonim për lirinë e popullit tonë. Sigurisht se mund të kryhen krime në emër të lirisë. Mirëpo, është gabim i rëndë që ne të hetohemi dhe të gjykohemi për çfarë kemi bërë në luftë, nisur nga paragjykimet se çfarë kemi bërë pasluftës. Sigurisht se pushteti të konsumon.”
Kjo fjali, e thënë me një sinqeritet të çuditshëm, duhet të na bëjë të gjithëve të mendojmë për moralin e një procesi! A është e moralshme të dënohet një njeri për krimet që nuk mund t’i dëshmohen, vetëm se nuk po ka guxim dhe konsensus të shikohet se ku dhe si është “konsumuar” kjo gjeneratë e (pas)luftës dhe se ku krejt kjo ka degjeneruar në krim?
Pyetja e vërtetë është: A ka pasur krime lufte, të kryera nga shqiptarët në Kosovë?
Ka edhe që thonë, ka pasur! Dorën në zemër, janë shumë pak këta, por ka që e pranojnë publikisht! Duan të distancohen nga krimi! Por, ka që thonë edhe të kundërtën, pra se nuk ka pasur krime të tilla! Na ruaj o Zot! Ne dhe krimi, dy skaje të një litari! Këta janë më shumë. Individë e shoqata të luftës e pasluftës. Por, shumica dërrmuese … ende hesht. Kur i pyet, ata thonë se nuk u intereson politika. Po çfarë politike?!
Çështja është si të marrësh mendimin e shumicës dërrmuese? Me anketa? Merr kamerën dhe u del përpara në rrugë. Më falni shoku-shoqja “shumicë”, a na thoni se çfarë mendoni juve për … si të them “a kanë bërë krime shqiptarët”?
Krimet? Ne? Kjo e rrëqeth gjithë kombin! Si të zgjidhet një dilemë, e cila nuk është akademike, por krejtësisht praktike dhe reale: kishte apo nuk kishte krime lufte në Kosovë?!
Një publicist i “krisur” po thotë, me zë, se kishte! Edhe disa të tjerë, nën zë e pranojnë këtë. Pyetja e pamundur për ta do të ishte: Përse e urreni vijën e luftës? Kur dikush thotë, se civilët serbë të vrarë, dikush i ka vrarë, ne i pyesim, në mënyrën shkollore: Përse e urren kaq shumë luftën çlirimtare?!
Kështu, të kthehemi prapë në fillim! Gjykata ka dhënë një vendim: Ka vrasje dhe ka vrasës! Dëshmitari, tha: Ka pas “bam, bam pas qafe!” Në anën tjetër, i dënuari, në një letër të dërguar nga burgu, një prozë satirike, e pyet EULEX-in se kush është personi të cilin ai paska vrarë?
EULEX-i hesht! Nuk e di emrin e viktimës apo nuk do ta thotë?
Derisa komandanti dhe të tjerët, falë avokatëve ndërkombëtarë dhe vendorë dhe falë Zotit, për paratë e mjaftueshme që ata të paguhen, gjithsesi do të ankohen në shkallën e dytë, pyetja tjetër e cila po ashtu është paragjykuese, mund të jetë: Ku të ankohen qytetarët?
E pse të ankohen qytetarët? U kënaqën! Jeta këtu është një thashethem aq i madh! Këtu gjithçka është ashtu si duket! Veçse nuk ka prova për asgjë! As dëshmitarë! Bam, bam!