KE: Respektoni standardet në zgjedhje. Mundësi për të larguar personat me rekorde kriminale
Brukseli shfaqet më i distancuar ndaj zhvillimeve elektorale në Shqipëri dhe akuzave të ndërsjellta mes palëve në kuadër të kësaj beteje, por përsërit të njëjtin mesazh se zgjedhjet lokale të 21 Qershorit “duhet të mbahen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe duke ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Kjo është ajo që presim nga institucionet shqiptare dhe partitë politike, në interes të qytetarëve,” shprehet për Top Channel, zëdhënësja e KE-së, Maja Koçijançiç.
“Me miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në aspektin e ndarjes së re administrative dhe territoriale të vendit, kuadri i nevojshëm ligjor është vendosur dhe duhet zbatuar plotësisht. Respektimi i parimeve demokratike është pjesë e kriterit të Kopenhagen dhe vlerësohet rregullisht nga Komisioni”, kujton ajo, duke shtuar se “këto zgjedhje lokale janë dhe një mundësi për qeverinë dhe opozitën që të dëshmojnë zotim për trajtimin e çështjes së personave me të dhëna kriminale në postet publike, siç parashikon marrëveshja politike ndërpartiake e Dhjetorit 2014.”
Megjithëse, ekzekutivi europian nuk komenton raste të veçanta gjykimi, si vendimi i Gjykatës së Lartë për dy deputetët socialistë që goditën kolegun e tyre demokrat vitin e kaluar në Kuvend, shërbimet e Komisionit Europian mbajnë shënim “pozitivisht, realizimin e analizës së parë tërësore të sistemit gjyqësor në Shqipëri, çfarë përbën një zhvillim të rëndësishëm për perspektivat e reformës së ardhshme.
Plotësimi i këtij ushtrimi analitik shënon përfundimin e fazës së parë të procesit dhe Komisioni vëren se “përfaqësuesë kyç vendas dhe të komunitetit ndërkombëtar bënë thirrje për një proces gjithëpërfshirës, duke nënkuptuar nevojën për përfshirje aktive të opozitës në agjendën e reformës”.
Nga ana tjetër, vlerësohet se, “prania e ekspertëve të nivelit të lartë shqiptarë e ndërkombëtarë forcoi imazhin e ndërmarrjes së reformës në mënyrë transparente dhe profesionale. Faza aktuale e dytë e procesit është tashmë kyçe për të ecur përpara me agjendën e reformës, duke sjellë propozime të qarta e konkrete për ndryshimet kushtetuese.
Zyrtarët e KE-së nuk komentojnë çështjet specifike të korrupsionit, por 4 muaj përpara publikimit të raportit të progresit mbi Shqipërinë, ata shprehen se “reforma pritet të ndihmojë për konsolidimin e një gjyqësori të pavarur, efiçent, të besueshëm, profesional dhe llogaridhënës dhe se duhen vendosur rregulla të qarta për parandalimin e konfliktit të interesit dhe të korrupsionit”.
Përgatiti Arta Tozaj